Kukësi dhe Laçi bëjnë paqe në miqësore, skuadrat humbasin shënjestrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2023 | 10:43

Kukësi dhe Laçi bëjnë paqe në miqësore, skuadrat humbasin shënjestrën

Laçi dhe Kukësi janë ndalur në një barazim pa gola në miqësoren e zhvilluar të shtunën në stadiumin e Laçit. Një test i rëndësishëm për të dyja ekipet, duke qenë se do të jenë edhe rivale në Superligë, me trajnerët që po bëjnë manovrat e fundit para se të startojë kampionati. Dy skuadra me shumë ndryshime nga edicioni i kaluar dhe me lëvizje në merkato, ku po shihen imtësisht disa prej lojtarëve që ende janë në mëdyshje.

laci vora

Foto Ilustruese

Te Laçi është afruar edhe kosovari Kryeziu, për të cilin është ndeshja e dytë që aktivizohet. Gjithashtu po stërvitet me ekipin e 21-vjeçari Anderson Filipi, që vjen nga Tërbuni i Pukës. Në miqësoret e fundit është vënë re te kurbinasit mungesa e sulmuesit anglez, Ronald Sobovale, i cili mësohet se po vuan nga një dëmtim.

NDESHJA – Ekipet e nisin lojën duke u munduar më shumë të qarkulloinë topin në zonat e tyre dhe pritur momentin për t’u shfaqur rrezikshëm në sulm. Përballja luhet me shumë forca në mesin e fushës, teksa skuadrat kërkojnë të përfitojnë nga gabimet. Rastet e paraqitura në portat respektive nuk shfrytëzohen, me portierët që ishin në një ditë të mirë, duke neutralizuar rastet.

Në pjesën e dytë patën minutat e tyre edhe lojtarët e tjerë që ishin në dispozicion të skuadrave, por edhe ky fraksion loje nuk prodhoi gola, përpos përpjekjeve deri në fund. Një ndeshje pozitive për repartin difensiv në mbylljen e hapësirave, por të dyja ekipet treguan se çalojnë në sulm, ku mungon goditja finale. Mbyllet kështu në barazim pa gola miqësorja, duke treguar se skuadrat kanë ende punë për të bërë deri në startin e kampionatit. Laçi dhe Kukësi janë fokusuar më tepër te lojtarët e rinj.

LAÇI-KUKËSI 0-0

LAÇI: Dajsinani, E.Marku, Kurti, Luis Zhunior, Geci, Tresa, Myrta, Qato, Manellari, Ujka, Kryeziu.
(U aktivizuan: O.Biba, S.Bibo, Taleb, Cena, Duka, Guci, Trokthi, Bajramaj, Filipi).
Trajner: Stavri Nica

KUKËSI: Brozi, Fejzaj, Bytyçi, Reçi, Murati, Abdou, Momoh, Sula, Gbolahan, Karlos Ribas, Veriu.
(U aktivizuan: Basha, Beshiraj, Domi, Sahitaj).
Trajner: Rraman Hallaçi

GJYQTARË: K.Prenga, R.Vukaj, A.Laska (Laç);

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"