Mehidri: Vllaznia e përmbys Erzenin, dua tifozë sa në “klasike”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 11:12

Mehidri: Vllaznia e përmbys Erzenin, dua tifozë sa në “klasike”

Pasi mbrojti portën e Korabit për disa sezone, Jurgen Mehidri po luan sezonin e parë me Vllazninë.

mehidri

Portieri 26- vjeçar është aktivizuar në 7 ndeshje këtë kampionat me kuqeblutë, ndërsa ishte titullar në klasiken e fituar me Tiranën. Gjithsesi, në prag të ndeshjes me Erzenin për Kupë, portieri i shkodranëve ka dhënë një prononcim për “Panorama Sport”, duke u shprehur se Vllaznia i ka të gjitha shanset për të përmbysur atë humbje 1-2 me shijakasit në Rrogozhinë.

Mehidri, luani një sfidë të rëndësishme, ku kërkohet kualifikimi në gjysmëfinale…

Një sfidë shumë e rëndësishme. Ne do të japim maksimumin që të kthejmë rezultatin e takimit të parë me Erzenin. Besoj se do të dalim me një rezultat pozitiv dhe të kualifikohemi për raundin tjetër.

Duhen dy gola diferencë, a do të jetë në gjendje Vllaznia ta arrijë një gjë të tillë?

Mendoj se në të gjithë aspektet jemi shumë mirë dhe do të arrijmë që ta kthejmë rezultatin.

Në kampionat situata duket pozitive, e prisnit një ecuri të tillë të ekipit?

Situata është shumë pozitive. Shpresoj që të vijojmë kështu. Kemi një qetësi në ekip dhe shpresoj që të bëjmë gjithçka për më të mirën e mundshme.

Po e shfrytëzoni në mënyrën më të mirë të mundshme momentin tuaj, keni luajtur 7 ndeshje si titullar…

Jam shumë i lumtur këtu. Po bëj më të mirën për Vllazninë. Mundësitë që do të më jepen, do t’i shfrytëzoj në maksimum.

Sa po e shijoni këtë eksperiencë me kuqeblutë?

Normalisht që po e shijoj dhe ndihem shumë mirë te Vllaznia. Besoj se do të bëjë më të mirën time këtu.

Kundër Tiranës pamë shumë tifozë në stadium, prisni një mbështetje të njëjtë edhe kundër Erzenit?

Unë shpresoj që të jenë sërish sa më shumë tifozë. Ata janë mbështetja jonë më e madhe.

A. URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"