Lala: Kaçe nuk jep maksimumin, Kombëtaren duhet ta meritojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2016 | 23:47

Lala: Kaçe nuk jep maksimumin, Kombëtaren duhet ta meritojë

Në vazhdim të intervistës për “Panorama Sport”, Altin lala ndalet te çështja “Kaçe”. Sipas tij, mesfushori nuk jep maksimumin në stërvitjet me Kombëtaren, ndaj duhet të punojë fort që ta meritojë vendin e titullarit.

Lala beson se trajnerit nuk i ka ikur skuadra nga duart, ndërsa pritshmëritë e larta nga tifozët shkaktojnë situata të padëshiruara kur kuqezinjtë nuk ecin siç duhet.

De-Biazi-Lala-etj-ne-stolin-e-kombetares

Flasim pak për mesfushën, repart që ju e njihni më mirë se kushdo. Në opinionin publik perceptohet ideja që De Biazi pëlqen më shumë lojtarët me “muskuj” sesa ata që janë të zgjuar…

Njerëzit mund të mendojnë gjithçka, por De Biazi kërkon gjithmonë një skuadër të disiplinuar dhe taktikisht perfekte. Ai punon shumë për këtë. Në futboll, sulmi nis nga mbrojtja dhe për këtë nuk ka dyshime. Nuk është e vërtetë që luan vetëm me futbollistë me muskuj, por ka edhe nga ata që dinë ta luajnë mirë topin. Memushaj, Xhaka dhe Kukeli janë të tre lojtarë shumë cilësorë në pasim. Pas një humbjeje të tillë mund të thuash gjithçka, por ekipi ka bërë mirë.

Keni një koment për çështjen “Kaçe”? De Biazi tha se e la jashtë për arsye teknike. Ju ndoshta e njihni më mirë lojtarin dhe trajnerin.

Është e vërtetë që Kaçe është një lojtar shumë i mirë dhe ka talent të padiskutueshëm. Në këtë pikë jemi të gjithë dakord. Mirëpo, ka një problem, që Kaçe nuk stërvitet maksimalisht edhe në përgatitjet e Kombëtares. Kur e sheh duket sikur e ka sjellë dikush me zor në Kombëtare. Ai e di që De Biazi është shumë kërkues dhe nuk mjaftohet vetëm me atë që një lojtar bën në ekipin e tij. Kaçe duhet të punojë shumë dhe t’i japë gaz në ato ditë grumbullimi për të treguar se meriton formacionin.

Duhet ta pranojmë të gjithë që trajneri është ai që merr vendimet dhe nuk merr mundimin të ndryshojë për t’u bërë qejfin lojtarëve. Duhen lojtarët të shkojnë në anën e trajnerit. Ai ka zgjedhje të shumta dhe mund t’i zëvendësojë të gjithë lojtarët.

Sipas kësaj, Kaçe i ka dyert e mbyllura në Kombëtare?

Ndoshta do ta gjejnë gjuhën e përbashkët dhe mund të kthehet sërish. Pastaj, De Biazi nuk do të qëndrojë edhe për 10 vite në Kombëtare. Megjithëse, çfarë nuk ndodh (qesh). Dua të them që në futboll të gjithë e kanë të detyruar vrapimin. Vetëm 3 lojtarë mund të përjashtohen nga kjo gjë në ditët e sotme, Ronaldo, Mesi dhe Ibrahimoviç.

kace3

Çfarë ndodh me futbollistët e Kombëtares. Më parë thoshim që nuk ka problem që nuk luajnë me ekipet e tyre, sepse me Shqipërinë japin maksimumin. Tani po luajnë shumë me ekipet e tyre…

Fakti që lojtarët luajnë me skuadrat e tyre është shumë pozitiv, sepse u jep atyre minuta të vlefshme në këmbë dhe të jenë sa më mirë fizikisht kur vijnë në Kombëtare. Më bëhet qejfi që lojtarët po aktivizohen shumë.

Këto dy ditë qarkullojnë zëra se De Biazit i ka ikur ekipi nga duart…

Nuk e mendoj, madje nuk dua ta besoj diçka të tillë. De Biazi dhe këta futbollistë arritën të bënin realitet një ëndërr shumë të madhe duke shkuar në Europian. Nuk mund ta “nxijmë” direkt ecurinë e Kombëtares dhe të trajnerit për shkak të këtyre humbjeve. Nuk besoj se ka thyerje të brendshme. Thyerjet mund të kuptohen nga disiplina që ka skuadra në fushë dhe këtë e them me bindje: Shqipëria është shumë e disiplinuar.

Mendoni edhe ju si Aliaj, që me De Biazin në kohën tuaj mund të kishit rezultate më të mira?

Kjo është shumë hipotetike dhe nuk mund të përgjigjem duke imagjinuar situata. Është njëlloj sikur të themi nëse Maradona do të luante sot futboll, Argjentina do të fitonte Kupën e Botës dhe nuk do të vuante kaq shumë. Nuk e themi dot. Ndoshta Aliaj ka të drejtë kur thotë që ne ishim një grup futbollistësh me shumë kualitet, edhe pse nuk ishim të shumtë në numër. Ditët e sotme ka shumë lojtarë shqiptarë dhe alternativa. Nëse ne do të kishim më shumë organizim dhe të ishim më të disiplinuar në fushën e lojës, mund të kishim rezultate më pozitive.

Meqë po krahasojmë dy epoka të ndryshme të Kombëtares, si duket ekipi i këtyre eliminatoreve në krahasim me atë të kaluarin?

Situatat janë shumë të ndryshme. Ekipi i eliminatoreve të shkuara ishte shumë i motivuar për të realizuar një ëndërr dhe ia arriti duke e mësuar edhe tifozërinë me faktin që është fitues dhe mund të arrijë objektiva. Tani ka më shumë pritshmëri, prandaj për gjëra të vogla të gjithë mendojnë se Kombëtarja po bën gabime të mëdha.

Cili është objektivi real në këto eliminatore?

Sigurisht që, nëse do ta fitonim ndeshjen ndaj Izraelit, do të kishim shanse të mira dhe mundësi për të shpresuar, por tani gjërat janë lëkundur disi. Megjithatë, mendoj se vendi i tretë është aty. Në rast se Shqipëria do të arrijë një fitore me Izraelin mund të shkojë edhe në vendin e tretë.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"