“Ne jemi Skënderbeu”, Gvozdenoviç: Tiranën e mposhtim me tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 10:31

“Ne jemi Skënderbeu”, Gvozdenoviç: Tiranën e mposhtim me tifozët

Skënderbeu është gati për ndeshjen e së dielës në kampionat përballë Tiranës. Pas një jave pune intensive korçarët janë gati për të mbyllur përgatitjet për takimin kundër bardhebluve. Kur mbetej edhe një seancë e fundit stërvitore, trajneri Ivan Gvozdenoviç duket se i ka të qarta idetë për interpretimin e ndeshjes së radhës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kryepankina korçare kërkon reagimin pas ndeshjes me Dinamon.

gvozdenovic

Ivan, humbja me Dinamon “djeg” ende në Korçë?

Normalisht që po. Çdo humbje “djeg” për më tepër kundër një kundërshtari direkt dhe me një paraqitje të tillë. Më shumë sesa rezultati është paraqitja ajo që na ka mërzitur më shumë. Prandaj gjithë këto ditë kemi reflektuar dhe kemi punuar për të përmirësuar shumëçka nga ndeshja e fundit.

Kjo do të thotë që kundër Tiranës do të shohim një tjetër Skënderbe?

Padyshim, jemi Skënderbeu dhe në çdo ndeshje duhet të mbajmë performancën në nivelin që na shkon përshtat. Do të mundohemi të jemi një ekip me balancë në dy fazat e lojës dhe të rikthehemi atyre paraqitjeve që na kanë lënë të kënaqur jo vetëm ne, por edhe publikun. Do të luajmë në shtëpinë tonë dhe normalisht që jemi të detyruar që të bëjmë mirë për të kënaqur edhe tifozët, të cilët jam i bindur që do të na mbështesin, duke krijuar një super atmosferë në këtë ndeshje.

Tirana e ka trenin e fundit për “Final 4”. E rrit presionin ndaj jush ky fakt?

Jo, ne nuk shohim se çfarë do të kërkojë kundërshtari dhe cilat janë objektivat e kundërshtarit. Ne jemi në këtë takim vetëm për të kërkuar atë që duam ne të marrim. Prandaj do të përqendrohemi vetëm te kërkesat tona dhe objektivat tanë.

Çfarë kërkon Skënderbeu në këtë takim?

Skënderbeu është Skënderbeu dhe në çdo ndeshje shkon për të marrë maksimumin e mundshëm. Pradaj edhe ky takim nuk bën përjashtim. Do të shkojmë për të dhënë më të mirën tonë në këtë takim dhe të marrim atë që meritojmë në bazë të paraqitjes. Jemi në gjendje te mirë dhe po punojmë për të treguar vlerat tona.

Si shkon Skënderbeu në këtë ndeshje?

Për fat të mirë jemi të plotë dhe gëzojmë një formë të mirë për momentin. Djemtë i kam parë të motivuar në këto ditë përgatitjesh dhe mendoj që do të bëjmë më të mirën tonë. Është një ndeshje derbi dhe si e tillë nuk është e vështirë të motivohesh. Prandaj presim me besim një rezultat pozitiv.

Largimi i Frenklinit në këtë moment, a do ndihet te Skënderbeu?

Unë dua t’i uroj shumë suksese Frenklinit në aventurën e re në skuadrën e re. Frenkli për ne ishte një lojtar i rëndësishëm dhe që ka justifikuar besimin e dhënë. Por kemi kontingjentin e duhur për të bërë lëvizjen në formacion me qëllim që të mos kemi probleme sa i përket zëvendësimit të tij. Kemi lojtarët e duhur për të lëvizur siç duhet. Po punojmë me stafin për të gjetur zgjidhjen e duhur për formacionin e radhës.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"