“Mynih 1972″/ Tusha, e para që mbajti flamurin në një Olimpiadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2016 | 21:52

“Mynih 1972″/ Tusha, e para që mbajti flamurin në një Olimpiadë

Nga UVIL ZAJMI

Ka qenë dhe mbetet si një rast i pa përsëritshëm dhe unik për arkivin e Olimpiadave, kur në një turne të tillë një femër konkurron e vetme midis meshkujve në një garë sportive të vështirë, siç ka qenë ajo me pistoletë.

Grupi i sportistëve, nga e majta: I. Rama, F. Pilkati, B. Kosova, A Tusha dhe Y. Pampuri.

Grupi i sportistëve, nga e majta: I. Rama, F. Pilkati, B. Kosova, A Tusha dhe Y. Pampuri.

Si e rikthen sot Afërdita Tusha gati pas një gjysmë shekulli pjesëmarrjen e Shqipërisë në atë eveniment gjigant dhe tejet historik për sportin shqiptar? Cila ishte vajza që rivalizoi djemtë duke habitur botën sportive të qitjes?

Pse e hoqën nga lista dhe urdhri i Adil Çarçanit që të nisej për në Mynih, pastaj provat me Teatrin e Operas me kostumin tradicional të parakalimit dhe si u informua për aktin terrorist ndaj sportistëve izraelitë?

Afërdita, pse konkurrimi me djem?

Ali Mata është trajneri deciziv në karrierën time. Duke nuhatur që isha e fortë në garat me pistoletë, Ali Mata kishte kohë që më orientonte duke më stërvitur me idenë që të konkurroja në garat e meshkujve me pistoletë si në Shqipëri, por edhe në aktivitetet ndërkombëtare.

Afërdita Tusha në garë

Afërdita Tusha në garë

Duke qenë se në garat ekipore kërkohej pjesëmarrje në të gjitha garat që i jepnin pikë ekipit, unë merrja pjesë aktive, ndonëse nuk ishte e lehtë të ndryshosh pistoletat, pasi janë të ndryshme në formë e me kapje të ndryshme.

Ndërsa përzgjedhja e bërë nga trajneri Ali Mata për në Olimpiadë u krye nisur nga rezultatet njëvjeçare të arritura në garat e kontrollit dhe ato zyrtare e ndërkombëtare.

Unë kisha rekordin me 559 pikë me pistoletë MG-50 m, 60 fishekë me 600 pikë të mundshme. Do të konkurroja e vetme midis 100 meshkujve që rregullorja e Olimpiadës e lejonte.

Na përshkruani pak momentin kur u lexua lista…

Kishim kohë që stërviteshim intensivisht në poligonin e Tiranës, një ditë na thirrën në Ministrinë e Arsimit. Ditën që do të lexohej lista pra, kur papritur emri im nuk figuronte. Të dëshpëruar, pa ditur motivin (në vendin tim kishin vendosur një tjetër qitës), të ndodhur para këtij fakti, Ismail Rama më tha: “Afërdita, kërkoje të drejtën”.

Bashkë me burrin shkojmë në Kryeministri për të takuar Adil Çarçanin si Zv/kryeministër që ishte, pasi qeveritarët e tjerë ishin me pushime, por ishte e pamundur. Ndërkohë Ali Mata, i revoltuar dhe i bindur te rezultatet e mia, i ndodhur në zyrën e shefit të Klubit 17 Nëntori, Dhori Hanaxhari, shpërthen: “Pse na i hoqët Afërditën?

Unë jam trajneri dhe kjo duhet të vijë në Mynih se kështu them unë dhe u largua duke përplasur derën”. Ndërkohë Dhori Hanxhari, një njeri shumë i mirë, flet me gruan e tij, e cila kishte njohje me atë të Adil Çarçanit, që do të më ndihmonte në një moment deciziv pak më vonë.

Na informuan se, në orën 13:00, Çarçani çdo ditë shkonte për të ngrënë drekë në shtëpi, të cilën e kishte përballë Piramidës sot. E pritëm dhe kur erdhi ia treguam çështjen: “Po, e kam firmosur listën dhe ju jeni e para.

Shko kërkoje në federatë, pasi nga rezultatet nuk marr vesh”, – na tha, ndërkohë që në shtëpi gruaja e kishte informuar për situatën. Vrapuam në Komitetin e Sportit dhe takuam kryetarin Veis Lelo, që nuk mori përgjegjësinë për ta zgjidhur çështjen, duke na përcjellë sërish te Kryeministria.

