Mesfushori i Elbasanit: Na kënaq vetëm trepikëshi me Bylisin, rivalët s’na trembin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 10:25

Mesfushori i Elbasanit: Na kënaq vetëm trepikëshi me Bylisin, rivalët s’na trembin

Elbasani luan sot një finale në Ballsh, ku për herë të parë do të ketë mundësinë të jenë në krye. Mjafton të fitojnë ndaj Bylisit, edhe pse nuk i pret një shëtitje.

421269086_1298335974281463_8243433018524622236_n

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj ndeshjeje, mesfushori Arsen Kasa shprehet se Elbasani nuk kënaqet me barazimin, por do hyjë për të fituar. Sa i përket fitoreve të rivalëve, Kasa thekson se u intereson vetëm puna e tyre.

Kasa, si e prisni ndeshjen me Bylisin?

Vijmë me një moral të lartë në këtë takim dhe synimi është fitorja. Përballë janë kryesuesit dhe normalisht nuk do të jetë e lehtë, por si gjithnjë do të hyjmë për të marrë më të mirën dhe kryesimin.

Do ju kënaqte një pikë në Ballsh?

Jo, ne luajmë vetëm për të fituar. Është një ndeshje që do t’i bëjmë hyzmetin për të dalë me maksimumin e mundshëm dhe jam i bindur që ekipi ynë i ka të gjitha mundësitë.

Një fitore ju ngjit në krye, ndërsa humbja praktikisht ju largon shumë. Sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ecurinë?

Është një ndeshje e rëndësishme, se luajnë dy kryesueset. Mirëpo, nuk mendoj se me këtë 90-minutësh vendoset gjithçka. Është edhe një fazë për t’u luajtur, ndaj nuk kemi presion. Ne duam të fitojmë për të treguar veten tonë dhe të bëjmë detyrën si në çdo ndeshje.

Rivalët poshtë Elbasanit kanë fituar. Ju vë nën presion ky fakt?

Jo, jo. Nuk mendojmë aspak për rivalët. Shohim veten tonë. Për fat të mirë, fatet e këtij kampionati janë të gjitha në dorën tonë. Rivalët normalisht i respektojmë dhe ata do të bëjnë punën e tyre.

Në Ballsh priten shumë tifozë nga Elbasani. Keni një mesazh për ta?

Është bukur kur i ke në krah tifozët, jo vetëm në fushën tënde, por edhe në transfertë. Një meritë të madhe për rezultatet e mira që kemi marrë është edhe e atyre, sepse janë një motiv më shumë për ne në fushë. Shpresoj dhe jam i bindur që nuk do t’i zhgënjejmë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"