“Loja nuk ka lënë shije të mirë”, Idrizi vendos kushte për stafin dhe lojtarët: Dua garanci për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2023 | 20:17

“Loja nuk ka lënë shije të mirë”, Idrizi vendos kushte për stafin dhe lojtarët: Dua garanci për Superioren

“Kush e ndien se mund të vazhdojë këtë rrugëtim, të vazhdojë, në të kundërt të hapë krahun”. Ky është mesazhi i qartë dhe i prerë që jep Sinan Idrizi, pak ditë përpara nisjes së kampionatit për futbollistët dhe stafin teknik të Flamurtarit. Duket më i vendosur se kurrë që masat t’i ndërmarrë që në start, e jo gjatë sezonit.

SINAN IDRIZI

Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, administratori nuk fsheh pakënaqësitë ndaj skuadrës, teksa thotë se ndeshjet miqësore nuk kanë lënë shije të mirë. Në Vlorë nuk ka më durim, ndaj numri një i klubit kërkon garanci për elitën.

Jemi në prag të startit të sezonit. Si e keni parë skuadrën në këtë fazë përgatitore?
Ndeshjet miqësore që ka luajtur Flamurtari, unë nuk i kam parë. Nuk kam pasur mundësi në fakt, për shkak të angazhimeve të tjera. Por nga komentet që kam dëgjuar nga njerëzit, nuk kanë lënë ndonjë shije të mirë.

Çfarë doni të thoni me këtë?
Trajnerët kanë punuar me seriozitet dhe më janë dukur seriozë, por problemi është shija. Për shijen kemi që vjet që po flasim. Mund të jesh kuzhinier i mirë, por mund të kesh hundët e zëna dhe nuk e ndien çfarë ke gatuar. Këtu është gjithë problemi. Njerëzit tani nuk durojnë dot më, duan Flamurtarin në Superiore. Nuk jam kursyer dhe nuk kursehem, por…

I keni plotësuar çdo kërkesë në merkato stafit?
Skuadra është forcuar. Kanë marrë të gjithë ata që kanë dashur. Është kohë përgatitore dhe nuk duhet t’i rëndojmë shumë me komente, sidoqoftë. Kanë bëre një fazë normale, pjesën tjetër pastaj do ta shikojmë. Është koha e kuzhinës tashmë që të na shërbejë.

Në fakt, vjet kuzhina ju zhgënjeu, apo jo?
Po, po. Vitin e kaluar kuzhina ka pasur një kualitet të mrekullueshëm të lëndës së parë. Por në fund fare bukëpjekësi na solli bukën e djegur në tavolinë. Kurse kuzhinierit i kërkuam makarona aldente, na i bëri të ziera shumë…

Keni një mesazh për stafin teknik dhe lojtarët?
Lojtarët dhe stafi teknik duhet të kuptojnë një gjë. Nuk ka më pikë durimi për Superioren në Vlorë. Ne jemi në pikën e vlimit tani. Nuk ka asgjë të keqe fare t’u bësh një thirrje miqësore. Kush e ndien që mund të vazhdojë këtë rrugëtim, të vazhdojë. Në të kundërt, të hapë krahun. Nuk ka më pritshmëri kjo, nuk ka më justifikim. Nuk ka më çfarë të justifikohesh. Nuk ka më argument justifikimi. Kanë marrë çfarë kanë dashur, kanë marrë si i kanë dashur. Në fund fare pastaj nuk kanë dalë aty me një frazë e të na thonë ‘na fal se gabuam’. Nuk ka më shanse!

U keni dhënë parapagim lojtarëve edhe këtë sezon, mos jeni treguar pak më zemërgjerë sesa duhet?
Mos t’u hyjmë këtyre historive. Kam një problem me zemërgjerësinë. Ne kërkojmë me padurim të ngjisim ekipin. Pjesa që tregohemi të paduruar pastaj, na krijon gabime në koncept. Kur unë them herë pas here që jemi klub amator, fus veten. Në krye të këtij amatorizmi qëndroj unë. Nuk kemi profilizuar një klub që të jetë me strukturë profesioniste.

Si do të ishte, sipas jush, një strukturë profesionale?
Do të thotë që një klub merkaton e verës 2023-2024, duhet ta kishte bërë 6 muaj përpara. Ky është qëllimi im final, që të kem një klub, i cili di se çfarë bën në të gjitha drejtimet. Kam kohë që këmbëngul te pjesa e investimeve në terren dhe infrastrukturë. Nuk është problemi i parave që po harxhojmë. Ato do t’i harxhojmë, por problemi është që të kemi një ide në futboll.

U druheni “pazareve” jashtë fushës?
Të shpresojmë që këtë vit, faktorët subjektivë nuk do të jenë ata që të vendosin se kush do të hyjë e kush do të dalë. Por, le t’ia lëmë fushës. Për pjesën tjetër pastaj, kam pritshmëri të larta. Qoftë nga trajnerët dhe stafi.

Buxheti i këtij viti shkon në dy milionë euro, shumë më i lartë se një vit më parë?
Buxheti këtë vit është më i lartë nga ai i vitit të kaluar, në shifra totale, por edhe sa u përket lojtarëve të afruar. Problemi është që nuk është njësi matëse kjo. Tani presim të gjithë çfarë do të na servirë skuadra.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"