Të dëshpëruar dhe pa shpresë, pak ditë më vonë, ndodhemi në sallonin e Kryeministrisë për të kërkuar një takim me Adil Çarçanin, kur një burrë, pasi foli në telefon në praninë tonë me Ministrinë, dëgjuam t’i thoshte “…bëni çfarë të doni, Afërdita do të shkojë patjetër”, – duke na e bërë me shenjë dhe informuar se problemi ishte i mbyllur.

Çasti i parakalimit, Tusha me flamurin dhe kostum kombëtar.

Çasti i parakalimit, Tusha me flamurin dhe kostum kombëtar.

Na tregoni pak historinë me flamurin dhe kostumin kombëtar…

Në ditët në vijim, më njoftuan se nga Komiteti i Sportit ishte vendosur që do të mbaja edhe flamurin në parakalimin hapës, duke qenë e veshur me kostum kombëtar. Për këtë arsye më çuan në Teatrin e Operas dhe më dhanë një kostum të Malësisë së Madhe. Ishte i jashtëzakonshëm, shumë i bukur, nuk më ishte dhënë rasti asnjëherë më parë të shihja një të tillë.

Ma treguan si duhet ta vishja, bëra disa prova dhe e kam veshur vetë para fillimit të parakalimit. Më dhanë edhe disa varëse të verdha shkëlqyese shoqëruese të kostumit. Si kostumin edhe flamurin i mora dhe e kam ruajtur me shumë kujdes atje, pasi ishte shumë i veçantë dhe paraqiste interes.

Kujtoj se kaq shumë tërhoqi vëmendjen sa nga kurioziteti fotografë të shumtë më kanë bërë foto në pafundësi. Qëndruam edhe në ceremoninë mbyllëse dhe kur u kthyem e dorëzova aty ku e mora.

Garat, si u zhvilluan ato?

Garat u zhvilluan në ditët e para të turneut, në një poligon afër Mynihut, Hochbryk. Pa asnjë seancë njohje apo stërvitje, nga hoteli direkt e në poligon. Kisha shumë emocion nisur edhe nga fakti si u zhvilluan ngjarjet për nisjen time, ndërkohë pak kohë më parë isha bërë edhe nënë, me vajzën time të parë.

Pastaj gara e vetme midis meshkujve. Kam garuar me një pistoletë kineze, pasi ato përdornim edhe në Shqipëri. Ndonëse e mobilizuar shumë, me eksperiencë në gara ndërkombëtare, përfaqësimi dhe përgjegjësia në Olimpiadë ishte ndryshe.

Nuk arrita shifrat që pretendoja, ndërkohë që bashkë me mua, por në një grup tjetër, ishte edhe Fatos Pilkati, i cili gjykoj edhe sot arriti rezultat të lartë. Kjo garë u hoq pak më vonë për femrat dhe nuk u lejua pjesëmarrja e tyre në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.

Kujtoj se armët i kishim marrë me vete dhe në avion na i morën duke i sistemuar në një vend të sigurt. Po kështu edhe në Mynih i dorëzuam duke i mbyllur në dollapë armatimi. Ashtu si dhe në Tiranë, ku ishte e ndaluar mbajta e tyre në mjedise publike apo privatisht.

Cili ishte reagimi i shtypit?

Ka qenë i madh, për faktin se një grua nga Shqipëria, e vetme do të konkurronte në garë me djemtë në një disiplinë të vështirë, si ajo e pistoletës. Madje, më kërkuan në intervista, dhe u bënte habi fakti se nuk isha sportiste profesioniste.

“Është specialiste në riparimin e aparaturave dentare, – ishte shpjegimi i Fatos Pilkatit kur përkthente në anglisht”. – Gazetarët habiteshin dhe nuk e besonin se një qitëse me rezultatin 599 pikë, që ishte shifër e lartë për kohën, pretendente për një vend medalje në Olimpiadë, të ishte krejtësisht amatore dhe nga një vend i vogël.

Leje hyrëse për në mjediset sportive gj Afërdita Tusha në garë Lojërave Olimpike

Leje hyrëse për në mjediset sportive gjatë Lojërave Olimpike

Si e përjetuat rekordin e Pampurit?

