Lushnja plot optimizëm, e “blinduar” përballë Himarës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2012 | 13:37

Lushnja plot optimizëm, e “blinduar” përballë Himarës

Lushnja do të luajë nesër takimin e radhës në kampionat, sfidën ndaj Himarës, ekip që renditet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit. Edhe pse një ndeshje e cila në pamje të parë konsiderohet e lehtë, myzeqarët janë të përgatitur në maksimum për të marrë fitoren dhe për të thelluar edhe më shumë diferencën me ndjekësit më të afërt në tabelën e klasifikimit. Fakti që kundërshtari do të luajë një takim të rëndësishëm për të ardhmen e tij, kjo mund t’i vështirësojë më shumë gjërat për të besuarit e Banos, të cilët mund të përballen me ndonjë surprizë të papritur.
Canka – Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi kryesor i skuadrës së Lushnjës, Mikel Canka, kërkon maksimumin nga të gjithë shokët e ekipit në një takim kaq delikat. “Jemi duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për takimin e nesërm që kemi me ekipin e Himarës. Kundërshtarin e vlerësojmë shumë, pasi ka një ekip të mirë e ndaj për të mundur ata ne duhet të japim maksimumin në fushën e lojës, pasi një gabim për ne do të ishte fatal. Himara në javët e fundit ka bërë surpriza, teksa ka rrëmbyer pikë, gjë që ka treguar se kanë vlera. Ndaj ne duhet të bëjmë më të mirën në fushë për të mos u përballur me ndonjë surprizë të pakëndshme”, u shpreh sulmuesi. Ndërkohë në Lushnjë të gjithë besojnë te fitorja, por edhe të rikthimi i Cankës te goli. “Ne do të hyjmë në këtë takim vetëm me një objektiv, që është marrja e pikëve të plota. Nuk kemi më kohë që të lëmë pikë ashtu siç kemi bërë në javët e para, të cilat na kanë mbajtur në të njëjtin pozicion me ekipet rivale”, ka përfunduar Canka.
Armand Nezha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"