“Mici”/ Reagon Gjici: Nuk ia vlen ta mbajmë në ekip, është në shitje

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 15, 2016 | 19:59

“Mici”/ Reagon Gjici: Nuk ia vlen ta mbajmë në ekip, është në shitje

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, replikon pas deklaratës së mbrojtësit Gledi Mici. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, kreu i klubit theksoi se ka vendosur ta nxjerrë në shitje lojtarin.

Foto arkiv, Safet Gjici

Foto arkiv, Safet Gjici

Gjithashtu, ai bëri të ditur se të ardhmen e Micit e ka në dorë vetëm klubi i Kukësit, në një kohë që lojtari pretendon të kundërtën.

“Mici është nën kontratë me klubin e Kukësit. Të ardhmen e tij e ka në dorë vetëm klubi ynë, gjithnjë sa i përket kartonit që zotërojmë.

Ai është një futbollist që nuk ia vlen ta mbajmë më në skuadër. Në këto kushte, kemi vendosur ta shesim. Kush të jetë i interesuar për të, do të negociojmë. Këtë çështje ia kam deleguar drejtorit Dritan Dervishi dhe ai po merret me të”, ka thënë Gjici për mbrojtësin Gledi Mici.

Ndërkohë, krisjet e para mes lojtarit dhe kreut të klubit kanë nisur që pas ndeshjes së parë në “Elbasan Arena” kundër Rudarit. Mici shkaktoi një penallti dhe Gjici e kritikoi ashpër një ditë më pas.

Që prej asaj dite, mbrojtësi e kishte mbledhur mendjen se do të largohej nga Kukësi, mirëpo ishte i bindur se kontrata e tij përfundonte. Ndërsa në klub konfirmojnë se Mici ka edhe dy vite të tjera kontratë, pasi ka pasur një klauzolë që i rinovohej automatikisht me mbylljen e këtij sezoni.

Tashmë kjo çështje do të zgjidhet vetëm në FSHF, në një kohë që të dyja palët nuk kanë gjetur konsensus për kontratën. Kapiteni Pas largimit të Renato Malotës, Kukësi ende nuk ka zyrtarizuar kapitenin e ri. I pyetur për këtë çështje, Gjici sqaroi se si do të procedohet, duke vendosur edhe kriteret që duhet të përmbushë kapiteni i ri i Kukësit.

“Këtë çështje do ta zgjidhim kur unë të shkoj në Ohër. Do ta shikojmë me kujdes dhe mund të them se do ta mbaj ai lojtar që e meriton dhe ka dhënë më shumë për Kukësin.

Gjithashtu, një tjetër kriter është ndershmëria”, ka sqaruar presidenti i Kukësit, i cili nuk ka pranuar të përmendë emra lojtarësh kandidatë potencialë për shiritin e kapitenit.

Gjithsesi, gazeta mëson se favoritët janë mbrojtësi Ylli Shameti dhe mesfushori Besar Musolli. Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim, teksa nuk përjashtohet ndonjë surprizë.

S.Sulozeqi





www.minuta90.com