E kam ndjekur garën në sallë bashkë me sportistët e tjerë, në veçanti momentin kur Pampuri ngriti lart shtangën. Kujtoj se trajneri Zyhdi Mazreka ka qenë vendimtar në rekordin e Ymer Pampurit, pasi duke qenë se Pampuri nuk e ngriti peshën në tentativën e parë, ishte Mazreka që urdhëroi që shtanga të vendosej në shifrën 125 kg, pasi ia njihte forcën, karakterin dhe mundësitë Ymer Pampurit.

Dhe nuk gaboi. E diskutonim këtë fakt kur ishim bashkë të gjithë, sidomos pas rekordit dhe gëzimit që na përshkoi të gjithë ne sportistëve ishte shumë i madh.

Pastaj ceremonia dhe emocion kur dëgjuam himnin. Po sulmin terrorist? Unë e kam ndier nga afër, pasi vilat trekatëshe ku qëndronim ne vajzat ishte pranë atyre meshkuj ku ndodhi tragjedia.

Kujtoj se gjithçka ka filluar pas mesnate, ndonëse në mëngjes kuptuam se diçka kishte ngjarë. Duke mos njohur gjuhën, edhe pse në televizion transmetoheshin pamje, orë më vonë u njoftuam plotësisht për çfarë po ndodhte.

Kur pashë fotot, njoha njërin nga atletët izraelitë, pasi dallohej nga të tjerët për nga modeli i flokëve. Jo unë, por askush nga sportistët nuk mund të imagjinonte se mund të kishte një sulm terrorist në kampin e sportistëve, pasi asnjë shqetësim të tillë nuk pati para dhe gjatë ditëve në vijim. Sidoqoftë, garat vazhduan normalisht, por situata nuk ishte entuziaste.

Pati shpërblim për pjesëmarrje e rezultate?

Përveç atij moral, disa privilegjeve modeste për kohën, kujtoj se nga Mynihu jemi kthyer me një televizor. Ndonëse dieta ishte e vogël, rreth 120 dollarë, në qytet gjatë gjithë periudhës së Olimpiadës në dyqanet e tij, kishin vendosur televizorë bardhezi që transmetonin pa ndërprerje për 24 orë garat për qytetarët.

Një mik kosovar na ofroi mundësinë për të blerë një nga këto televizorë që do të shiteshin në përfundim të aktivitetit. Nuk na krijuan problem në doganë duke na i lejuar t’i merrnim në kthim. Nuk kujtoj të kemi marrë shpërblime, kryesisht në vlera monetare, apo diçka tjetër. 

Në Rio, sërish një femër është mbajtëse flamuri?

Më vjen mirë që kjo traditë ka vijuar me vajza, të cilat kanë një kontribut në sportin shqiptar, në çdo disiplinë sportive, apo jo? Dua të theksoj se jemi ne femrat që jemi ngjitur në podiume, kemi fituar medalje.

Kujtoj këtu Elisabeta Karabollin, Diana Matën, Ermira Dingun, etj., të gjitha rekordmene, kampione, madje edhe në elitën e sportit europian e atij botëror. Më vjen mirë që, pas meje, ka qenë edhe Klodian Shala flamurmbajtëse dhe tani në këtë Olimpiadë Luiza Gega, një vajzë dhe sportiste kurajoze, e shkëlqyer, pasi e kam ndjekur në garat.

Çfarë bën sot Afërdita Tusha?

Prej vitesh jetoj në Itali dhe kohët e fundit jam transferuar në Milano bashkë me familjen, në veçanti duke qëndruar me vajzën. Sidoqoftë, shkoj e vij në Tiranë, pasi kam pjesën tjetër të familjes, miqtë. Jam në pension dhe jetoj në mënyrë modeste në Milano, ndërsa kam një apartament këtu në Tiranë. Nga ajo Olimpiadë ruaj disa kujtime, të cilat i kam arkivuar bashkë me të gjitha rekordet, tituj e medalje që më kanë shoqëruar si qitëse me 30 vite karrierë, me ekipin kombëtar, 17 Nëntorin e Partizanin. Nga Mynihu më ka mbetur një medalje, fletëhyrja në stadium, karta e identitetit dhe disa foto.

