Nga prurjet e reja te tifozët dhe Kategoria Superiore, rrëfimi special i Edi Rejës: Do të ishte e mrekullueshme të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2021 | 0:12

Nga prurjet e reja te tifozët dhe Kategoria Superiore, rrëfimi special i Edi Rejës: Do të ishte e mrekullueshme të…

Ndeshjet e Kombëtares po afrojnë dhe atmosfera e tyre, por sidomos e përballjes me Anglinë, ka filluar të ndihet gjithmonë e më shumë.

Screenshot_20210314-230546_IPTV-1024x498 (1)

Trajneri Edi Reja, foli nëpërmjet një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol”, ku analizoi punën e bërë gjatë këtyre muajve, prurjet e reja për ndeshjet e radhës, por edhe pritshmëritë nga skuadra. Në fund nuk mungoi një koment edhe për Kategorinë Superiore. Reja pohoi se e kishte ndjekur derbin, teksa dëshiron që të ftojë sa më shumë lojtarë nga kampionati shqiptar.

Si e shihni garën për titullin kampion në Itali?

Mendoj se gjërat po shkojnë si duhet për Interin, që është shkëputur dhe duket se do t’ia dalë me sukses. Është aty edhe Juventus, por zikaltrit duken më në formë, më me besim në aftësitë e tyre dhe po bëjnë mjaft mirë nga java në javë, ndaj janë në rrugën e duhur për titullin.

Është folur për një rikthim tuajin te Napoli, për të zëvendësuar Gatuzon… A pati një negociatë të vërtetë dhe si rrodhën ngjarjet?

Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer me presidentin De Laurentis dhe ai më telefonon sa herë që është në vështirësi për ndonjë këshillë, megjithatë e kam thënë edhe më herët, që e kam mbyllur karrierën me klube. Ka shumë stres puna në një klub dhe nuk mund të përballoj një ngarkesë të tillë. Edhe te Shqipëria ka stres, por këtu aktivitetet janë pak më të rralla dhe ngarkesa më e ulët.

Hysaj dhe Strakosha, dy lojtarë që janë pjesë e ish skuadrave të tua… A jeni i kënaqur me situatën që po kalojnë?

Hysaj ka luajtur shumë dhe ka bërë mirë. Kur ka kalendar të ngjeshur, të vjen radha gjithmonë për të luajtur dhe ai ka treguar se mund ta bëjë shumë mirë si krahun e djathtë, ashtu edhe të mjaftin. Me Gatuzon ka gjetur më tepër hapësira se me Anccelotin. Sot ka bërë një ndeshje të bukur dhe vendimtar te goli, ndërpreu aksionin e Milanit, nga ku erdhi edhe goli i Napolit, paraqitje mjaft e mirë.

Strakosha ka pasur një problem në gju që e ka penalizuar dhe erdhi në një pikë që nuk ia dilte do të më. Duhet të ndalej, të kurohej, tani po kthehet dalë nga dalë. Do të më pëlqente të luante, për ne është lojtarë me shumë vlera, është i ri dhe ka ende mundësi për t’u përmirësua. Shpresoj dhe uroj që të gjejë sa më shpejt hapësirë dhe të mbroj portën e Lacios.

Si kanë qenë këto muaj pa futboll, pasi Kombëtarja nuk grumbullohet që prej nëntorit?

Kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme me lojtarët dhe kemi komunikuar shpesh, sidomos me ata që flasin italisht. Kemi vëzhguar ecurinë e tyre dhe të gjithë mezi presim të grumbullohemi e të bëjmë mirë me kombëtaren.

A u druheni dëmtimeve, pasi Abrashi është në dyshim, Gjasula sapo është rikthyer dhe Broja la fushën mes dhimbjeve?

