Ndreu i bindur sot: Kastrioti fiton dhe i qëndron larg zonës “play-out”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2024 | 12:59

Ndreu i bindur sot: Kastrioti fiton dhe i qëndron larg zonës “play-out”

Kastrioti pret sot, në orën 15:00, në stadiumin “Redi Maloku” Luzin, një kundërshtar direkt për mbijetesën. Kështu që krutanët janë të detyruar që ta mbyllin me fitore sfidën me luznjakët. Pas humbjes së fundit ndaj Bylisit, drejtuesit e lartë të klubit kanë aplikuar masat e para.

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit

Fillimisht bëhet e ditur se si “ndëshkim” janë ngrirë rrogat e dy muajve. Kjo masë do të zërohet nëse ekipi reagon me rezultate pozitive. Ndërkohë, trajneri Ramadan Ndreu ka mbyllur javën përgatitore për këtë ndeshje ndaj Luzit. Ai u shpreh për “Panorama Sport” se beson te ekipi i tij.

“Do të fitojmë, pasi nuk duhet të rrezikojmë dhe të qëndrojmë jashtë zonës ‘play out’. Kem gabuar në disa ndeshje, por në shumë prej tyre kemi bërë mirë. I kemi të gjitha kapacitetet dhe eksperiencën për të kaluar këto sfida të vështira. Ndeshja kundër Luzit është delikate, pasi edhe kundërshtari do të luftojë për të mos dalë duar bosh. Ne luajmë në fushën tonë dhe nuk na lejohen gabimet. Pavarësisht pikëve, kemi bërë ndeshje të mira. Shpresoj shumë se lojtarët do të bëjnë më të mirën në fushë për të dalë te rezultati pozitiv. Besoj fort se në ndeshjet e mbetura do të mund të rikuperojmë pikët e munguara”, u shpreh trajneri Ndreu.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"