Olimpiada “Mynih 1972”,ja shqiptarët që nisën
të shkruajnë historinë

Kur kanë kaluar më shumë se katër de kada, ende sot ajo mbahet dhe kujto het si një ndër Olimpiadat më të famshme të Lojërave Olimpike për mbarë botën sportive, në veçanti për mjedisin shqiptar. Por, cilët ishin pjesëtarët e atij delegacioni historik, rezultatet dhe ku janë sot protagonistët e atij eventi, nga rekordi olimpik dhe medalja e artë e Ymer Pampurit, tek Afërdita Tusha, femra flamurmbajtëse?

Pampuri në çastin e vendosjes së rekordit olimpik

Pampuri në çastin e vendosjes së rekordit olimpik

Cila ishte jehona, si u transmetua dhe komentua nga Skifter Këlliçi në TVSH përfaqësimi në atë konkurrim? Pse dhe si u organizua sulmi terrorist i grupit “Shtatori i Zi” brenda Fshatit Olimpik duke vrarë 11 sportistë? Për të vijuar me rivalitetin sportiv, si olimpiada e rekordeve të notarit fenomenal Mark Spitz, sprintierit Valeri Borzov dhe çastet dramatike në fundlojë midis USA-URSS në basketboll për meshkuj.

Nga Mazreku në “Berlin ’36” në “Mynih ’72”

Olimpiada e vitit 1936, në Berlin, një delegacion sportiv me Anton Mazrekun në krye, Shqipëria është e ftuar nga Komiteti Olimpik i Gjermanisë të jetë e pranishme në këtë aktivitet. Pas 36 vitesh, një tjetër pjesëmarrje e Shqipërisë në Olimpiadë, “Mynih ’72”, me një përfaqësi elite të sportit, kryesisht me qitjen, një sport masiv, dominues e me rezultate për kohën.

Pas tre muajsh përgatitje intensive, më 21 gusht grupi u nis për në Mynih me linjën Tiranë-Budapest-Mynih dhe delegacioni shqiptar përbëhej nga: Xhemal Punavi, zv/Ministër i Arsimit, përgjegjës ekipi, pastaj sportistët: qitësit, Afërdita Tusha, Ismail Rama, Fatos Pilkati, Beqir Kosova dhe peshëngritësi Ymer Pampuri, bashkë me trajnerët Ali Mata dhe Zydi Mazrekun e si gjithmonë edhe një punonjës i sigurimit.

Duke qenë se Punavia fliste frëngjisht, për shoqërimin e grupit ishte caktuar një vajzë gjermane që komunikonte edhe ajo në frëngjisht.

Ndonëse garat e sportistëve shqiptarë përfunduan shpejt, ata qëndruan deri në mbyllje, duke u kthyer më 14 shtator në atdhe. Për të pritur delegacionin kishin dalë Bedri Dedja zv/ Ministri i Arsimit, Mihal Qipo, sekretar i Federatës Sportive të Sporteve të Rënda dhe Qitjes, si dhe një grup pionierësh.

Ceremonia, madhështore për kohën

Janë Lojërat e dyta Olimpike që zhvillohen në Gjermani pas atyre të Berlinit në vitin 1936. Qëllimi i organizimit të tyre ishte për t’i ofruar botës imazhin e një shteti të ri paslufte, demokratik e në zhvillim, duke transmetuar një atmosferë të gëzuar, për të harruar kujtimet e një Gjermanie hitleriane. Simbolet e turneut ishin një diell blu e stilizuar në formën e një spiraleje dhe një “Maskot Valdi” që bëhet i pari simbol zyrtar i një olimpiade.

Parku Olimpik (Olympiapaark), bazuar në idenë e Frei Otto, edhe sot është një pikë referimi për qytetin, ndërsa elementët e tjerë si pishina, një strukturë multifunksionale ishin projekt i arkitektit Gunther Behnich. Më 26 gusht, pasdite, në prani të 84 mijë spektatorëve, në stadiumin e ri olimpik të Mynihut u hapën Lojërat e XX Olimpike (26 gusht-11 shtator).

Në përputhje me traditën, sipas alfabetit gjerman, Greqia – “Griechenland” – parakaloi e para, pastaj “Ägypten”, “Äthiopien”, “Afghanistan” dhe “Albanien” e prirë nga flamuri kuqezi që mbahet prej qitëses Afërdita Tusha e veshur me kostum kombëtar.

