Një bomber “shtegtar”, Salihi: Ja si i mposhtëm moldavët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2015 | 10:59

Një bomber “shtegtar”, Salihi: Ja si i mposhtëm moldavët

shkembi salihiNga Shkodra, te Tirana, te Panionio si në Greqi e më pas në Austri, SHBA, Kinë, Izrael dhe së fundmi në Korçë… Rast unik ai i Hamdi Salihit që sot është një nga heronjtë e Skënderbeut që po shkëlqen në Champions.

“Pasi u largova nga Tirana, kurrë më parë nuk e kisha menduar se do të luaja ndonjë ditë me Skënderbeun. Doja të luaja me një ekip shqiptar që të mund të luftonte në një kompeticion të rëndësishëm, por nuk ma kishte marrë mendja se do të ishte Skënderbeu”, thotë me sinqeritet Hamdi Salihi për “Panorama Sport”. Keni udhëtuar në shumë shtete të botës dhe tani luani në Korçë me një bilanc prej tri ndeshjesh dhe katër golash në Champions…

Futbolli është i paparashikueshëm. Doja të luaja me një ekip shqiptar që të mund të luftonte në një kompeticion të rëndësishëm, por nuk ma kishte marrë mendja se do ishte Skënderbeu. Ka një paragjykim për lojtarët e Kombëtares që kthehen në Shqipëri.

Ju e keni ndier këtë lloj “vlerësimi” jo fort pozitiv?

Po, është e vërtetë. Në disa raste ndodh edhe kështu. Po aq e vërtetë sa edhe fakti që në Kombëtare shpesh janë marrë më tepër në konsideratë lojtarët që luajnë jashtë. Kjo për shumë arsye që kanë qenë edhe të drejta. Futbolli shqiptar jo gjithnjë ka qenë në këto nivele.

Por unë nuk e kam këtë problem. Për më tepër që te Skënderbeu është krejtësisht ndryshe. Sa ndryshe?

Po ju them me sinqeritet se organizimi te Skënderbeu nuk ka diferenca me shumë klube të tjera ku unë kam luajtur jashtë. Kjo më befasoi menjëherë. Skuadra punon në kushte optimale, rrethohet nga një klimë e mirë dhe ka një organizim të shkëlqyer. Ndaj, në këtë aspekt, them që është më mirë për çdo futbollist shqiptar që të luajë në një ekip të tillë, sesa të shkojë me sforco të madhe jashtë me idenë “të dalë ç’të dalë, vetëm të iki nga Shqipëria…”. Ky është gabim i madh që më pas ndikon edhe në karrierën e lojtarëve.

Ju ndiheni i përkëdhelur aty te Skënderbeu?

Jo, pse duhet të ndihem i tillë? Për faktin e thjeshtë se jeni i pari lojtar që një qytet i tërë, por edhe përtej Korçës, luten që ju të qëndroni në ekip…

Ndërkaq, edhe drejtuesit me kapitenin ju trajtojnë më shumë si shok sesa si koleg…

OK, unë e ndiej gjithë mbështetjen që kam. Në Korçë më kanë pritur në mënyrë të shkëlqyer dhe për këtë jam i lumtur. Sigurisht, kam ende për qëllim që të luaj jashtë Shqipërisë, por të shohim. Nga njëra anë thoni se Skënderbeu është një klub modern dhe më pas sërish mendoni për të luajtur jashtë.

Jeni pak kontradiktor…

Jo, nuk dua të shkoj jashtë as për motive financiare dhe as për ndonjë klub dosido. Nëse arrij një marrëveshje me një klub të huaj, ai duhet të jetë në nivele të kënaqshme sportive, por edhe të më bindë për kushtet e jetesës. Në rast të kundërt…

Në rast të kundërt?

Shikoni, unë po e hap një derë te Skënderbeu dhe jam i lumtur edhe që më kanë hapur gjithnjë derën këtu. Preferoj më mirë të qëndroj këtu, sesa të gjej një ekip sa për të thënë… Kjo as nuk diskutohet.

Nëse Skënderbeu shkon në grupe, çfarë do të bëni?

Do të shoh të gjitha opsionet dhe do të vendos. Momentalisht, nuk e mendoj shumë. Dua vetëm të shkojmë në grupe. Ka kohë deri më 31 gusht.

Si është futbolli shqiptar në raport me kohën kur ju u larguat?

Unë deri tani njoh vetëm Skënderbeun dhe kemi luajtur vetëm në Europë. Nuk e di gjendjen e ekipeve të tjera dhe nuk e di as nivelin e tyre. Nëse flasim për Skënderbeun, është realisht shumë mirë. Nuk e kam fjalën për lojën që bën, por për klubin që ka ndërtuar. Sa pranë kualifikimit mendoni se jeni? Kemi bërë gjysmën e rrugës, por kemi edhe gjysmën. Duhet të bëjmë kujdes.

Vërtet ka nevojë për kaq shumë kujdes Skënderbeu edhe kur ka fituar në transfertë 2-0?

Patjetër që ka. Mos harroni, asnjë ekip shqiptar nuk ka shkuar në fazën e grupeve. Mjafton ta mendosh këtë disa herë gjatë ndeshjes edhe ta humbësh fillin… Nuk duhet të fluturojmë pa i bërë gjërat si duhet. Futbolli të ngre në qiell, por ndonjëherë bëhet kaq i pamëshirshëm sa nuk të jep asnjë shans të dytë. Mendoj se duhet kujdes.

