“Lushnja e kap ‘play off’-in, të tregohemi më të pjekur”, Canka: Në janar vijnë golat, transfertat defekt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2023 | 17:13

“Lushnja e kap ‘play off’-in, të tregohemi më të pjekur”, Canka: Në janar vijnë golat, transfertat defekt

Mikel Canka fut në “skaner” Lush njën. E pranon që skuadra ka bërë gabime, por të ardhmen nuk e sheh zi. Mendon që janë të gjitha shanset për të kapur zonën “play off”, por pret që të ndryshohet diçka në mentalitet. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, flet edhe për veten dhe atë dëmtim që e la jashtë për plot 12 ndeshje.

Canka

Ka që prej javës së katërt që nuk luan, por paralajmëron se janari do ta gjejë në 100%-shin e tij. 36-vjeçari është rikuperuar në fakt, madje në ndeshjet e fundit ka qenë i gatshëm edhe në pankinë, por fushën ende nuk e ka shkelur. “Unë jam 100% gati. Rikuperimi zgjati shumë, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Nuk mund të rrezikoja, edhe pse më ‘hanë këmbët’. Tani shpresoj të vazhdoj aty ku e lashë: te golat. Dua të shënoj rregullisht”, tha sulmuesi, që numëron vetëm 315 minuta në këtë kampionat.

GABIMET – Sulmuesi flet për pjesën e parë të sezonit. Thekson se eksperienca nuk i mungon grupit, por një lloj “sms”-je ua jep shokëve të ekipit. “Pjesa e parë e sezonit ishte me disa luhatje. E nisëm pak keq kampionatin. Bëmë gabime, që na kanë pas edhe me pikë. Ajo që shkoi, nuk mund të zhbëhet më. Por, ne kemi në dorë diçka tjetër.

Ekipi duhet përgatitur, që 2024- ën të paktën ta nisim ndryshe. Kemi lojtarë me eksperiencë në ekip dhe kjo nuk mund të mohohet. Çështja është që duhet të shtohet besimi. Nuk duhet te kenë besim vetëm në ndeshjet brenda, por edhe në transferta. Një ekip që pretendon duhet të tregojnë pjekuri dhe aftësitë në çdo fushë”, shtoi kapiteni.

KTHESA – E ka një “formulë” për kthesën dhe nuk ngurron që ta rrëfejë. “Për të qenë më lart në renditje, nuk duhet të pajtohemi vetëm me fitoret në shtëpinë tonë. Ky ekip ka cilësi brenda, por duhet ta tregojnë këtë kudo. Mundësitë ishin për më shumë në këto 16 javë të para, por shanset për të rikuperuar janë. Synimi do të jetë për t’u pozicionuar mes 6 më të mirave, është real. Kemi mundësi që të konkurrojnë denjësisht. Thjesht duhet mentalitet fituesi. Lojtarët të jenë kërkues ndaj vetes fillimisht. Kështu vijnë rezultatet dhe rrjedhimisht arrihen objektivat”, deklaroi autori i tre golave për Lushnjën.

ALBAN ALUSHI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"