Parakaluan gjithsej 132 ekipe mbi 10.000 sportistë dhe, në fund, ekipin e Republikës Federale Gjermane. Në ato ditë u mblodh sesioni i 73-të i CONI-it duke zgjedhur edhe kryetarin e ri, lordin irlandez, Kilanin, i cili zëvendësoi miliarderin amerikan, 85-vjeçarin Everi Brandesh.

Në këtë Olimpiadë nuk u lejua të merrte pjesë Rodezia si vend racist, pas një proteste të më shumë se 39 vendeve jug-afrikane, të cilat e detyruan CONIn të merrte një vendim të tillë.

Afërdita Tusha – Qitëse e Partizanit, 27 vjeçe, (Mjeshtre Sporti, 1967), merr pjesë për herë të parë në një garë olimpike, duke regjistruar rastin unik si e para dhe e fundit femër që konkurron në garë me meshkujt më të mirë të botës në garën me specialitet pistoletën 50m duke rivalizuar qitësit meshkujt më të mirë të botës në këtë disiplinë sportive. Mban rekordin kombëtar të kësaj gare me 599 pikë. Është e treta në baterinë e saj me 94 pikë nga 100 të mundshme.

Afërdita Tusha sot

Afërdita Tusha sot

Fatos Pilkati – Vetëm 20 vjeç, një ndër talentet e kohës, (Mjeshtër Sporti, 1972), për herë të parë në një aktivitet ndërkombëtar të këtij niveli, edhe ky si Tusha në garën me pistoletë 50 m. Sportist i klubit 17 Nëntori, klasifikohet në vendin e 24-t nga 59 pjesëmarrës me 546 pikë, kur rezultati i tij më i mirë ishte 548 pikë. Medaljen e parë të artë në këtë garë e fitoi suedezi 38-vjeçar Ranjar Skanaker me 567 pikë, katër më shumë se rekordi olimpik.

Ismail Rama – 37 vjeç (Mjeshtër i Merituar Sporti, 1963), qitës i klubit “Dajti” në garën me precizon me pushkë të kalibrit të vogël- barkas 50 m me 60 fishekë dhe 600 pikë të mundshme edhe ky për herë të parë në Olimpiadë. Pasi ka thyer rekordin që mbahej nga Shefqet Mata, në vitin 1967 me 595 pikë, siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike dhe renditet në vendin e 22-të nga 101 pjesëmarrës të 58 vendeve me shifrën e lartë 594 pikë, vetëm 5 pikë larg rekordit botëror me 599 pikë, i arritur nga qitësi RDP Koresë.

Beqir Kosova – 23 vjeç, edhe ky i klubit “Dajti”, (Mjeshtër i Merituar Sporti, 1974), konkurron për herë të parë në Olimpiadë, në të njëjtën garë me atë të Ismail Ramës, duke grumbulluar 587 pikë nga 600 të mundshme.

Rekordi olimpik i Pampurit

Ka qenë ditë e martë, 29 gusht, kur Ymer Pampuri (Mjeshtër i Merituar Sporti dhe sportist i klubit “17 Nëntori”) konkurroi në Grupin A që i përfundoi atë ditë garat.

Tri prova: Në të parën kërkoi 120, por dështoi, ndërsa në të dytën 125 kg (që ishte rekord i ri olimpik vendosur në “Tokio 1964” nga japonezi Mijake), Pampuri e kalon me sukses. Prova e tretë, 127.5 kg dhe rekord olimpik! Nurikan provoi në 130 kg pa mundur. Kështu, Ymer Pampuri, i saposhpallur nënkampion i Europës, shpallet kampion olimpik në stilin e forcës.

Agjencia “Associedet Press” do ta komentonte kështu rekordin e ri olimpik të shqiptarit: “Pampuri i Shqipërisë e përmirësoi rekordin olimpik në peshën pupël (deri 60 kg) dy herë brenda 5 minutave me ngritjen e parë 125 dhe pastaj 127.5.

Ngritësit më të mirë të kësaj peshe, duke përshirë edhe kampionin olimpik dhe botëror, Mijake, si dhe kampionin europian Shanidze në garat e grupit ‘B’, nuk arritën ta thyejnë.

Rekordi olimpik dhe medalja e artë iu dha Pampurit, pasi kishte peshën trupore më të lehtë se dy peshëngritës, bullgarë dhe sovjetikë që ngritën të njëjtën peshë në stilin e forcës”. Më vonë, pas Olimpiadës, ky stil u hoq nga garat e peshëngritjes.

