“Na pret ndeshje e fortë”, Gvozdenoviç do një sforco ndaj Laçit: Kurbinasit nuk njohin fushë, mund të fitojnë kudo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2023 | 9:00

“Na pret ndeshje e fortë”, Gvozdenoviç do një sforco ndaj Laçit: Kurbinasit nuk njohin fushë, mund të fitojnë kudo

Skënderbeu do të kërkojë vazhdimës inë e rezultateve pozitive edhe në ndeshjen që do të luajë sot në orën 17:00 kundër Laçit në stadiumin e Korçës. Barazimi ndaj kampionëve në fuqi të Partizanit ka shtuar edhe më shumë entuziazmin në skuadrën bardhekuqe, që pret kurbinasit në një duel që në vetvete mbart shumë vështirësi.

gvozdenovic

Për këtë është i bindur trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, i cili në një prononcim për “Panorama Sport”, fillimisht flet për barazimin e marrë me Partizanin, që e ka rritur më shumë dozën e motivimit në skuadër.

“Pika e marrë në atë barazim 1-1 me Partizanin, mund të them se më shumë sesa pritshmëritë e mia, na ka ngrohur në aspektin moral. Kjo, për vetë faktin se luanim përballë kampionëve në fuqi dhe mundëm të bëjmë një ballafaqim të mirë sa i takon rezultatit. Normalisht, që rezultate të tilla i bëjnë mirë ekipit, duke krijuar vazhdimësi pozitive dhe mbi të gjitha moral më të lartë dhe bindje në fuqitë e grupit.

Unë sigurisht që kam pikëpyetjet e mia për atë ndeshje dhe pakënaqësitë i kam shprehur menjëherë pas saj. Jemi munduar që këto ditë të punojmë për të minimizuar gabimet dhe për të qenë në maksimumin e mundshëm ndaj Laçit”, ka thënë trajneri i Skënderbeut.

LAÇI

I ndalur më pas tek ndeshja me Laçin, trajneri serb i korçarëve e cilësoi shumë delikate. Duke mos kursyer fjalët e mira për kundërshtarin, Gvozdenoviç kërkoi nga ekipi përqendrim maksimal dhe pragmatizëm para portës.

“Laçi është një ekip shumë i fortë, ndaj edhe për këtë ka për të qenë një ndeshje e luftuar. Unë e them me bindje që do të jetë një përballje e fortë, pasi kështu kanë qenë ndeshjet e deritanishme këtë sezon. Nga ana tjetër, Laçi është një ekip që nuk njeh fushë dhe mund të fitojë kudo. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm.

Ne do të kërkojmë të marrim maksimumin e mundshëm dhe të jemi të përqendruar në fushë. I kam kërkuar lojtarëve të jenë të vëmendshëm në çdo moment dhe pragmatistë sa herë të jepet mundësia, pasi është një ndeshje delikate. Të dy ekipet kërkojnë pikë, por ne na intereson të përmbushim objektivin dhe të marrim fitoren para tifozëve tanë”, është shprehur më tej kreu i pankinës korçare.

SITUATA

Normalisht që në një ndeshje si kjo, meraku i vetëm i Gvozdenoviç është gjendja e lojtarëve që ka planifikuar për t’i hedhur në fushë si titullar. Sigurisht që problemet me sulmuesin Ermir Rashica, i cili mungon prej dy ndeshjesh, por edhe gjendja e mesfushorit Dean Liço, e shqetësojnë trajnerin, që në vetvete e ka të qartë formacionin e mundshëm.

“Jemi duke pritur deri në momentin e fundit për të parë se si do të jetë gjendja e ekipit. Rashica është bashkuar me grupin, por ende nuk jemi të bindur nëse mund ta nisë si titullar. Nga ana tjetër, edhe Liço ka pasur disa probleme në shpinë. Do të shohim se si do të jenë lojtarët në seancën e fundit dhe më pas do të vendosim”, mbylli prononcimin e tij për gazetën numri një i stolit të Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"