Mici, sulm kundër Kukësit. Dervishi: Largohem nëse fiton në FSHF

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 15, 2016 | 11:53

Mici, sulm kundër Kukësit. Dervishi: Largohem nëse fiton në FSHF

Gledi Mici thyen heshtjen dhe shpërthen kundër klubit të Kukësit. Mbrojtësi fierak, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, akuzon presidentin Safet Gjici se po abuzon me emrin e tij. Mici thekson se klubi i ka tjetërsuar kontratën dhe për këtë e ka paditur në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF.

gledi mici

Sipas 25-vjeçarit, karrierën e tij e vendos vetëm ai dhe jo klubi i Kukësit. “Ndihem shumë keq, pasi po shikoj që po abuzohet shumë me emrin tim. Unë jam në të drejtën e Zotit dhe karrierën nuk mund të ma vendosë presidenti i Kukësit, Safet Gjici. Për shkak se ky klub ka bërë një kontratë të padrejtë me mua, unë e kam paditur në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF. Tashmë pres vendimin që të shpallem lojtar i lirë, duke marrë kartonin.

Jam i bindur që e drejta është me mua dhe për karrierën vendos vetëm unë, jo klubi i Kukësit. Nuk ka shanse të bëjnë të tjerë pazare, duke përdorur emrin tim. Ashtu siç dhe jeni në dijeni, unë e kam përfunduar kontratën me klubin më 1 gusht. Kam shkuar në FSHF dhe kam kërkuar të njihem me kontratën që klubi ka paraqitur. Menjëherë më pas kam bërë ankesë dhe besoj se brenda kësaj jave gjithçka do të vendoset.

Gledi Mici

Gledi Mici

Menjëherë sapo të marr kartonin, do të qartësohet edhe e ardhmja ime. E përsëris, e drejta është me mua dhe jo me ato padrejtësi që bën klubi me kontratat”, është shprehur fillimisht mbrojtësi. I pyetur nga gazeta se cili prej ekipeve është më afër shërbimeve të tij, Mici nuk pranoi të përmendte emra, por konfirmoi se ka biseduar me drejtuesit e Skënderbeut, Partizanit, por jo vetëm.

“Po, është e vërtetë që kam folur me disa ekipe. Fakti që klube të njohura interesohen për mua, ky është një vlerësim. Meqë më jepet rasti, dua t’i falënderoj të gjitha skuadrat që më kanë bërë ofertë në këtë periudhë. Nuk mund të them tani se cila skuadër është më afër apo më larg, më mirëkuptoni”, përfundoi Mici. Ndërkohë, deri pak ditë më parë Partizani ka qenë më pranë marrëveshjes me mbrojtësin, ndërsa pas negociatave të fundit mes drejtuesve të Kukësit dhe Skënderbeut, korçarët janë një hap para.

Dritan Dervishi

Dritan Dervishi

Dervishi

Drejtori i Kukësit, Dritan Dervishi, paralajmëron dorëheqjen nëse DHZK i jep të drejtë Micit për kontratën. “Mici është lojtar i Kukësit, ka një kontratë të rregullt dhe duhet ta zbatojë atë. Dhoma e Zgjidhjeve të Konflikteve, nëse do ta pranojë rastin e Micit dhe aq më keq, nëse do t’i japë të drejtë, atëherë do të jetë një precedent mjaft i rëndë, si për klubin tonë, ashtu edhe për të tjerët. Nëse ndodh ky skenar, atëherë unë do të jap dorëheqjen në shenjë proteste si drejtor i përgjithshëm i Kukësit”, deklaroi Dervishi për gazetën.

SKERDILAID SULOZEQI






www.minuta90.com