Masimiliano Alegri bën gjyqet, para sfidës me Lacion në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 22:06

Masimiliano Alegri bën gjyqet, para sfidës me Lacion në Kupë

Pas pjesës së parë do të kisha dashur t’i hiqja të gjithë nga fusha, përfshirë këtu edhe veten time”. Ishte ky reagimi i ashpër i Masimiliano Alegrit, pas barazimit në Kaljari, lidhur me paraqitjen më shumë sesa të dobët në pjesën e parë në Sardenjë. Kaq i revoltuar në një konferencë për shtyp 56-vjeçari nuk ishte parë ndonjëherë, të paktën në aventurën e tij te Juventusi.

alegri

Trajneri bardhezi për më shumë nuk ka dashur që të ndalet në emra të përveçëm pas ndeshjes së shëmtuar, edhe pse në pjesën e dytë një reagim të fortë pati, por kuptohet qartë edhe nga zëvendësimet e tij se ndoshta fajtorët, ose ata që nuk ishin në nivelin e duhur lanë shpejt fushën. Alkaraz, i cili asnjëherë nuk gjeti pozicionin e duhur la fushën pas 45 minutash. Ueah, për të cilin Alegri u ndal edhe në konferencë (“Besoja te Ueah, pasi di të sulmojë thellësinë, por nuk e bëmë asnjëherë”) la fushën në të 68-ën. Në pjesën e dytë, Adrien Rabio, nuk fitoi asnjë përplasje fizike dhe Alegri shkelmonte çdo gjë që i dilte përpara nga nervozizmi, ndonëse në mungesë të alternativave ishte i detyruar që ta mbante deri në fund francezin.

Ndërsa në fund, shpërthimi ishte maksimal, kur Milik nuk mbylli një pasim të shkurtër me Vlahoviçin, që ia kërkoi atë lëvizje, me Maksin që u kthye nga stoli duke ulëritur: “Duhet të prisje aksionin, çfarë bëjnë këta?!”. Por asgjë nuk përfundoi në fushë, sepse në dhomat e zhveshjes gjyqi vazhdoi. Ulërimat nga dhomat e zhveshjes ishin të pafundme, të ashpra, me tone të egra, kjo ndoshta e justifikuar edhe nga fakti se ai po rrezikon stolin, teksa lojtarët e tij vazhdojnë që të mos e dëgjojnë dhe mos e ndihmojnë situatën e tij. Dhe mbase pikërisht për këtë arsye, Alegri, pavarësisht fjalëve të Xhuntolit se mund ta konfirmonte, “Konti Maks” duket se e ka vendosur vetë që të heqë dorë në fund të sezonit, por të paktën kërkon të largohet duke fituar Kupën e Italisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"