“Ky muaj m’u duk i gjatë”, Çela: Flamurtari e mbyll merkaton me dy afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2023 | 13:24

“Ky muaj m’u duk i gjatë”, Çela: Flamurtari e mbyll merkaton me dy afrime

Emiljano Çela fut në “skaner” Flamurtarin. Teksa po mbyllet java e parë e punës në terren, trajneri ka një ide më të qartë për grupin. Premton një ekip dinjitoz, ndërsa evidenton se në Vlorë ka ndryshuar gjithçka në këto 19 vite.

cela

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, memaliotin e kënaq merkatoja që është realizuar dhe paralajmëron se edhe pak lëvizje do të ketë. Ngjitja është objektiv i panegociueshëm dhe 39- vjeçari e di këtë, ndaj garanton se fundi i sezonit do t’i gjejë në mesin e më të mirëve.

Keni vetëm 5 ditë që keni nisur stërvitjen. Cilat janë përshtypjet e para?
Jemi shumë entuziastë për këtë fillim. Ky muaj m’u duk realisht i gjatë dhe mezi kemi pritur që të fillojmë stërvitjen. Profesioni ynë si zyrë ka fushën. Shpresoj që Zoti të na e bëjë mbarë!

Riktheheni në Vlorë pas 19 vitesh, por tashmë si trajner. Keni emocione?
Emocionet janë të mëdha. Rikthimi në Vlorë, por tashmë si trajner i Flamurtarit, për mua është një sadisfaksion i veçantë, sepse është ekipi ku unë kam bërë debutimin si lojtar në Kategorinë Superiore.

Po ambienti ka ndryshuar?
Mbaj mend vitin e largët 2004… Në atë kohë, kanë qenë të tjerë drejtues dhe tjetër ambient. Tani e shoh stadiumin të zhvilluar, qytetin gjithashtu shumë të investuar. Të paktën, kështu më duket mua pasi rrallëherë kam kaluar në Vlorë.

Çfarë premtoni në këtë detyrë të re?
Do të mundohem që të bëj maksimumin. Atë që unë di të bëj më mirë, punën në fushë. Shpresoj dhe besoj se në qoftë se punojmë drejt, nëse jemi të përkushtuar dhe nëse i bëjmë gjërat ashtu sikundër duhet, mendoj se edhe punët do të na shkojnë mbarë.

Jeni i kënaqur nga kjo merkato dhe çfarë prisni ende?
Jam shumë i kënaqur nga merkatoja. Patjetër që presim edhe pak lojtarë, ndoshta një ose dy, për ta deklaruar më pas të mbyllur. Jam i kënaqur për vetë faktin, se të paktën 80-90% e grupit tashmë janë të disponueshëm. Ne kemi të gjithë kohën e nevojshme për të bërë të gjitha fazat e punës me qëllim që shtatori të na kapë në formën më të mirë.

Cili është mesazhi që Çela jep për qytetarët dhe tifozët e Flamurtarit?
Unë qytetarëve të Vlorës dhe tifozëve të Flamurtarit u premtoj se ky do të jetë një ekip dinjitoz. Skuadra do t’i marrë maksimumin të gjitha ndeshjeve të sezonit të ri. Premtoj se do të bëjmë të gjithë bashkë më të mirën. Kemi shumë nevojë për ta, i duam në krahë. Shpresoj që të rikthehen të shumtë në stadium dhe me entuziazmin e tyre të na karikojnë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"