Latif bën me krahë Teutën: Titulli është i mundur, por na duhet që të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2018 | 16:34

Latif bën me krahë Teutën: Titulli është i mundur, por na duhet që të…

Dhjetë javë pa humbje, shtatë fitore dhe tri barazime dhe Teuta për herë të parë në këtë sezon dhe pas shumë vitesh “fle” në vendin e dytë të kampionatit me vetëm katër pikë më pak se Partizani kryesues. Në ndeshjen e fundit përballë Kastriotit erdhi fitorja e shtatë në harkun e dy muajve.

Edhe pse me shumë vështirësi për sa i përket terrenit, Teuta ia doli të dhurojë spektakël dhe poker golash. Në një intervistë për “Panorama Sport”, njëri prej protagonistëve dhe golashënuesi i Superiores, Amadu Latif, flet për kënaqësinë e atij trepikëshi dhe pretendimin për titull nga skuadra bregdetare.

latif turtulli

Teuta arrin të fitojë sërish. E prisnit një fitore aq të thellë?

Normalisht, kishim punuar për takimin me Kastriotin dhe e kishim përgatitur në imtësi. Hymë për ta fituar. Kishim besim dhe vinim me moralin e duhur përballë Kastriotit. Të them të drejtën, e prisja fitoren. Jo aq të thellë, por nuk e diskutonim aspak trepikëshin.

Terreni nuk ishte shumë i përshtatshëm…

Nuk ishte aspak terreni i duhur dhe kjo ishte disi e vështirë, për të gjithë ne, por në fund ia dolëm kundër çdo vështirësie. Një fushë e tillë nuk të lejon të shprehesh shumë, por në fund nuk duhet të ketë justifikime dhe ne bëmë atë që duhet bërë. Në çdo ndeshje po tregojmë karakterin e fortë që kemi.

Për herë të parë në këtë sezon në vendin e dytë?

Absolutisht që jemi të gjithë të gëzuar dhe të lumtur. Nuk jemi akoma të kënaqur, sepse duam të shkojmë akoma dhe më lart. Me punë dhe përkushtim kemi treguar se arrihet gjithçka.

Pas një mungese u rikthyet te goli. A është goli i kthesës suaj?

Në ndeshjen përballë Kukësit unë pësova një dëmtim në kavilje që nuk është i lehtë të kalohet. Kam luajtur dhe në ndeshjet e tjera me pak dhimbje. Akoma nuk jam në 100% dhe nuk mund ta konsideroj si mungesë, por gjithsesi jam i lumtur që shënova dhe që gjeta rrugën e rrjetës. Dje barazuat rekordin e sezonit të kaluar, 9 gola… E thashë, normalisht jam i lumtur që shënova dhe nuk është çështje rekordi personal. Dua të them që jam gjithmonë në dispozicion të ekipit, pra nuk kanë rëndësi shifrat personale, por ato të ekipit janë parësore. Golat janë çështje fati dhe për çdo të tillë do të falënderoj Zotin, siç kam bërë deri tani.

Kjo skuadër është për titullin kampion?

Personalisht, mendoj që Teuta e meriton të jetë aty ku është dhe gjithashtu meriton të jetë në vendin e parë të kampionatit. Asnjë skuadër nuk ka bërë si ne deri tani. Është ëndrra ime dhe besoj e të gjithëve të fitojmë titullin këtë edicion. Jemi të vetëdijshëm që në futboll asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk të dhurohet, por fitohet e meritohet. Ne punojmë çdo ditë, të fokusuar që fatet tona t’i kemi ne në dorë. Jam i bindur se kjo skuadër do jetë surpriza e këtij kampionati në fund.

Jemi afër merkatos dimërore, a është Teuta trampolinë për ju?

Unë kam një kontratë me këtë klub dhe i përkas Teutës. Ndoshta është herët për të folur për diçka të tillë. Gjithsesi, futbolli rezervon surpriza dhe e ardhmja asnjëherë nuk dihet. Këtu jam i lumtur dhe shoh vetëm përpara për të bërë sa më mirë me Teutën.

Dhjetë javë pa humbje, përballë Laçit a është detyrim fitorja?

Ne çdo takim hyjmë për të fituar dhe Laçi nuk bën përjashtim aspak. Ecuria jonë nuk na bën aspak euforik, përkundrazi na jep motivim për të punuar më shumë, për të testuar limitet tona dhe për të bërë akoma më mirë. Ka gjithmonë vend për përmirësim. Pa dyshim, përballë Laçit duam të fitojmë, e normalisht për këtë duhet të punojmë fort. Me pak fat jam i bindur se do t’u japim tifozëve dhuratën më të bukur për këto festa. Duam ta mbyllim me fitore dhe në vendin e dytë.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"