Luhet për 20 milionë lekë, Çani: E dua edhe këtë trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 17:15

Luhet për 20 milionë lekë, Çani: E dua edhe këtë trofe

Pasi siguruan ngjitjen, te Vora duan edhe kupën. Sot në “Niko Dovana” do të luhet një finale për prestigj, por edhe për parà. Kupa e Kategorisë së Dytë vlen 20 milionë lekë, ndaj edhe vorakët do bëjnë çmos që ta marrin. Trajneri Gerald Çani shfaqet optimist para këtij 90-minutëshi me Tomorin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai skanon me detaje ecurinë e këtij sezoni.

Vora kampione

Një tjetër sukses i Vorës nën drejtimin tuaj. E ngjitët sërish në Kategorinë e Parë…

Fillimisht dua të falënderoj çunat për besimin, sakrificat dhe përkushtimin që kanë treguar gjatë gjithë sezonit. Vora e ka vendin në Kategorinë e Parë, ku do të qëndrojë gjatë.

Ku qëndron forca e këtij ekipi?

Forca e Vorës është grupi. Dhe kur një ekip punon me përkushtim, normalisht rezultatet do të vijnë. Që në fillim nuk e kemi diskutuar asnjëherë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ishte i vetmi objektiv yni.

Mbyllët fazën e dytë pa humbje. Kjo erdhi se nuk kishit rivalë?

Nuk është e vërtetë se nuk kishim rivalë. Kategoria e Dytë ka një konkurrencë të madhe dhe mos harroni që kishim ekipe si Luzi, Partizani B apo Sopoti. Të gjitha kanë treguar forca, por Vora ishte një shkallë më lart se të tjerat.

Nesër (sot) luhet edhe finalja e Kategorisë së Dytë. Do ketë forca Vora që të marrë trofeun përballë Tomorit?

Është një ndeshje prestigji. Tomori është një kundërshtar me histori, që meriton respekt. Ata janë të pozicionuar në vendin e parë. Por edhe ne nuk mbetemi pas, them se do ta bëjmë tonën edhe këtë kupë.

Çfarë planesh keni për sezonin e ri?

E gjithë vëmendja është përqendruar te finalja me Tomorin, e më pas do të mendohet për të ardhmen. Mendoj se 50-60 për qind e grupit aktual do të ruhet. Por, ndërkohë do të bëjmë edhe merkato.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"