Një lojë penalltish, Pogradeci bën detyrën kundër Këlcyrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2023 | 11:00

Një lojë penalltish, Pogradeci bën detyrën kundër Këlcyrës

Pogradeci ka mposhtur dje Këlcyrën me shifrat 3-1, duke marrë tri pikë në startin e kampionatit, ku për të dytin sezon radhazi do të kërkojë ngjitjen në Kategorinë e Parë.

pogradeci kelcyra

Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim të dy figurave të mirënjohura të futbollit pogradecar që ndërruan jetë këtë vit, pikërisht ish-kapiteni legjendar, Festim Fetollari dhe ish-portieri i viteve të arta të liqenorëve, Bujar Berberi.

Topin e parë nga qendra e shkelmoi vajza e të ndjerit Fetollari, Françeska. Edhe pse liqenorët arritën të fitonin, nuk bënë ndonjë lojë bindëse ndaj Këlcyrës, që vinte si një skuadër pa shumë pretendime në Pogradec.

Miqtë bënë një lojë të rëndë, duke bërë shpesh faulle të panevojshme kur rezultati ishte 2-1, teksa shpresonin për të marrë një barazim. Loja nisi me një penallti në minutën e 7-të, ku Shkulaku pas një depërtimi brenda zonës rrëzohet dhe Pere nga pika e bardhë godet traversën.

Megjithatë, në minutën e 11-të, pas një asisti të mrekullueshëm nga Shkulaku për Rapon në të djathtë, ky i fundit godet me të djathtën drejt portës dhe aty afër Xhoni Ivani e devijon në rrjetë për 1-0.

Në minutën e 30-të akordohet një tjetër penallti në favor të vendësve dhe këtë herë është Topllari që nuk fal, duke shënuar golin e dytë.

Mirëpo, Këlcyra reagon mirë dhe arrin të ngushtojë rezultatin në 2-1 me anën e një penalltie, ku pas prekjes së topit me dorë nga mbrojtja pogradecare, gjyqtari akordoi 11- metërsh dhe gjirokastrit Boni nuk gabon.

Në pjesën e dytë Pogradeci krijon një mori rastesh, por u desh të vinte minuta e parë e shtesës, ku Lipo kroson bukur në zonë për Topllarin, i cili shënon me kokë për 3-1.

6565

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"