Mbrojtja në “shënjestër”, trajneri Gvozdenoviç nuk kursen kritikat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 23:23

Mbrojtja në “shënjestër”, trajneri Gvozdenoviç nuk kursen kritikat

Pas humbjes me Dinamon në Korçë te Skënderbeu është koha për reflektim mbi atë që ndodhi në ndeshjen e së martës. Normalisht që pasi kanë analizuar me kujdes ndeshjen e fundit, stafi bardhekuq ka dalë në konkluzionet e pasaktësive dhe shpërdorimeve në ndeshjen e fundit.

Ivan Gvozdenovic

Këto përfundime shërbyen më pas edhe për t’i vënë në praktikë në mënyrën se si duhet të rregullohen dhe zgjidhen. Pikërisht ditën e djeshme në seancën stërvitore, trajneri Ivan Gvozdenoviç ka mbajtur ekipin në pjesën më të madhe të seancës duke punuar në dy fazat e lojës. Pësimi i dy golave në përgjumjen e mbrojtjes ishte kambanë alarmi për ishmbrojtësin e Skënderbeut, tani në pozicionin e trajnerit.

Pikërisht për këtë ai i ka kërkuar ekipit që të jetë më i përqendruar në harkimet drejt zonës. “Te goli i parë është e pafalshme që të ndëshkohemi nga një harkim me topin në një flurudhë prej 40 metrash distancë. Është totalisht mungesë përqendrimi. Nuk kemi pse të hutohemi ashtu në momente të tilla, që mund të zgjidhen shumë thjesht.

Mjafton të flisni më shumë mes repartit dhe gjithçka mënjanohet më lehtë”, mësohet t’i jetë drejtuar ekipit trajneri Gvozdenoviç veç këshillave të tjera. Në lidhje me problemet defensive të shfaqura në ndeshjet e fundit, trajneri ka punuar veçanërisht në organizimin e prapavijës gjatë harkimeve në zonë dhe goditjeve standarde, për të kërkuar më shumë saktësi dhe efikasitet nga mbrojtësit.

Gvozdenovic

SULMI – Një tjetër repart që duket se duhet rregulluar diçka është edhe sulmi. Edhe pse këtë herë Nikaj gjeti rrugën e rrjetës, përsëri numri një i pankinës korçare nuk është i kënaqur me bashkëveprimin e sulmuesve. Të prirur nga veprimet individuale, ofensiva e korçarëve bëhet më e lexueshme dhe e ngadaltë. Këtë ka evidentuar edhe dje trajneri serb, që nuk ka hezituar t’ua kërkojë me forcë lojtarëve të tij të bashkëveprojnë më shumë me njëri-tjetrin.

“Individualitetet janë deri diku të pranueshme, por me limit të caktuar dhe në momente të caktuara. Bashkëveprimi në sulm do të na japë më shumë cilësi, por do të rrisë edhe vlerat tuaja si lojtarë. Për këtë të jeni të sigurt. Shkojmë më thjesht te goli nëse veprojmë në grup dhe kjo është ajo që unë dua të shoh”, iu drejtua veç të tjerash lojtarëve të tij trajneri i Skënderbeut. Në ndeshjen e radhës kundër Tiranës, korçarët do të kërkojnë të rikthehen te fitorja pas katër javësh “ngecje”. Në katër betejat e fundit Skënderbeu ka marrë vetëm një pikë pas tri humbjesh dhe një barazimi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"