Më vjen shumë keq për Abrashin, ka qenë një kolonë në mesfushë dhe nuk do të jetë. Gjasula prej 10 ditësh po punon me skuadrën, shpresoj të ketë më shumë minuta kur të vij me ne. Unë do ta grumbulloj, të shikoj nëse do të jetë rikuperuar 100%. Më ka thënë që është gati dhe unë kam besim te ai. Pa Abrashin nuk kemi lojtar tjetër me ato karakteristika. Kemi edhe Ramadanin, por për karakteristika, Gjasula na duhet më shumë.

A do të ketë prurje të reja në Kombëtare?

Një prej tyre do të jetë Florian Kamberi, që është grumbulluar edhe herë të tjera, por nuk ka pasur mundësinë të luajë. Tani ai po bën shumë mirë në klubin e tij dhe kemi vendosur ta thërrasim për ndeshjet e radhës.

Një emër tjetër që ka bërë shumë mirë këtë sezon, është edhe Nedim Bajrami i Empolit. Kam folur shpesh me të dhe kam bërë punë bindëse që të zgjedhë Shqipërinë. Ai tashmë ka dhënë miratimin për të veshur fanellën kuqezi dhe është në pritje të pasaportës. Shpresoj ta marrë që ta kemi për këto tre ndeshje, pasi ka shumë pjekuri, pavarësisht moshës shumë të re.

Cili është objektivi i Shqipërisë për këto tre ndeshje?

Detyra jonë është që të bëjmë mirë dhe të marrim maksimumin ndaj Andorrës dhe San Marinos. Me gjithë respektin, këto janë kundërshtarë më poshtë nesh dhe duhet të marrim maksimumin. Sa i përket ndeshjes me Anglinë, edhe aty do të luajmë për tre pikë, por është një sfidë, e vështirë. Megjithatë unë nuk do të firmosja për barazim, pasi ndeshja si fillim duhet luajtur dhe ne jemi gati të bëjmë maksimumin ndaj tyre.

Federata ka kërkuar që të lejohen 30% e tifozëve ndaj Anglisë. Do t’ju pëlqente një vendim i tillë?

Do të ishte e mrekullueshme të kishim 30% të tifozëve në stadium, pasi do të ishin një ndihmë e madhe, sidomos për ndeshjen me Anglinë. Pa tifozë ndeshjet nuk kanë të njëjtin entuziazëm dhe të njëjtën bukuri, ndaj do të donim t’i kishim si një shtysë më shumë.

Ndërkohë që prisni radhën për vaksinim në Itali, mund ta bëni vaksinën edhe në “Air Albania”, ku ka nisur ky proces tashmë…

Do pranoja ta bëja menjëherë, pasi kështu do të ndihesha më i sigurt e më i mbrojtur .Në Itali më vjen radha në muajin maj, ndaj nuk do të ishte keq ta bëja më herët.

Deri ku mund të shkojë Shqipëria në këtë edicion?

Është një grup i vështirë, pasi vetëm Andorra dhe San Marino janë më të dobëta se ne. Hungaria po kalon një moment shumë të mirë, ashtu si Polonia e Anglia, që kanë vlera shumë të mëdha, Megjithatë ndeshjet luhen në fushë dhe unë mezi pres të shoh a kemi bërë hapa të tjerë përpara në rrugëtimin tonë.

Do të ketë lojtarë në Kategoria Superiore në Kombëtare dhe a e ndoqët derbin Tirana-Partizani?

Unë kam një listë prej 30 lojtarësh plus disa që po i vëzhgojmë. Duhet të jenë më të pjekur lojtarët e Superiores. Nuk e di kush mund ta fitojë kampionatin në Shqipëri, ka shumë skuadra që po luftojnë dhe mund ta fitojnë. E kam parë derbin, 2-1. Ishte një ndeshje e mirë. E luajtur mirë në disa pjesë, shikoj skuadrën, shikoj nivelin e lojës, por monitoroj dhe disa lojtarë. Nuk do të doja të numëroja 1 apo 2 do të doja të grumbulloja 10 nëse ishin mundësi. Kjo do të më pëlqente”, u shpreh Reja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"