“Na duhet sulmues”, trajneri i Korabit pret rikthimin e futbollistit që ishte pjesë e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2022 | 15:17

“Na duhet sulmues”, trajneri i Korabit pret rikthimin e futbollistit që ishte pjesë e Partizanit

Korabi ka mbyllur dje fazën përgatitore në Peshkopi dhe sot do të udhëtojë drejt Lezhës ku do të zhvillojë miqësoren e fundit para nisjes së kampionatit. Atje do të masin forcat me Besëlidhjen dhe ky test pritet që t’i shërbejë stafit teknik për të vendosur “piketat” për formacionin.

Kumbarce

Dibranët vazhdojnë të jenë në hall për një sulmues dhe këtë shqetësim e shpreh edhe trajneri. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, Shpendi Kumbarçe thotë se pret ende rikthimin e Erjon Dragojit, që gjatë fazët përgatitore ishte pjesë e Partizanit, por nuk u federua nga të kuqtë.

“Kemi rreth një muaj që stërvitemi në Peshkopi me nga dy seanca stërvitore në ditë. Na janë afruar shumë lojtarë, të cilët i janë nënshtruar provës. Ne si staf teknik jemi munduar të bëjmë përzgjedhjen e duhur dhe kemi mbajtur në ekip ata lojtarë që do të na shërbejnë për të përballuar kampionatin. Jemi në pritje të një sulmuesi cilësor.

Presim të na rikthehet Dragoj, por ende nuk e kemi një vendim zyrtar nga ana e tij”, thotë kreu i pankinës dibrane që nuk harron të vlerësojë tri miqësoret e luajtura deri tani: “Jemi njohur me kalendarin dhe ndeshjen e parë do ta luajmë në fushën tonë ndaj Apolonisë. Po punojmë shumë për ta nisur mbarë kampionatin dhe shpresojmë te një rezultat pozitiv. Por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’ia lëmë gjithçka fushës së lojës”.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"