“Më vjen keq për Tomorin”, Polizoi Arbri: Flamurtari i mungon elitës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2024 | 10:14

“Më vjen keq për Tomorin”, Polizoi Arbri: Flamurtari i mungon elitës

Polizoi Arbri vihet në vështirësi, kur e pyet se kë do të mbështeste në ndeshjen e sotme mes Flamurtarit dhe Tomorit. Ai e di mirë që skuadra e vendlindjes, edhe sikur të fitojë në Vlorë, nuk shpëton. Rreth 9 vite më parë Arbri mbronte ngjyrat e Flamurtarit dhe nostalgjinë nuk e fsheh. Keqardhje ka për kuqezinjtë që gjenden në Kategorinë e Parë, por edhe për Tomorin që po shkon në të Dytën. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, 35-vjeçari flet për të dyja këto skuadra tradite në futbollin shqiptar.

polizoi arbri

Arbri sot luhet Flamurtari-Tomori, me kë doje të ishe në fushë nëse do të luaje?

Për mua të dy ekipet kanë vend të veçantë dhe nuk mund t’i veçoj. Tomori është ekipi, ku u formova si futbollist, ndërsa Flamurtari, ekipi ku kam fituar Kupën e Shqipërisë dhe kam marrë pjesë me të në Ligën e Europës. I vlerësoj të dy klubet për historinë që kanë në futbollin shqiptar dhe për traditën dhe brezat që kanë nxjerrë.

Flamurtari aktualisht në Kategorinë e Parë, të vjen keq?

Kujt nuk do t’i vinte keq që një emër i madh si Flamurtari të jetë në Kategorinë e Parë. Edhe mua si një ish-futbollist i kësaj skuadre, patjetër që më vjen shumë keq. Por realitetin nuk e kthejmë dot. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’i urojmë suksese Flamurtarit dhe të ngjitet sa më shpejt në Superiore. I mungon elitës së futbollit shqiptar.

Duket se “Play off”-i mbetet shpresa për ngjitjen. Sa mendoni se janë mundësitë?

Mundësitë Flamurtari i ka të mëdha. Skuadra ka lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë të madhe, që dinë t’i zgjidhin ndeshjet. Duhet pak profesionalizëm që nuk i mungon, por edhe kujdes, pasi këto janë ndeshje vendimtare.

Tomori zbret në Kategorinë e Dytë, si ndiheni?

Keqardhje e madhe. Tomori nuk e meriton të jetë aty, sepse i ka dhënë futbollit në Shqipëri. Keqardhje e madhe!

Eqerem Memushi është trajner i Flamurtarit ndërsa ka drejtuar më parë edhe Tomorin…

Profesor Eqeremin e njoh personalisht. Është një figurë e nderuar në Vlorë dhe në Shqipëri. Ka bërë mirë në çdo skuadër që ka qenë dhe aktualisht te Flamurtari ka futur grintën vlonjate që i mungonte prej vitesh kësaj skuadre.

Keni nostalgji për Vlorën?

Te Flamurtari kam kaluar vitet më të mira të karrierës sime dhe normalisht që ndiej një farë nostalgjie.

Me çfarë merreni aktualisht?

Aktualisht vazhdoj të merrem po me futbollin. Kam një miniakademi, duke filluar që nga mosha 6-vjeçare dhe deri te 15-vjeçarët. Me këta të fundit dola kampion.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"