Lëviz Milan, gati shkëmbimi Bendtner-Mekses

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:48

Lëviz Milan, gati shkëmbimi Bendtner-Mekses

Situata në shtëpinë e Milanit nuk është e qetë. Humbja e thellë kundër Realit të Madridit 5-1, ka lënë një shije të hidhur në kampin kuqezi. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, sipas “Corriere dello Sport” tani në shtëpinë e “Djallit” ka plasur edhe një tjetër çështje, ajo e Filip Mekses. Ka qenë trajneri i kombëtares franceze, Didier Deshamps, i cili përballë mikrofonave të “Bel Sport”, ka zbuluar se mbrojtësi francez nuk ka një raport të mirë me drejtuesit e rrugës “Turati”: Di që po kalon një moment të vështirë te klubi i tij, ndaj dhe e ardhmja e tij te kuqezinjtë nuk është e sigurt”. Mbrojtësi francez e ka ndërprerë grumbullimin me skuadrën në Amerikë, duke u kthyer më 3 gusht në Itali, për të qëndruar pranë së shoqes, e cila i solli në jetë vajzën e dytë Stelën. Tani francezi, sipas “Corriere dello Sport”, mund të përdoret si mall shkëmbimi për blerjen e ndonjë sulmuesi, i cili është objektivi kryesor i merkatos së Milanit, pas blerjes së Zapatës. Sipas kësaj të përditshme, drejtuesit e klubit të “Djallit” po mendojnë ta shkëmbejnë mbrojtësin e tyre të pakënaqur me sulmuesin e Arsenalit, Niklas Bendtner. Faktikisht, trajneri i “topçinjve”, Arsen Venger, ka një simpati të madhe për mbrojtësin francez. Aq sa me të dëgjuar për pakënaqësitë e futbollistit ka qenë i pari që u ka telefonuar drejtuesve të Milanit, për t’u matur pulsin. Nuk dihet nëse të dyja palët kanë rënë dakord për këtë shkëmbim, megjithëse një gjë është e sigurt, se si klubi i “Djallit” dhe ai i “topçinjve” të Londrës po e mendojnë mirë këtë ide. Përveç Arsenalit, Mekses ka shtuar oreksin e klubeve të tjera franceze si Lion apo Marseja, të cilat edhe ato si Arsenali mësohen t’ua kenë paraqitur ofertën e tyre drejtuesve të rrugës “Turati” me anë të një faksi.
Përgatiti: PARID AGOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"