Kukësi është i pari, start me hap kampioni. Verdheblutë të pafuqishëm, pa asnjë pikë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 1, 2014 | 17:05

Kukësi është i pari, start me hap kampioni. Verdheblutë të pafuqishëm, pa asnjë pikë

Pejic ka shenuar ndaj ElbasanitKUKËSI-ELBASANI 3-0
GOLAT: Pejiç 37′, Hoxha 63′, Dushku 93′
KUKËSI: Halili, Smajli, Dushku, Malota, Hallaçi, Lushtaku (Hoxha 62′), Zeqiri (Shameti 92′), Hasani, Musolli, Hysa (Periç 82′), Pejiç. (në pankinë: Koçi, Gvozdenoviç, Xheferson, A.Dosti). Trajner: A.Shaqiri
ELBASANI: Kotorri, Pisha, Vogli, Basriu, Mauricio (Lamçja 81′), Gava, Hila (Musta 70′), Toçi, Bylykbashi, Çota, Dalipi (Malindi 67′). (në pankinë: Ruçi, J.Dosti, Shazivari, Tahirllari). Trajner: I.File
KARTONË TË VERDHË: Musolli 77′, Hoxha 83′ / Toçi 44′
DELEGAT: Hito Hitaj
VËZHGUES: Astrit Dervishi
GJYQTARET: K.Cjapi (Fier), E.Doda (Tiranë), I.Tartari (Fier)

MINUTAT
3′ Smajli harkon në zonë, aty ku ndodhet Pejiç, i cili e dërgon topin me kokë te Hysa, por ndërhyrja e Kotorrit neutralizon aksionin.
18′ Hallaçi merr krahun nga e majta. Kur arrin afër fundores, dërgon një kros në zonë ku gjendet Hysa. Shtatshkurtri gjuan me kokë mbi traun e portës.
32′ Gava shërben saktë për Bylykbashin që ndodhej në pozicion ballor me portën e vendësve, por Halili devijon goditjen.
37′ Zeqiri sheh të lirë dhe i pason Lushtakut në afërsi të zonës së Elbasanit. Ky i fundit nuk e mban gjatë topin dhe e dërgon te Pejiç, i cili ndodhet para portës dhe e shtyn topin në rrjetë, gol! 1-0!
47′ Endri Dalipi i ka të gjitha mundësitë që të dërgojë topin në rrjetë, por përpara portës nuk tregohet i saktë.
51′ Toçi shfaqet rrezikshëm përballë portierit Halili, por ky i fundit devijon në këndore duke e larguar rrezikun.
56′ Lushtaku brenda zonës shërben me kokë për Hysën, i cili gjuan menjëherë drejt kuadratit, por Mauricio tregohet i vëmendshëm dhe largon me vështirësi rrezikun.
61′ Në pozicion ballor me portën, Bylykbashi gjuan saktë drejt portës një goditje dënimi, por Halili devijon në çastin e fundit topin drejt goditjes nga këndi.
63′ Hysa në pozicion të prirët me portën, nuk preferon të gjuajë, por pason për Hoxhën që ndodhet i vetëm përballë katërkëndëshit në krahun e majtë të saj. Kosovari gjuan saktë dhe e dërgon sferën në rrjetë, 2-0!
79′ Pisha gjuan mbi kuadrat një goditje dënimi në afërsi të zonës, e cila nuk përbën problem për Halilin.
89′ Musolli gjen në zonë Pejiçin, i cili menjëherë gjuan, por Kotorri grushton dhe largon rrezikun.
93′ Ylli Hoxha depërton brenda zonës së rreptësisë nga e majta, jep një asist për Dushkun që gjuan dhe shënon, 3-0!

