Motivimi i Shkëmbit: Ndeshja më e vështirë e fazës, kujdes… Nicën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2018 | 11:14

Motivimi i Shkëmbit: Ndeshja më e vështirë e fazës, kujdes… Nicën

Bregdetarët do të udhëtojnë drejt një transferte aspak të lehtë dhe ndaj një kundërshtari që gjithmonë ka rezervuar surpriza në fushën e saj. Teuta do të luajë në Fushë-Krujë ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të përballë Kastriotit, që mban vendin e fundit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Shkëmbi e cilëson si më të vështirën.

shkembi

Sa ka ndikuar te morali i skuadrës barazimi ndaj Partizanit?

Vazhdojmë të kemi të njëjtën uri dhe dëshirë për fitore edhe pas barazimit. Jemi të vetëdijshëm që kemi zhvilluar ndeshje të mirë përballë një kundërshtari të vështirë. Tani ka kaluar, duhet të marrim gjërat pozitive prej tij dhe shohim nga ndeshja e radhës. E vlerësojmë dhe respektojmë Kastriotin, por jemi të përqendruar për maksimumin.

Kastrioti, një kundërshtar i lehtë në letër, çfarë prisni nga takimi?

Nuk e mendoj aspak të lehtë në letër. Ndoshta kështu duket nga jashtë, por në kampionat nuk ka kundërshtarë të lehtë. Për mua është ndeshja më e vështirë e këtij momenti për ne, ndaj një kundërshtari shumë të fortë që ka treguar rritje në javët e fundit. Kanë një trajner që e përgatit shumë mirë ndeshjen, e njeh në imtësi këtë kampionat, ndaj jemi në dijeni që na pret një ndeshje shumë e luftuar dhe vetëm duke dhënë maksimumin tonë mund t’ia dalim që të marrim më të mirën.

Luhet në terren të vështirë. Sa mendoni se do të ndikojë?

Nuk i druhem aspak asgjëje, sepse pavarësisht kushteve, ne hyjmë në fushë për fitore dhe për të dhënë më të mirën. E kemi diskutuar si me stafin, por edhe me lojtarët që na pret një terren i vështirë, por unë respektoj kundërshtarin dhe ajo fushë është e barabartë për të dyja. Ne i kemi marrë të gjitha masat dhe jemi përgatitur për të pasur një rendiment të kënaqshëm gjatë ndeshjes. Teuta ka sulmin dhe golashënuesin më të mirë në kampionat, por prej javësh Latif ka humbur nuhatjen e golit.

t

Pse ka ndodhur kjo?

Unë jam i kënaqur me punën e Latif, pasi si në stërvitje edhe gjatë ndeshjes tregon përkushtim për t’u admiruar. Normalisht, kaloi një dëmtim dhe mendoj që e ka lënë pak mbrapa. Nëse golat nuk kanë ardhur nga ai, te Teuta golat janë shpërndarë te të tjerë futbollistë dhe kjo është pozitive.

Ju e njihni në imtësi grupin dhe dy javë larg merkatos, a keni ndonjë preferencë për të forcuar ndonjë repart në skuadrën tuaj?

Jemi të fokusuar në këto dy ndeshjet e fundit për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe më pas do të shohim për merkato. Mendoj që çdo skuadër ka nevojë për përforcime, por ne do të ndërhyjmë vetëm nëse do gjejmë futbollistë më të mirë se organika që kemi, ndryshe nuk kemi nevojë të afrojmë lojtarë për emër apo numër.

Ndaj Kastriotit, një barazim në këto kushte që ka ardhur kampionati për Teutën, a do ishte hap fals?

Duhet të vazhdojmë të luajmë futboll të bukur për ta fituar ndeshjen. Duhet të luftojmë shumë, duhet të ndërtojmë shumë dhe pastaj analizën e rezultatit apo ndeshjes do ta bëjmë në fund. Unë e theksoj që, gjithmonë ekipi im zbret me kokën lart në fushë dhe me synimin për të fituar ndeshjen.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"