“Në derbi fitojmë për tifozët”, Shehi pas triumfit me Dinamon: Nuk i trembemi askujt, në “Final 4” shkojmë siç na ka hije

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 10:02

“Në derbi fitojmë për tifozët”, Shehi pas triumfit me Dinamon: Nuk i trembemi askujt, në “Final 4” shkojmë siç na ka hije

Partizani i Orges Shehit u kthye te fitorja pas 41 ditësh, duke mposhtur Dinamon në derbi me shifrat 2-0. Pas ndeshjes për “Panorama Sport” trajneri durrsak u shpreh se fitorja ishte shumë e rëndësishme për momentin ku ndodhej ekipi, teksa më shumë vlerë merr për faktin se skuadra zhvilloi një lojë shumë të mirë.

shehi

FITORE ME VLERË – “Është një fitore që vlen shumë, sepse nuk ishim në një moment të dëshiruar. Po kalonim një moment të keq dhe kërkonim të fitonim. Vlen sepse luajmë përballë një kundërshtari që po merrte pikë, po ngjitej në renditje dhe gradualisht po bëhej konkurrent për ne për pozicionin në renditje. Kur fitorja vjen me lojë dhe me këtë impenjim që ka skuadra, të kënaq dyfish”.

VENDI I DYTË – “E rëndësishme është të mbajmë këtë ritëm, dëshirë dhe uri, jo vetëm për rezultatin, por për çdo top dhe çdo sektor të fushës. Kur je aty dhe kërkon ta shkelësh gjithë fushën, kur je gati për dyluftime kur linjat janë afër, unë mendoj se kjo është e rëndësishme dhe duhet ta mbajmë fort”.

NDJESIA TE PENALLTIA – “Sinqerisht, nuk ndjeva ndonjë frikë edhe për shkak të qetësisë që më karakterizon. Dihet se në futboll ka shumë situata dhe ndërrojnë nga momenti në moment. Duhet të kesh ekuilibër dhe të sillesh njësoj. Pas pjesës së parë çunave u thashë se kur ti je aty, lufton gjithë kohës dhe ke besim te shoku, gjërat të kthehen në favor. Duhet përgëzuar Pano (Qirko), i cili në atë situatë e mbajti rezultatin në favorin tonë”.

RENDITJA DHE “FINAL 4” – “Unë mendoj se në ‘Final 4’ janë të gjitha të barabarta dhe këto llogaritë se do të përballemi me Vllazninë apo Egnatian, që janë mbi ne aktualisht, nuk më shqetësojnë shumë. Ne jemi Partizani, unë drejtoj një skuadër që është kampione në fuqi, me njerëz që kërkojnë të bëjnë më të mirën. Kështu që nuk ka vend për llogari ose për t’u trembur se kush mund të të bjerë në short. Ne kërkojmë të mbajmë këtë ritëm, të fitojmë ndeshjet dhe pastaj në ‘Final 4’ do të shkojmë me besimin më të madh, siç u ka hije çunave, që janë kampionë në fuqi, por edhe klubit”.

SHËNON KEKO – “Ka qenë fatkeqësi që ai na ka munguar gjatë, Kur është në fushë i jep dinamikë tjetër lojës, në varësi të situatave dhe hapësirave. Kur kundërshtari lë hapësira mbrapa, ai është aty prezent dhe përfiton”.

DERBI ME TIRANËN – “Në derbi fjalët e trajnerëve janë të kota. Kjo ndeshje luhet për kënaqësinë e lojtarëve dhe tifozëve. Përballjet e tilla kanë gjithnjë emocion ndryshe. Ecuria e skuadrave në javët e kaluara nuk vlen shumë në këto ndeshje. Unë personalisht e pres me qetësi. Nuk ka nevojë për të motivuar veten, stafin apo lojtarët. Shpresojmë të bëjmë më të mirën, më së shumti për tifozët”.

HADROJ DHE ATANASKOSKI – “Andi është shumë i rëndësishëm për ne. Faktikisht e rrezikuam pak në Rrogozhinë duke e aktivizuar. Këtë ndeshje nuk deshëm ta bënim, sepse mund ta humbisnim. Që nga e hëna (sot) ai është gati për t’u stërvitur me skuadrën. David është lojtar me eksperiencë dhe i rëndësishëm. Kemi një grup lojtarësh me tre kartonë dhe një prej tyre ishte Atanaskoski. Asnjëherë nuk i kemi kërkuar të ruhen për ndeshjen e radhës. Fat i keq që David plotësoi numrin e kartonëve. Do të besojmë te Buxhelaj, që është shumë premtues”, përfundoi Shehi.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"