“Kryesimin nuk e morëm me fat, është punuar për kampion”/ Lila: Elbasani pa presion, në Peshkopi për fitoren e elitës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 11:37

“Kryesimin nuk e morëm me fat, është punuar për kampion”/ Lila: Elbasani pa presion, në Peshkopi për fitoren e elitës

Elbasani është në metrat e fundit për të marrë edhe zyrtarizimin përfundimtar të ngjitjes në Superiore. Shanset janë që kjo të ndodhë në këtë javë, por më parë duhet të mundin Korabin, një nga dy kundërshtarët që u kanë shkaktuar humbjet e vetme këtë sezon verdhebluve.

bledar lila elbasani

Në kampin elbasanas i kanë dhënë vlerësimin maksimal sfidës, pasi në lojë është edhe vendi i parë, një objektiv që është kthyer në një detyrë tanimë për skuadrën që drejtohet nga Nevil Dede.

LILA – Për mesfushorin Bledar Lila pritet të jetë një ndeshje e bukur, me Elbasanin që do të hyjë vetëm për tri pikët. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 23-vjeçari thekson se Elbasani ka mentalitet fituesi, si brenda dhe jashtë fushe. “Mendoj që do të jetë një ndeshje e bukur dhe shumë e luftuar nga të dyja ekipet. Korabi ka një skuadër të mirë dhe nuk duhet në asnjë moment ta nënvlerësojmë, pasi është një ekip që të hap probleme nëse i lejon të luajnë. Jemi tri pikë larg ngjitjes në Superiore, por kjo gjë nuk na shqetëson aspak. Ne jemi një ekip me eksperiencë dhe me lojtarë shumë cilësorë, duke mos iu frikësuar asnjë ekipi, siç kemi bërë deri tani. Në çdo ndeshje që kemi luajtur, kemi treguar se nuk jemi kot në krye dhe këtë gjë do ta bëjmë deri në fund, duke filluar që këtë javë kundër Korabit. Si brenda edhe jashtë ne futemi në fushë për tri pikë dhe ky mentalitet na ka bërë që të rritemi akoma më shumë dhe të tregojmë forcën që kemi të gjithë bashkë”, u shpreh fillimisht ish lojtari i Egnatias në Superiore.

PRESIONI – Të jesh në vendin e parë është edhe një presion më vete, por mesa duket për Elbasanin nuk vlen kjo gjë. “Presion nuk kemi pasur kurrë dhe nuk do të kemi. Ne nuk e morëm vendin e parë me fat, por është gjithë puna jonë, e cila na është shpërblyer. Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar, sepse është shumë e lehtë të arrish aty, por është akoma më e vështirë ta mbash atë pozicion. Për këtë gjë duhet sakrificë nga të gjithë, sepse i kemi të gjitha mundësitë për të qenë në vendin e parë”, u shpreh më tej mesfushori i Elbasanit, i cili iu bashkua verdhebluve në merkaton e janarit.

NDJESIA – Lila la Superioren për Kategorinë e Parë, me synimin që të përjetojë me Elbasanin ndjesinë e arritjes së këtij objektivi, që e kërkon i gjithë qyteti. “Ngjitja në elitë e ekipit të Elbasanit është një ndjesi shumë e bukur për të gjithë tifozët që na mbështesin kudo. Por, edhe për të gjithë qytetin, sepse e dimë që Elbasani është një ekip me tradita që ka qenë në majat e futbollit shqiptar. Pavarësisht ulje–ngritjeve, jemi këtu dhe unë personalisht jam shumë i lumtur që i jam bashkuar kësaj skuadre dhe i falënderoj të gjithë për besimin e dhënë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën peqinasi që mbron ngjyrat e Elbasanit këtë edicion, Bledar Lila.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"