La Shqipërinë për Italinë, babai i portierit shkodran: Im bir, më mirë rezervë te Italia sesa te Shqipëria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2018 | 22:59

La Shqipërinë për Italinë, babai i portierit shkodran: Im bir, më mirë rezervë te Italia sesa te Shqipëria

Një bujë të madhe në ambientin kuqezi, shkaktoi lajmi i sotëm se portieri shkodran, Marko Molla, i cili aktivizohet tek të rinjtë e Bolonjës në Itali, ka braktisur ekipin U-17 shqiptar, për të luajtur tek moshatarët e Italisë. Gjithsesi, tek Italia portieri ka qëndruar në stol, në ndeshjen e parë kualifikuese që kanë luajtur ndaj Andorës.

Në një prononcim për ShkodraSport, është babai i Markos, i cili flet për këtë çështje, dhe nuk pëlqen që ta quajë si “tradhti” këtë veprim.

Marko Molla

“Kam dëgjuar shumë gjëra në lidhje me braktisjen e kombëtares shqiptare nga djali im dhe zgjedhjen e tij për të përfaqësuar Italinë. Askush nuk mundet të na thotë se e kemi “tradhtuar” fanellën kuqezi sepse ju siguroj se jemi më shqiptarë se shumë shqiptarë të tjerë. Nëse për momentin vendosëm që Marco të përfaqësonte Italinë, kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të rikthehet sërish tek Shqipëria.

Rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s e lejojnë këtë gjë dhe nuk dihet se çfarë ka për të ndodhur në të ardhmen”. Duke e ngacmuar Besnikun më tej për të na shpjeguar arsyet që e çuan në vendimin e mësipërm, ai zbulon disa nga “plagët” që e detyruan të merrte një veprim të tillë. Djali siç e dinë të gjithë, u bënë disa muaj që ka firmosur me Bolonjën dhe këtë ua kemi treguar edhe pjesëtarëve të Federatës. Por që në gusht ka nisur një problem. Në grumbullimin e bërë nga kombëtarja shqiptare, nga FSHF nuk ka mbërritur asnjë ftesë zyrtare tek klubi i Bolonjës për ta lënë Marcon të lirë.

Në shtator ndërkohë në grumbullimin tjetër, ai nuk mundi të vinte për shkak të disa provimeve që kishte në shkollën e re si rrjedhojë e transferimit nga një shkollë në tjetrën kur ndërroi qytet. Sakaq, për grumbullimin e tetorit për ndeshjet eliminatore, sërish u shfaq i njëjti problem. Asnjë ftesë zyrtare nga FSHF tek klubi i Bolonjës i cili nuk mund të lejonte futbollistin e tij të largohej pa një ftesë të tillë.

marko molla

Por Marco gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe një problem dëmtimi në dorën e tij të djathtë. Sakaq, një natë para se Italia të shpallte listën e kombëtares U17, më telefonoi një pjesëtar i kombëtares së portierëve që në fakt nuk e njihja. Më kërkoi takim dhe ai u realizua. Më tha se ishte trajneri i portierëve të kombëtares italiane të kësaj moshe dhe më bëri kërkesën për ta grumbulluar Marcon me këtë kombëtare.

Përgjigja ime e parë ishte se djali është ende i dëmtuar, megjithatë ai më befasoi me përgjigjen e tij kur më tha: “Jam në dijeni të çdo gjëje sepse kam pesë ditë që jam pas portës së tij në stërvitje. Para se të vija tek ju, kam kontaktuar mjekun e ekipit të Bolonjës dhe më garantoi se problemi i ka kaluar”.

Ne fakt, u befasova për seriozitetin qe shfaqi kombëtarja italiane për djalin tim ndërkohe që e kundërta ndodhte vazhdimisht atë shqiptare. Gjithsesi, unë kërkova edhe një tjetër vizitë të specializuar tek mjekët specialistë dhe kjo u krye të nesërmen.

Gjithçka ishte OK dhe dhamë aprovimin për të qenë pjesë e kombëtares italiane”. Vetëm mungesa e ftesës tek Bolonja ishte arsyeja e largimit nga kombëtarja shqiptare apo ka ndonjë gjë tjetër, e pyesim Besnikun?

 

Ai “hapet” dhe pohon edhe disa gjëra të tjera kur shton: “Janë edhe disa gjëra të tjera që na bënë të marrim vendimin e mësipërm. Marcos filluan t’i bëhen disa padrejtësi njëra pas tjetrës. I hoqën fanellën me numrin dhe i dhanë atë me numër 12.

Më pas filluan ta aktivizojnë si rezervë dhe vetëm 20 minuta në fund, pa përmendur pastaj edhe disa gjëra të tjera të cilat nuk kam dëshirë t’i përmend. Në kombëtaren shqiptare kishte interesa të ndryshme dhe e pëson ai që ka më pak njohje e lidhje

Ndokush mund të thotë se rezerva tek kombëtarja italiane ka shkuar, por në fakt nga mënyra si po shkonin gjërat, më mirë rezervë tek Italia se rezervë tek Shqipëria”. Besniku flet me keqardhje për mënyrën si shkuan gjërat.

I vjen keq që ndodhi kështu, por duket se ka qenë një zgjedhje e kushtëzuar. Sa për ndjenjën e të qënurit shqiptar, ai dhe djali i tij Marco e shprehin hapur patriotizmin e tyre.

Flamuri kuqezi ndodhet vazhdimisht në makinën e tyre dhe ata nuk hezitojnë ta deklarojnë veten shqiptarë kudo ku shkojnë. Pavarësisht se 16 vjeçari Marco Molla tani po përfaqëson Italinë me kombëtaren e kësaj grupmoshe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"