Mbrojtësi Përndreca: Lojtarët e rinj, baza e suksesit të klubit të Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 16:07

Mbrojtësi Përndreca: Lojtarët e rinj, baza e suksesit të klubit të Bylisit

Bylisi ka afruar shumë lojtarë të perspektivës, të cilët kanë spikatur më parë me ekipet kuqezi të moshave. Një ndër ta është edhe Fabjan Përndreca, i cili së fundmi ka qenë i grumbulluar me Kombëtaren U-19. Ai ka luajtur me skuadrën e parë, por është titullar i padiskutueshëm me U-19 dhe U-21 të Bylisit.

fabjan perndreca bylis

Përndreca shihet si një lojtar me të ardhme, ndërsa thekson dhe ka besim se skuadra do të ngjitet në Superiore. Për “Panorama Sport” ai theksoi se ndjehet i privilegjuar që ka debutuar që në moshën 17-vjeçare me skuadrën e parë mallakastriote dhe që vesh fanellën kuqezi. “Në Ballsh kam ardhur verën e shkuar, sepse më bindi projekti i klubit me moshat, të cilat kanë pretendime. Por, edhe për faktin se këtu mund të luajnë në Superiore, sepse Bylisi është një ekip që luan gjithmonë për t’u ngjitur në elitë.

Madje, këtu jemi shumë lojtarë nga rrethet që luajmë me U-19 dhe U-21, por që kemi luajtur edhe me skuadrën e parë. Unë jam i kënaqur dhe shpresoj të ecim sa më mirë në kampionat si skuadra e parë, ashtu edhe U-21 dhe U-19. Synojmë që të shpallemi kampionë jo vetëm me ekipin e parë, por edhe me U-21 dhe U-19. Në këtë klub bëhet një punë e mirë me futbollin, ndërsa kjo është një nga arsyet që unë jam në Ballsh si pjesë e Bylisit.

Dua që të luaj sa më shumë edhe me Kombëtaren U-19, ku së fundmi shënova edhe gol. Shpresoj që me punë të luaj në elitën e futbollit shqiptar dhe të ngjis shkallët edhe me fanellën kuqezi”, tha Fabjan Përndreca, anësori i majtë i Bylisit.

ERION SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"