Transmetimi televiziv nga Skifter Këlliçi

Para nisjes së delegacionit për në Mynih, ka një urim nga gazeta “Sporti Shqiptar” me titull “Rrugë të mbarë olimpistëve tanë të parë” që i bashkëngjiten intervista të protagonistëve.

Pak muaj më parë, TVSH kishte filluar të transmetonte veprimtaritë sportive ndërkombëtare, kryesisht futbollin. Edhe për Olimpiadën, mikrofoni iu besua gazetarit, publicistit Skifter Këlliçi, i cili, si telekronisti i asaj Olimpiade, kujton: “Ka qenë një çast, kur Todi Lubonja më thirri në zyrë dhe më komunikoi se ishte miratuar nga lart që TVSH të transmetojë Olimpiadën.

Ishte një aktivitet me përmasa gjigante, me 23 lloje sporti dhe 145 gara, një pjesë të të cilave nuk i njihja. Vrapova në Bibliotekën Kombëtare, mora ‘Enciklopedinë Olimpike’, vëllime në italisht si ‘Historia e Sporteve’ dhe në ndihmë më erdhën disa gazeta të përditshme ‘Sovjetski Sport’, ‘Atletika e lehtë’, si dhe lajme sportive të marra nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Më orientuan që të mos lejoheshin të dilnin në ekran sportistë të SHBAsë dhe B. Sovjetik, as edhe ceremonitë e dhënies së medaljeve sportistëve të këtyre vendeve.

Transmetimi do të merrej nga kanalet italiane të RAIt, ndërkohë që hartova një listë me bashkëpunëtorë si Feti Borova, Kreshnik Tartari, gazetarin Napoleon Roshi, publicistin Pirro Naçe. Transmetimi fillonte çdo ditë ora 14:00, për të vazhduar deri në orën 24:00, disa herë edhe në orën 02:00 të mëngjesit.

Në ditën përuruese, ora 16:00, filloi ceremonia hapëse, ndërkohë unë në studio kisha përpara vetëm një mikrofon dhe një kamera. TVSH e transmetoi gjithë programin e RAI-t, pra tërë llojet sportive, duke e ndërprerë vetëm kur ishin edicionet e lajmeve, Revista Televizive e orës 20:00 dhe ndonjë program për fëmijë në mesditë.

Emocion kam pasur kur kanë parakaluar sportistët shqiptarë, momentin kur kam komentuar rekordin Olimpik të Pampurit, që janë të paharrueshme për mua”, përfundon nga Bostoni, ku jeton prej vitesh, rrëfimin e tij Skifter Këlliçi.

Ku janë sot dhe çfarë bëjnë olimpistët shqiptarë të Mynihut?

Ndërsa vitet kalojnë, mbeten po ata, me përjashtim të trajnerit të famshëm legjendë në këtë sport Ali Mata, i cili nuk jeton më, dhe Zyhdi Mazrekut e Xhemal Punavia kanë vite që janë ndarë nga jeta. Ndërsa Afërdita Tusha, Ismail Rama, Beqir Kosova, Fatos Pilkati, Ymer Pampuri gëzojnë shëndet të mirë, ndonëse të shpërndarë në mbarë botën, siç janë edhe 5 rrathët e Lojërave Olimpike.

Afërdita Tusha, në pension, e ndan qëndrimin midis Italisë ku është transferuar prej vitesh me familjen dhe Tiranës; Ismail Rama nuk ka lëvizur, por ka zgjedhur Tiranën pa iu ndarë asaj; Beqir Kosova, në Zvicër, atje jeton prej vitesh, duke ardhur në Tiranë vetëm me raste të veçanta; Fatos Pilkati ka zgjedhur Amerikën, Nju Jorkun, ku punon e jeton bashkë me familjen prej shumë vitesh; Ymer Pampuri, heroi i padiskutueshëm i asaj olimpiade, i papërsëritshëm: në Tiranë e gjen, në pension, ruan kujtimet e atij përfaqësimi, titujt dhe miqtë e kohës, pasi vitet që vijuan në veçanti ato pas ’90-ës, padrejtësisht e kanë lënë jashtë vëmendjes, kur duhet të ishte ndryshe.

Jo vetëm për atë, por edhe të tjerët. Kanë bërë sport dhe janë përballur me kampionë gjigantë të kohës, me privilegjin e një 5-orëshi ose diçka më shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"