MOVIOLA/ Gabime në masë nga arbitrat, penalizohen Kukësi dhe Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 11:00

MOVIOLA/ Gabime në masë nga arbitrat, penalizohen Kukësi dhe Partizani

Gjatë kësaj jave pati disa gabime arbitrare, që ndikuan në fatin e ndeshjeve. Më shumë janë dëmtuar Kukësi dhe Partizani, që u janë mohuar penallti, respektivisht kundër Tiranës dhe Egnatias. Gabime të Feratajt në kryeqytet dhe Allës në Rrogozhinë.

WhatsApp Image 2024-04-14 at 23.28.34 (1)

EGNATIA-PARTIZANI 2-1

Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë), A.Koçiaj (Tiranë), O.Grabova (Fier); VAR: O.Yzeiraj (Patos), AVAR: F.Lata (Durrës)

Ndeshja e drejtuar nga Alla kishte një mori rastesh të dyshimta dhe të interpretueshme. Ka disa momente për penallti, më i diskutueshmi i Skukës, dhe një gol të anuluar për Egnatian.

30’ Shënon Egnatia me Montenegron. Lojtarët e Partizanit protestojnë për faull të Fernandos ndaj Rrapajt gjatë aksionit. Ndërhyrja ka intensitet, por pas saj topin e mbajnë të kuqtë, që finalizojnë aksionin me një goditje drejt portës. Grushton Sherri dhe Fernando mësyn drejt zonës. Rasti rishikohet në VAR, që lë në fuqi gjithçka. Vendim i drejtë, pasi gjyqtari lë avantazhin.

35’ Rrapaj rrëzohet në një duel me Fangajn dhe kërkon penallti. Alla vijon lojën dhe vepron drejt, sepse ndërhyrja më shumë ngjan me një përpjekje të Rrapajt për të fituar një penallti. Kontakti duket se ka nisur pak centimetra jashtë zonës. Në të njëjtin aksion Keko rrëzohet në zonë në një duel me Ndrecën. Lojtarët janë me shpinë nga porta, ka një ndërhyrje të mbrojtësit në duel ajror për topin. Alla vijon lojën.

56’ Sota rrëzohet në zonë pas një përplasjeje në zhvillimet e një goditjeje dënimi. Ka një mbajtje, por më së shumti duket një duel fizik i zakonshëm në të tilla goditje standarde.

59’ Zejnullai bie në tokë në një duel me Buxhelajn dhe reklamon penallti. Pamjet tregojnë se mbrojtësi i ka marrë kohën mesfushorit të Egnatias. Vendim i drejtë.

63’ Skuka rrëzohet në zonë, pas një kontakti me Malotën, në limitet e zonës së 16-metrave. Alla vijon lojën, por e ndal VAR-i për konfirmim të rastit. Pas një shqyrtimi prej një minute e gjysmë nga Yzeiraj, Alla i qëndron vendimit të parë. Pamjet tregojnë për një pengim të Malotës ndaj Skukës dhe duhej dhënë penallti.

67’ Preka prek topin me dorë në zonë, por Alla vijon lojën. Prekja ekziston, por lojtari e bën në rënie e sipër, me dorën mbështetëse.

70’ Montenegro merr topin në duart e Qirkos, pason për Fernandon dhe braziliani realizon. Yzeiraj në VAR ndal gjithçka dhe pas tri minutash dhe sinjalizon Allën të shohë rastin në monitor. Kryesori më pas e anulon vendimin e parë të tij. Pamjet nuk janë të qarta, por mbetet një moment i interpretueshëm.

TIRANA-KUKËSI 1-0

Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), I.Tartaraj, N.Rrapaj (Fier); VAR: E.Rusta, AVAR: S.Dyrmishi (Elbasan)

Në ndeshjen e gjykuar nga Ferataj pati 3 raste për moviolë, ku ai gaboi në njërit prej tyre, duke iu mohuar penallti kuksianëve.

36’ Tirana kërkon penallti për një prekje të topit me dorë të mbrojtësit të Kukësit, Franko Lamçe, pas një gjuajtjeje të Jonuzit. Arbitri Ferataj vazhdon lojën, duke marrë një vendim të drejtë.

45+3’ Kukësi kërkon penallti për një prekje të topit me dorë në zonën e Tiranës nga Hoxhallari. Ferataj nuk jep 11-metërsh, kërkon edhe verifikimin nga VAR-i, që konfirmon vendimin e drejtë të gjyqtarit.

69’ Deliu ndërhyn për të hequr një top që ishte pranë Salamit. Mesfushori i Tiranës, së bashku me topin, godet edhe këmbën e nigerianit, duke bërë një ndërhyrje të parregullt në dinamikën që ishte aksioni. Ferataj, pranë aksionit, bën me shenjë që loja të vazhdojë. Pas një minute ndërhyn VAR-i dhe Ferataj shkon të shohë rastin dhe vendos të vijojë lojën. Ai dukej i pavendosur dhe fillimisht u mendua se do të akordonte 11-metërsh. Vendim i gabuar i Feratajt, është penallti “sade” për ndërhyrjen e parregullt të Deliut në zonë.

SKËNDERBEU-TEUTA 0-1

GJYQTARË: E.Hamiti, R.Çokaj (Lezhë) E.Spahiu (Elbasan); VAR: K.Cjapi (Fier), AVAR: E.Gjoka (Shkodër)

Këtë ndeshje e gjykoi Eldorjan Hamiti, me asistentë Çokajn dhe Spahiun, ndërsa në VAR ishin Cjapi dhe Gjoka. Momenti i vetëm për moviolë ishte penalltia e akorduar në favor të Teutës.

29’ Kros nga këndi i Teutës, me topin që shkon në zonë dhe ndalet në dorën e sulmuesit të Skënderbeut Xhantu. Hamiti vijon lojën, por nga VAR-i e sinjalizojnë që kemi të bëjmë me prekje të topit me dorë. Kryesori rishikon pamjet dhe akordon penallti. Një vendim i saktë, i asistuar nga dhoma e teknologjisë.

DINAMO-ERZENI 2-0

Gjyqtarë: I.Myrtja, J.Podgorica (Shkodër), D.Korreshi (Lushnjë); VAR: A.Doda (Tiranë); AVAR: O.Kuka (Tiranë)

Ndeshja e gjykuar nga Indrit Myrtja nuk pati raste për diskutim. I vetmi moment kontestimi ishte ai i një dyluftimi ajror mes Tahirit de Peposhin, me lojtarin e Erzenit që merr një goditje nga sulmuesi blu. Shijakasit pretendojnë për goditje me bërryl dhe kërkojnë karton të kuq, por ndërhyrja është e paqëllimshme dhe nuk ka asnjë ndëshkim.

VLLAZNIA-LAÇI 1-2

Gjyqtarë: A.Beqiraj (Tiranë), Xh.Mani (Vlorë), G.Cenolli; VAR: K.Bajramaj, AVAR: Mario Shazivari (Tiranë)

Ndeshja e gjykuar nga Beqiraj nuk pati asnjë rast të diskutueshëm për gjyqtarët dhe VAR-in.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"