Mbledhje urgjente tek Flamurtari, Idrizi kritika lojtarëve: Kthesë urgjente, ose…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2021 | 8:55

Mbledhje urgjente tek Flamurtari, Idrizi kritika lojtarëve: Kthesë urgjente, ose…

Sinan Idrizi i ka bërë për “ujë të ftohtë” të tijtë. Mbyllja në mënyrën më të keqe të mundshme e fazës së dytë dhe përfundimi në zonën “play out” e ka detyruar kreun e klubit që dje të zhvillonte një mbledhje urgjente me ekipin. E ndërsa u kujton se çdo gjë ka limit, administratori ka bërë një krahasim me moshën e lojtarëve aktualë të Flamurtarit dhe atyre që kanë bërë histori.

Sinan Idrizi

“E kuptoni ku jeni katandisur? Nuk dua që të fyej asnjë ekip, por të rriheni në Vlorë nga ekipe të rangut të dytë dhe të tretë, kjo është e pafalshme. Më turp se kaq nuk ka! Ka limit çdo gjë! Ankoheshin më parë se nuk ka vlonjatë në ekip. Ja tani ku jeni ju, por çfarë po bëni, mund të më thoni? Klubi ka përgjegjësinë e vet, por ju keni më shumë përgjegjësi për këtë situatë të krijuar. Nuk ka ku të shkojë më, çdo gjë e ka një limit. Unë tani do të jem një radikal ekstrem me ju.

Nuk ka kuptim më kjo situatë. Jeni 19- 20-vjeçarë. E dini çfarë do të thotë kjo mosha? E dini ju se çfarë bënte Sokol Kushta, Vasil Ruci, Alfred Ferko në moshën tuaj? Shkoni në shtëpi e lexoni. Pasi humbisni brenda në Vlorë, shkoni në shtëpi sikur nuk ka ndodhur gjë. Nuk ndieni fare përgjegjësi. Ose ndryshoni dhe bëhuni më të përgjegjshëm, ose do marr unë masa pastaj”, mësohet t’u jetë drejtuar Idrizi futbollistëve, që e ka konfirmuar mbajtjen e kësaj mbledhjeje edhe për “Panorama Sport”: “Sot (dje) zhvilluam një mbledhje me skuadrën. Jam shumë i pakënaqur nga lojtarët. Janë katandisur si mos më keq. Duhet kthesa urgjente ose në të kundërt, do të ketë masa ndëshkuese”.

PANKINA – Administratori ndalet edhe te pankina. Janë lakuar disa emra për trajnerin e ri, megjithatë ai ka vendosur që t’i besojë portugezit Rui Sampaio deri në fund të këtij sezonit. Por, gjithsesi, çdo gjë do të varet nga rezultatet e ndeshjeve në vijim. “Deri në fund të sezonit, trajner do të jetë portugezi Sampaio. Megjithatë, çdo gjë do të varet nga rezultatet e ndeshjeve të mbetura. Ato do të jenë vendimtare. Asgjë nuk është e sigurt, as sa i takon stolit. Nëse në takimet e mbetura nuk do të ketë rezultate, atëherë masat do të jenë drastike për të gjithë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"