Kukësi fiton në “Zeqir Ymeri” përballë Elbasanit dhe vijon me hap kampioni. Nuk kishte ndodhur në dy sezonet e mëparshme që verilindorët ta nisnin në mënyrë të tillë kampionatin, pasi kanë debutuar me dy barazime dy vite më parë dhe vjet me dy humbje. Ky sezon duket krejt ndryshe për ta, duke besuar më tepër te objektivi që kanë. Me gol të Pejiçit në pjesën e parë dhe Hoxhës e Dushkut në të dytën, verilindorët siglojnë tri pikët e radhës, duke mos iu ndarë Tiranës dhe Skënderbeut në kreun e tabelës së renditjes. Ndërsa Elbasani, edhe pas ndeshjes së dytë të kampionatit, vazhdon të mbajë mbi supe “petkun” e një kategorie më poshtë.
Pjesa e parë “Etja” për pikë e kuksianëve tregohet që në sekondat e para. Në minutën e 3-të është Smajli, i cili harkon një top në zonë për dyshen Pejiç- Hysa, por Kotorri largon rrezikun. Më pas sulmet fillojnë në seri për verilindorët, ndërsa goli shfaqet vetëm në minutën e 12-të. Megjithatë, në këtë rast vijërojtësi Doda sinjalizon për pozicion jashtë loje dhe Pejiçit i anulohet goli. Vendësit vijojnë me trysninë përpara portës së Elbasanit, kurse miqtë mbrohen mirë dhe tregojnë se janë të zotuar për t’u bërë ballë sulmuesve të kuksianëve. Pas minutës së 25-të janë verdheblutë që kundërsulmojnë, ndërsa Bylykbashi nuk shënjestron mirë portën. Sapo mbyllet minuta e 36-të, Zeqiri sheh të lirë në krahun e djathtë të mesfushës Lushtakun, i cili jep një asist për Pejiçin, i cili nuk e diskuton gjuajtjen drejt portës dhe shënon. Zhbllokohet sfida, të pranishmit shpërthejnë në duartrokitje.
Pjesa e dytë Elbasanasit nuk kanë çfarë të humbasin dhe me fillimin e fraksionit të dytë të lojës hidhen të gjithë në sulm. Në minutën e 47-të është Dalipi, i cili i ka të gjitha mundësitë të shënojë, por nuk e shfrytëzon siç duhet atë dhe humbet një gol të sigurt, çka mund të kishte baraspeshuar sfidën dhe të ndryshonte rrjedhën e lojës. Por, pas rastit të humbur të Dalipit, i krijohet një mundësi Toçit, i cili gjuan kur ndodhet përballë shtatlartit Halili, por ky i fundit devijon topin në goditje këndi. Më pas loja pothuajse shpërngulet e gjitha në gjysmëfushën e Elbasanit, ku rastet për vendësit janë të njëpasnjëshme. Në minutën e 63-të Hysa nuk preferon të gjuajë portën, por jep një asist për të sapofuturin Hoxha, i cili shënon golin e dytë të ndeshjes. Nuk mungojnë kundërsulmet e Elbasanit pas golit të dytë dhe gjithçka mbetet në kuadrin e dëshirës. Kjo, sepse porta duket lartë për verdheblutë, të cilët nuk e shënjestrojnë dot kuadratin. Edhe pse me dy gola diferencë, vendësit nuk gjejnë qetësi, por tregojnë dëshirë për të shënuar më tepër. Pejiç dhe Hoxha gjuajnë disa herë kuadratin, por pa mundur të realizojnë. Disa sekonda përpara vërshëllimës së fundit të kryesorit Cjapi, Hoxha shërben saktë për Dushkun, i cili gjuan drejt portës dhe shënon golin e tretë. Këtu përfundon dhe festa e vendësve, të cilët tashmë nisin të mendojnë për sfidën e radhës në Laç. Për sa i përket Elbasanit, duhet të bëjë korrigjimet e duhura, në mënyrë që të luftojë denjësisht për mbijetesën. Sfida e radhës i rezervon Teutën, skuadër që gjithashtu nuk i ka njohur pikët këtë sezon.

MË I MIRI
Mesfusha e Kukësit me Hysën e Zeqirin kanë bërë diferencën në ndeshjen kundër Elbasanit. Lojtarët e sipërpërmendur kanë dhënë maksimumin e tyre, ndërsa kanë ndihmuar skuadrën në çdo aksion të krijuar për gol. Nga pala e Elbasanit vlen për t’u përmendur Bylykbashi, por i vetëm nuk mjafton për të marrë skuadrën prej dore.

MË PAK AKTIVI
Sulmuesi Çota dhe mesfushori Hila kanë qenë vetëm hija e vetvetes në sfidën e djeshme. Pothuajse nuk janë parë në fushë, ndërsa mund të shënohen si dy lojtarë minus për Elbasanin në këtë sfidë. Teknikut Ilirjan File i duhet shumë punë për objektivin që ka këtë sezon, qëndrimin në Superiore. Ndërsa i duhet të punojë shumë për ndeshjen e radhës për të marrë pikët e para.

Shaqiri: Më kënaqin pikët
Shqiptaro-maqedonasi Artim Shaqiri, i cili këtë sezon drejton Kukësin, shpreh gëzimin e tij për pikët, ndërsa thekson se skuadra e tij duhet të bëjë korrigjime për javët në vijim. “Mund të kishim shënuar më tepër ndaj Elbasanit, por për ne ajo që vlen janë tri pikët. Kundërshtarin nuk e nënvlerësuam në asnjë moment, pasi në ndeshjen e parë që luajti ndaj Skënderbeut, ne e studiuam. Megjithatë, për sa i përket lojës, ritmi i saj ra pas shënimit të golit të parë. Në pjesën e dytë korrigjuam ato çfarë bëmë gabim në pjesën e parë. Për sa i përket objektivit, ne po punojmë që ta arrijmë atë. Na duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, ndaj tashmë po filloj të mendoj për sfidën kundër Laçit. Për sa u përket gabimeve, mendoj që këto ditë pushimi të kampionatit do të punojmë që t’i korrigjojmë. Grupin e kam të gjithë të gatshëm, ndaj kur të vijë ora, do të aktivizohet çdokush”, tha tekniku i Kukësit, i cili dje mori fitoren e dytë radhazi.

File: Kukësi shfrytëzoi gabimet tona
Trajneri File fajëson të tijtë për golat e pësuar, ndërsa tregon se me pak kujdes në “Zeqir Ymeri” Elbasani mund të kishte dalë edhe me pikë. “Ishin gabimet tona që Kukësi i shfrytëzoi mjaft mirë dhe na shënoi tri herë. Për sa i përket rastit të Dalipit, ai e nënvlerësoi, çka solli dhe ndryshimin e situatës. Në formacion mendova të afroj Bylykbashin dhe Dalipin për një lojë prodhuese, por mbetet për në javët e ardhshme. Për sa i përket grupit, gjithçka u paraqit mirë, diçka më ndryshe nga ndeshja e parë me Skënderbeun, pavarësisht rezultatit. Skuadra ka shumë lojtarë, por gjatë ditëve që jemi pushim, do të punojmë të konsolidojmë grupin për ndeshjen e radhës”.
ERJON HAMITAJ





www.minuta90.com