“Na mohuan penallti”, Dumfur “qan” disfatën ndaj Dinamos dhe beson te kthesa kundër Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2023 | 23:43

“Na mohuan penallti”, Dumfur “qan” disfatën ndaj Dinamos dhe beson te kthesa kundër Tiranës

Skënderbeu u rikthye me humbje nga Elbasani në ndeshjen e luajtur të martën përballë Dinamos, teksa 90 minuta treguan probleme në prapavijë te bardhekuqtë.

Dumfur

Në ndryshim me ndeshjet e tjera, ku korçarët kanë qenë të kujdesshëm, duke mbrojtur mirë në bllok, ndaj Dinamos një gjë e tillë nuk ka funksionuar si duhet. Të dy golat mbajnë një peshë të madhe të gabimeve në vendosje, ndërsa edhe mbrojtësi ganez, Randi Dumfur, mendon se skuadra duhet të kishte bërë më mirë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai pranon se ekipi nuk ka qenë në ditën e tij më të mirë, veçanërisht në fazën mbrojtëse. “Të them te drejtën, e kishim përgatitur mirë ndeshjen e Dinamos për aq kohë sa kishim, sepse pas asaj me Egnatian, patëm vetëm dy ditë në dispozicion. Por, gjithsesi i dhamë rëndësinë e duhur atij takimi për të bërë më të mirën.

Nëse do të analizojmë lojën në tërësi, kemi bërë mirë në momente të caktuara dhe kemi pasur rastet tona. Por, dy shpërqendrime në mbrojtje na bënë që të mos merrnim pikë nga kjo ndeshje. Mund të them se veçanërisht te goli i parë, por edhe në momente të golit të dytë të pësuar, nuk kemi qenë të pozicionuar mirë në prapavijë dhe kjo na ka kushtuar shumë. Jemi të përgjegjshëm dhe normalisht qe duhet të reflektojmë mbi këto dy gabime”, ka thënë fillimisht Randi. Ai pretendon edhe për dy penallti të padhëna në favor të Skënderbeut.

“Nga ana tjetër, mendoj se VAR-i duhet të kishte ndërhyrë në dy momente. Kemi dy penallti, një prej të cilave mendoj se është flagrante në faullin që iu bë Rashicës. Kjo na bën të mërzitemi më shumë”, vijon ganezi i Skënderbeut. Në fund ai foli edhe për takimin e së dielës në Korçë, teksa bardhekuqtë presin Tiranën.

“Është ndeshje e vështirë, pasi dihen kualitetet e ekipit kundërshtar. Do të bëjmë reagimin e duhur që të rikthehemi te pikët. Ne kemi cilësi për të fituar dhe këtë e kemi treguar me ekipet e forta, ku luajmë shumë herë më mirë. Të dielën na duhet edhe pak fat”, përfundoi mbrojtësi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"