Ka shumë nga ata që mendojnë se nëse qëndroni ju, Skënderbeu nuk e lëshon më titullin as vitin tjetër?

Nuk e di, kjo duhet parë. Këtu ka shumë “nëse”…

Është më i mirë ky Skënderbe, apo Tirana kur luanit ju?

Cilësisht, Tirana ishte ekip më i mirë. Ka pasur më shumë individualitete dhe lojtarë me karakter shumë të fortë. Por sa i përket funksionimit si skuadër dhe si një grup i tërë, ështëSkënderbeu më para. Tirana e Mukës, Dedes, Duros, Bulkut, Patushit dhe Sinanit ishte një skuadër shumë cilësore. Por nuk ecnim në Europë, edhe pse rivalët ishin Varteksi apo Koniaspor, sepse nuk kishin këtë organizim. Ndërkohë, kishim edhe problemin e inferioritetit. Nuk kishim shumë besim te cilësitë tona. Tirana ishte një skuadër më shqiptare, ndërsa Skënderbeu është më perëndimor në mentalitet. Berisha dhe Latifi nuk duan t’ia dinë se me kë po luajnë dhe se kë kanë përballë. Ata hyjnë në fushë njësoj dhe bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: dribling, vrap dhe asist. Janë më të çliruar psikologjikisht sesa lojtarët e disa viteve më parë.

Meqë përmendët Berishën dhe Latifin, a mendoni se janë gati për Kombëtaren?

Janë shumë të talentuar. Berisha është shumë i zoti, ndërsa Latifi është futbollisti më i talentuar që unë kam parë vitet e fundit. Ka një prekje të topit që të befason. Por nuk janë vetëm ata te Skënderbeu. Ka edhe lojtarë të tjerë që nuk bien në sy sepse nuk kanë pasur hapësira, por janë të shkëlqyer dhe më duket e pabesueshme se si mund të qëndrojnë ata në stol në një ekip shqiptar. Një ndër ta është edhe shkodrani Dema. Është vërtet shumë i talentuar dhe shumë i zoti. Abazi gjithashtu më pëlqen shumë. Por ka edhe disa të rinj të tjerë shumë cilësorë.

Si ju duk Milsami si skuadër?

Tani që fituam, ne e kemi zakon të themi që ata ishin të dobët, ndërsa kur humbim themi që ata ishin të fortë. Por po ju them se ishte një skuadër e organizuar mirë dhe shumë agresive. Nuk ishte e lehtë t’i mundje. Cili ishte elementi që bëri diferencën në këtë ndeshje? Përgatitja dhe leximi që i kishim bërë lojës së tyre. E dinim që do të ushtronin presion dhe nëse nuk do të shënonin në pjesën e parë, në të dytën do hapeshin.

Çdo skuadër i bën dy apo tri gabime gjatë ndeshjes, ky është ligji i futbollit…

Ne i shfrytëzuam gabimet e tyre dhe ia dolëm. Luftuam shumë, por patëm edhe fat, sepse nëse ata do kishin shënuar në rastet që patën, mund të flisnim ndryshe tani. Ndërsa pas golit të dytë, e pamë se ata e humbën toruan. Humbët një rast në pjesën e parë.

Zakonisht, ju shënoni nga pozicione më të vështira sesa dy metra larg portës…

Po, e vërtetë dhe më iku truri kur e pashë në ritransmetim. Por nuk kisha edhe aq faj. E dija që ishte aksion goli, sepse një sulmues e ndien kur është i tillë, por pas pasimit të Latifit e prita topin që ta gjuaja me këmbën e djathtë. Topi u devijua dhe më erdhi më pranë këmbës së majtë. Mendova ta gjuaja apo pasoja dhe vendosa të gjuaja, por ma devijoi një lojtar. Eh…. është vetëm fraksion sekonde.

Pse ia morët penalltinë Shkëmbit?

Të kuptohemi drejt, nuk ia “mora” penalltinë. Thjesht e pyeta nëse donte ta gjuante, apo mund ta gjuaja unë. Bledi menjëherë u tregua i gatshëm dhe më lejoi mua të gjuaja. Thjesht isha i bindur se ku do gjuaja dhe si do gjuaja. Vetëm kaq. Fatmirësisht shënova…

Sa larg mund të shkojë Skënderbeu?

Mund të shkojë larg. Ka mentalitetin e duhur për ta bërë këtë.

Çfarë ju pëlqen më shumë te kjo skuadër?

Mënyra se si punohet. Lojtarët janë shumë pozitivë, punojnë shumë dhe me një zell gati të pabesueshëm. Të thjeshtë në komunikim dhe me një dëshirë të madhe për t’i përmirësuar gjërat gjithnjë. Keni një foto me Shkëmbin në avion pas ndeshjes me një shishe shampanjë në dorë.

E pitë të tërën ju të dy atë?

(qesh) Jo, jo, po ju them se asnjë gotë nuk kemi pirë. I kishte pirë stafi, por na e dhanë aty vetëm për efekt të fotos…

Si përfundim, do qëndroni apo do ikni nëse shkon Skënderbeu në grupe?

Kur erdha në fillim, isha i bindur se Skënderbeu mund të shkonte në fazën në grupe dhe kam bërë të pamundurën që ta justifikoj gjithë besimin që më kanë dhënë. Por ama isha me mendjen që pasi të shkonim në grupe, unë do largohesha. Tani po përpiqem ta mësoj veten edhe me idenë se mund të qëndroj…

Intervistoi: Jetmir Halilaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"