“Lumë” ofertash për Pedron & CO, drejtori i Egnatias sqaron situatën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2022 | 22:15

“Lumë” ofertash për Pedron & CO, drejtori i Egnatias sqaron situatën

Tek Egnatia e sezonit të fundit shkëlqyen disa lojtarë dhe veçanërisht sulmuesi Pedro Augusto, i cili shënoi 10 gola në kampionat. Mirëpo, krahas tij spikati edhe braziliani tjetër, Xhekson Kenio, si dhe mesfushori ganez, Mikael Agbekpornu.

pedro augusto

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sulmuesin kongolez, Dzon Delarxh, i cili vetëm pak ditë më parë rinovoi kontratën me Egnatian. Mirëpo, në këtë periudhë, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Egnatia-Korabi, në drejtim të lojtarëve të huaj të rrogozhinasve kanë vërshuar ofertat nga ekipet e Superiores, por jo vetëm.

Sipas drejtorit të klubit, Klejdi Zenelaj, i cili përgatit çdo marrëveshje tek Egnatia, konfirmohet se të gjithë të huajt janë edhe për një sezon nën kontratë me klubin rrogozhinas. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai thekson se u ka mbaruar kontrata vetëm qendërmbrojtësit Gëzim Krasniqi dhe mbrojtësit të majtë, Ilir Allmuça. Për lojtarët që kanë mbajtur shiritin e kapitenit të ekipit në këtë sezon, nuk ka diçka të sigurt për qëndrimin në Rrogozhinë. Shanset janë që Krasniqi të largohet, ndërsa edhe Allmuça ka oferta.

 REAGIMI

“Është e pritshme që, ashtu si Egnatia, edhe klubet e tjera të kenë preferencat e tyre për futbollistë të veçantë, për t’i afruar në këtë periudhë merkatoje. Pavarësisht se Egnatia mbijetoi me ndeshje shtesë me Korabin, shumë nga lojtarët tanë bënë paraqitje mjaft dinjitoze, duke tërhequr vëmendjen e menaxherëve dhe trajnerëve të ndryshëm.

Si klub jemi në dijeni të emrave të veçantë që direkt ose indirektë janë joshur për t’i marrë, por dua të sqaroj se aktualisht tek Egnatia u ka përfunduar kontrata vetëm Krasniqit dhe Allmuçës. Të gjithë futbollistët e tjerë janë nën kontratë me klubin për dy deri në tri vite. Meqë sulmuesi Delarxh do të shkonte pranë familjes, gjykuam të mbyllnim marrëveshjen me të.

Me këtë rast, në emër të presidentit, dua të saktësojë se Pedro, Xhekson, Agbekpornu dhe Delarxh janë në pronësinë tonë edhe për disa vite”, ka thënë drejtori i klubit, Zenelaj. Sa u përket afrimeve të mundshme, ai bëri të ditur se klubi po vijon kontaktet me tre futbollistë cilësorë, me të cilët pritet të arrihet marrëveshja. Gjithsesi, për emra konkretë në klub janë të rezervuar.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"