Martini: Edhe një lagje në Shkodër e rikthen Vllazninë në Superiore, po humbim indetitetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2018 | 22:45

Martini: Edhe një lagje në Shkodër e rikthen Vllazninë në Superiore, po humbim indetitetin

“Bota është e rrumbullakët Partizan! Jeta vazhdon!” Ish-lojtari i njohur i Vllaznisë, Edi Martini, është shprehur shumë i zhgënjyer pas ndeshjeve të djeshme ku Vllaznia ra zyrtarisht në Kategorinë e Parë. Pas takimeve, një prej futbollistëve që ka lënë gjurmë me atë fanellë ka shprehur gjithçka në intervistën e tij për gazetën “Panorama Sport”.

edi-martini
Si e përjetuat rënien e Vllaznisë?

Si kam për ta përjetuar, si çdo shkodran tjetër. Shumë keq. Nuk mendoj se ka shkodran që është gëzuar. Si shumica e shkodranëve, unë nuk ndihem aspak mirë. Është e pabesueshme. Nuk e kisha menduar se mund të vinte një ditë e tillë për futbollin shkodran. Ama dua të them se çfarë kemi mbjellë tash 7 vite, kemi korrur këtë vit. Vonoi, por erdhi kjo ditë e zezë.

Çfarë do të thotë kjo për ju?

Prej 7 vitesh, Vllaznia është kthyer në një ekip partie, një ekip politike në Shkodër që kush pa pasur nevojë për të e ka përdorur si ka dashur. E kanë marrë, e kanë lënë, kanë bërë çfarë kanë dashur. Ata që drejtojnë Vllazninë nuk e dinë se çfarë drejtojnë realisht. Kujtojnë se është komunalja apo ndonjë ndërmarrje e bordit të kullimit ose ku di unë se me çfarë e ngatërrojnë. Nuk e dinë se gjithë ndërmarrjet që kanë bashkë nuk e zëvendësojnë kurrë emrin e Vllaznisë.

Çfarë mesazhi keni marrë me rënien e Vllaznisë?

Unë do thosha ashtu siç e kam thënë, më mirë një fund me dhimbje sesa një dhimbje pafund. U bënë 7 vite që përjetojmë vetëm dhimbje. Më mirë ta qajmë një herë e më pas ta çojmë në këmbë dhe Vllaznia të bëhet tamam si duhet të bëhet e jo të jetë një ekip i nëpërkëmbur dhe një ekip mëshire.

Keni besim se mund të ringrihet Vllaznia?

Unë them se një lagje të Shkodrës, po ta fusësh të luajnë futboll, Vllaznia e ka të sigurt se ringrehet menjëherë. Futbolli në Shkodër është fe. Një lagje e Shkodrës e nxjerr në Superligë sërish Vllazninë, e padiskutueshme.

edi martini

E keni menduar në një moment kohën kur ju dolët kampionë për ta krahasuar me atë që ndodhi sot. Çfarë ju vjen në mendje?

Ne jemi gëzuar për Vllazninë edhe vitin e kaluar kur shpëtoi nga rënia prej Superligës. U derdhën lot gëzimi vetëm se shpëtoi Vllaznia, imagjino çfarë është bërë kur kemi dalë kampionë. Na është bërë rutinë kjo gjendja e Vllaznisë, njësoj si një trup i sëmurë. Ne kemi filluar të mos e njohim më kush jemi, kemi filluar të mos e njohim më Vllaznisë, të mos e dimë se kush jemi. Po humbim identitetin.

Në kohën tuaj, nëse Vllaznia do diskutohej për mbijetesë, çfarë do të thoshte, si do përjetohej?

As që nuk bëhej fjalë. Në kohën time dhe të brezave të shumë viteve më përpara, Vllaznia ka qenë ekipi që ka rivalizuar në gjithë kampionatin shqiptar, ekipi që ka fituar edhe trofe, ekipi që ka prodhuar futbollistë të mëdhenj. Ne e kemi pasur suksesin në xhep dhe as që bëhej fjalë se Vllaznia do ishte gjithnjë në vendet e nderit në renditje. As në ëndrrat më të këqija, atëherë nuk e mendoja Vllazninë një Kategori më poshtë.

Martini

As nuk imagjinohej, jo më të diskutohej. Ne një ndeshje humbnim dhe fshiheshim një muaj se na vinte turp nga tifozët, por edhe nga vetja. Nuk ishte thjesht lojë sportive, por edhe sedër, moral. Mbushej stadiumi me mbi 12 mijë tifozë. I gjithë qytetit derdhej në stadium. Ishin kohë tjera.

A mendoni se ka pasur keqmenaxhim apo edhe abuzim me Vllazninë në këto 7 vite?

Që nga java e parë e këtij kampionati dhe deri tani në javën e fundit dhe po ashtu për 7 vite me radhë nuk ka pasur asgjë tjetër veçse keqmenaxhim dhe abuzim ndaj Vllaznisë. Që nga momenti kur e mori bashkia në dorë ka vetëm një histori, keqmenaxhim. Vllaznia nuk ishte gjë tjetër, veçse xhaketë për t’u hedhur në krahët e tyre që e drejtuan.

S.Nikshiqi

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"