Marcelo Troisi nuk i ndahet Flamurtarit, afrimi i fundit i vlonjatëve mban “firmën” e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2023 | 15:43

Marcelo Troisi nuk i ndahet Flamurtarit, afrimi i fundit i vlonjatëve mban “firmën” e tij

Flamurtari godet në merkato. Matheus Indio da Cunha Gomes është futbollisti i radhës që ka nënshkruar me kuqezinjtë. Braziliani zbarkoi në Vlorë për të arritur akordin. I lindur në Rio de Zhaneiro më 28 shkurt 1996, 27- vjeçari luan në pozicionin natyral si mesfushor qendre dhe krahu, teksa mund të luajë edhe si sulmues.

Matheus indio

“Panorama Sport” mëson se braziliani ka firmosur në Vlorë një kontratë 1- vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Ai ka luajtur për shumë skuadra në kampionatin brazilian e portugez, ndërkohë që ka provuar të luajë edhe në Oman me skuadrën e Al-Nasrit. Pavarësisht se të huajt janë të paktë në skuadër këtë sezon, Flamurtari nuk mund që ta fshehë “dashurinë” për brazilianët. Me Matheus Indio vlonjatët janë drejt fundit të merkatos, por mund të mos mungojë as ndonjë surprizë e fundit nga drejtuesit e klubit. Gazeta zbulon se 27- vjeçari është një zgjedhje e klubit, si dhuratë për Çelën, që pas nënshkrimit të kontratës është nisur në drejtim të Korçës për t’iu bashkuar skuadrës dhe vendosur nën urdhrat e trajnerit memaliot.

KARRIERA – Me Flamurtarin është hera e parë që do të luajë në Shqipëri. Por Matheus Indio Gomes ka një karrierë për t’u admiruar të ndarë me së shumti mes Brazilit dhe Portugalisë. Karrierën e ka nisur padyshim në vendlindje në sezonin 2013-2016, teksa është aktivizuar me Vasco da Gama. Më pas është zhvendosur në Portugali, ku fillimisht ka mbajtur veshur fanellën e GD Estoril Praia në sezonin 2016-2018. Më pas transferohet te Boavista FC dhe rikthehet përsëri në sezonin 2019-2020 te GD Estoril Praia. Një sezon më vonë Matheus Indio do të luante sërish në Brazil, ku do të firmoste me Cruzeiro, Botafogo FC. Do të provonte edhe një eksperiencë në Oman, ku në vitet 2021-2022 do të luante për Al-Nasr SC. Sezonin e fundit përpara se të transferohej në Vlorë, Gomes do ta mbyllte në Brazil tek Ipatinga FC.

DORA E TROISIT – Pavarësisht largimit nga pankina sezonin e kaluar për mungesë të rezultateve dhe pasi nuk arriti të ngjiste Flamurtarin në Superiore, klubi i beson përsëri trajnerit Marcelo Trosi. “Panorama Sport” zbulon se Matheus Indio da Cunha Gomes është sjellë te Flamurtari nga ish-trajneri brazilian. Në fakt një gjë të tillë gazeta e paralajmëroi në numrin e djeshëm dhe vizita e Troisit në Vlorë nuk ka rezultuar “thatë”. Pavarësisht se Troisi u përpoq që në prononcimin e tij ta anashkalonte qëllimin kryesor, braziliani tha se ishte në Vlorë për punë për projektin e akademisë. Ai nuk pranoi që është menaxher i Flamurtarit, porse ndihmon Sinan Idrizin, të cilin e cilëson si mik.

Gomes është lojtari i dytë që vjen nga Trosi te kuqezinjtë pas Estefanos. Në fakt marrëdhënia mes ish-trajnerit brazilian dhe klubit vlonjat, duket se është “dashuri dhe urrejtje”, pasi nuk kanë munguar as polemikat, por gjithsesi fakt është se Sinan Idrizi nuk e ka humbur kurrë besimin te Troisi, që e ka ulur në stolin e Flamurtarit për dy sezone, në Superiore dhe në Kategorinë e Parë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"