Miqësorja ndaj Leçes, Lushnja rraskapitet në traget

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2017 | 11:52

Miqësorja ndaj Leçes, Lushnja rraskapitet në traget

Pas seancës stërvitore të zhvilluar në fushën e pjesshme të stadiumit “Roza Haxhiu”, lushnjarët janë nisur në drejtim të Durrësit dhe në mbrëmje kanë udhëtuar drejt Italisë me tragetin e linjës Durrës-Bari. Pasi kanë zbritur në portin e Barit, ekipi ka udhëtuar drejt Leçes, atje ku sonte do të luajnë një ndeshje miqësore me skuadrën e trajnerit Roberto Rico.

lushnja

Ndeshja është në program edhe pse italianët pas dy ditësh do të luajë për Kupën e Italisë kundër Pro Verçelin. Takimi nuk ka shfaqur interes dhe sipas zyrës së shtypit të klubit vendës pritet që të ketë një rënie të tifozëve krahasuar me ndeshjen e Kupës së Italisë midis Leçes dhe Çiliverge Macanos. Ai takim, edhe pse u fitua prej Leçes me shifrat 3-0, u ndoq nga 3.200 shikues.

Për ndeshjen e sotme miqësore, klubi italian nuk parashikon më shumë se 500 shikues bazuar në ecurinë e shitjes së biletave. Për sa i përket sektorit ku do të vendosen tifozët e Lushnjës, deri të mërkurën në mbrëmje nuk ka patur kërkesa, por biletaritë do të qëndrojnë të hapura edhe ditën e sotme.

Për lushnjarët kjo është miqësorja e dytë në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ri. Trajneri Bano ka grumbulluar 20 futbollistë për këtë ndeshje testuese. Nga sa bëhet e ditur, pritet që skuadra të zbresë në fushë me këtë formacion: Bejte, Magani, Xhafa, Byzhyti, Mone, Koreshi, Taullau, Branica, Pepa, Canka, Sefa. Sakaq, në dispozicion do të jenë edhe lojtarët si: Spaho, Bitri, Bufasi, R.Dervishi, Ruço, Çela, Meto, Gava dhe Alushi.

Dervishi – 19 futbollistëve që kanë firmosur me klubin verdhejeshil u është shtuar edhe mbrojtësi i linjës së djathtë, Renato Dervishi. 22-vjeçari është shumë pranë firmës me lushnjarët dhe mund të rinovojë kontratën për të qenë zyrtarisht pjesë e Lushnjës.

“Jam shumë pranë rinovimit me skuadrën e Lushnjës. Falënderoj trajnerin Bano për mbështetjen. Besimi që më jepet më obligon për të dhënë maksimumin te skuadra e Lushnjës”, u shpreh futbollisti i linjës së djathtë, Renato Dervishi.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"