Kotobelli: E vështirë me “demat”, por ua dimë pikat e dobëta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2023 | 10:40

Kotobelli: E vështirë me “demat”, por ua dimë pikat e dobëta

Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet se ka ardhur momenti që Teuta të vijojë me rezultatet pozitive në këtë kampionat dhe t’i largohet sa më shpejt pjesës së poshtme të tabelës. Mbrojtësi polivalent i durrsakëve, në një intervistë para duelit ndaj Partizanit, thekson se grupi i lojtarëve do të japin shpirtin në fushë për ta fituar këtë ndeshje.

kotobelli

Suksesi ndaj Dinamos ka rritur entuziazmin. Do të keni të njëjtën grintë në këtë sfidë?

Është një ndeshje tjetër, edhe pse fitorja ndaj Dinamos po 3 pikë na ka dhënë. Për fat të mirë, e kaluam me sukses, tani kemi një ndeshje të radhës, që duhet ta marrim po aq seriozisht. Do të mundohemi me të gjitha forcat të japim të njëjtën performancë. Besoj se jemi në rrugën e duhur.

I trembeni një euforie të mundshme në këtë sfidë pas përmbysjes me Dinamon?

Ne nuk kemi bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, thjesht detyrën. Pastaj sa pikë marrim, është diçka tjetër. Jam i kënaqur që ekipi po rritet. Nuk kemi hapësirë për eufori. Është vetëm ndeshja e dhjetë.

A është e motivuar skuadra për të ruajtur ecurinë pozitive?

Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër rezultatet e mira sjellin dhe një gjendje më të mirë psikologjike, por nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vijomë me këtë lojë të mirë dhe rezultat të mirë, duke filluar që nga ndeshja e nesërme (sotme) përballë Partizanit.

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Partizanit?

Normale që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse ne kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë.

Si e parashikoni këtë takim, në këtë situatë? Do t’ju kënaqte edhe një pikë me Partizanin apo nuk vlen?

Siç e përmenda më lart, Teuta është e ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje. Teuta nuk është e kënaqur me barazimin, do të kërkojmë maksimumin në këtë takim, e kemi studiuar Partizanin, ia dimë pikat e forta dhe pikat e dobëta. Do të jetë një përballje interesante.

Deri ku mund të shkojë skuadra juaj në këtë sezon?

Jemi ende herët për të dhënë verdikte se ku mund të arrijmë. Tani nisi faza e ndeshjeve më të vështira të kampionatit. