Legjenda e Flamurtarit shmang polemikat. Idrizi e thumboi, Kushta: Pa koment, ne ëndërrojmë… 101? 102?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2024 | 13:50

Legjenda e Flamurtarit shmang polemikat. Idrizi e thumboi, Kushta: Pa koment, ne ëndërrojmë… 101? 102?

Sokol Kushta nuk “përplaset” me Sinan Idrizin. Legjenda e futbollit vlonjat nuk pranon që të komentojë deklaratën e fundit të presidentit të klubit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Kushta thekson se nuk ka asnjë koment.

kushta idrizi

Një përgjigje jo të drejtpërdrejtë e dha, teksa për Idrizin thotë që të vijojë punën e tij. Ish-futbollisti i shquar i uron njëkohësisht edhe shëndet presidentit të klubit Sinan Idrizi. “Nuk kam asnjë koment për të bërë. Le të vazhdojë punët e tij dhe shëndet të ketë. Nuk kam përgjigje… Nuk kam lidhje fare me çfarë shkruani ju dhe nuk di çfarë kërkoni”, u shpreh Kushta pasi u kontaktua për të dhënë një reagim ndaj deklaratës së Idrizit.

THUMBIMI NË FACEBOOK – Gati 15 minuta pasi gazeta e kontaktoi dhe ai nuk preferonte që të jepte një përgjigje të prerë, Sokol Kushta është “përgjigjur” në rrjetet sociale. Me finesë dhe me “thumbim” i kthen “reston” Sinan Idrizit përmes “Facebook”-ut. Kushta publikoi disa foto kur ai luante për Flamurtarin. Diçiturën e statusit dhe fotove i lidhi me përvjetorin e klubit, që më 23 mars mbushi 101 vite. Kushta ngre pyetje, që me sa duket lidhet me vitin kur Flamurtari do të ngjitet në Superiore, ndërsa gjithçka e cilëson ëndërrim. “Pa komente…Ne ëndërrojmë…101? 102? 103?”, shprehet Kushta.

kushta postim

 

ÇFARË THA IDRIZI – Në numrin e djeshëm të “Panorama Sport”, Sinan Idrizi u shpreh: “Gjëja që realisht më plogështon dhe më mërzit është mosreagimi qytetar i anëtarëve të Këshillit Bashkiak, sidomos i atyre që vijnë nga sporti. Ata reagojnë vetëm në fund të qershorit kur është koha që bëjnë kërkesën e radhës për ta shtyrë edhe një vit kontratën, për të ndihmuar bashkinë nga rëndesa e taksave. Nëse këtë vit ata nuk do të kishin ndihmën time për Flamurtarin, të jeni të sigurt se Bashkia e Vlorës do ta kishte zero mundësinë e investimit në qytet. Sot çuditërisht nuk ndihen. Unë jam fans i madh i Sokol Kushtës, por ai nuk flet. Nuk flet pas ndeshjes me Elbasanin, për organizimin e garës. Thotë pse duhet të flas unë. Ti duhet të flasësh sepse ti je etaloni i Vlorës. Je ai që na ke nderuar. Fanella jote është me peshë të jashtëzakonshme. Unë jam thjesht një financues i klubit. Kurse ti je një emër i qytetit. Emri yt është më i madh nga të gjithë emrat tanë. Nuk duhet të heshtësh, larg qoftë të themi për arsye meskine. Mund të bëjë një marrëveshje shumë të mirë me FSHF-në, mund të bëjë investime. Është problemi i tij çfarë bën me FSHF-në. Madje do të jetë një gjë shumë e bukur. Unë jam nga të parët që them, që nëse më krijohet mundësia edhe mua, mund të hyjë në rolin e investitorit pa kërkuar aksione te projekti ‘Kushta Center Sport’, nuk e di është një diçka e tillë. Kjo është një marrëdhënie shumë e mirë që Koli mund të ndërtojë me federatën. Por kjo nuk do të thotë që ti me emrin që ke krijuar te Flamurtari të heshtësh”.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"