“Luzi është shembull për tu ndjekur”, portieri i Besës: Fitorja do të më gëzonte më pak se me ndonjë ekip tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2022 | 17:16

“Luzi është shembull për tu ndjekur”, portieri i Besës: Fitorja do të më gëzonte më pak se me ndonjë ekip tjetër

Nuk e kishin menduar asnjëherë kavajasit se një ditë do të rreshtoheshin përballë Luzit 2008 në të njëjtën kategori. Por, tani nga kjo përballje i ndajnë vetëm 24 orë. Takimi do të zhvillohet nesër në orën 14:00 në Peqin dhe nëse për lojtarë si Onuh, Ntepe, Sulovari, Reçi, Ramilli dhe të tjerë është thjesht një ndeshje që duhet fituar, për kavajasit Perja, Dobjani e Hoxha është një tjetër ndjesi. Portieri Ilir Dobjani e shpreh më së miri këtë dhe nuk i fsheh emocionet para sfidës me Luzin.

dobjani

“Nëse ka një klub që bëri të pamundurën dhe ia doli vetëm me investimet e veta, ky është Luzi 2008. Nuk do të ishte e tepërt të thoja, se është shembull për t’u ndjekur. Ne kavajasit me dhjetëra herë vjet, por edhe më herët kemi udhëtuar drejt Luzit për ta ndjekur, përkrahur dhe kemi brohoritur për këtë ekip. Janë të shumtë futbollistët kavajas që kanë luajtur me atë fanellë dhe pas Besës ishte Luzi ekipi që ndiqnim. Nuk e mohoj se as që kisha besuar se një ditë Luzi 2008 do të bëhej rivali ynë në fushë. Kjo, jo se nuk besoja në arritjet e tyre, por mendoja Besën në Superiore pa mundësi sfidash. Do të përjetojmë emocione të veçanta gjatë ndeshjes në Peqin”, ka thënë fillimisht Dobjani.

Por, përtej çdo emocioni, portieri i Besës flet për objektivin e kësaj sfide.

“Sigurisht që fitorja me Luzin do të më gëzonte më pak se me ndonjë ekip tjetër dhe nuk e di si do festoja, por në pozicionin që jemi, synimi ynë mbetet vetëm trepikëshi. Nuk do të jetë e lehtë, pasi ata vërtet kanë ndërtuar një ekip simpatik. Duhet të gjejmë mënyra për t’u motivuar për këtë përballje, që në fund ta fitojmë”, përfundoi numri një i Besës.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"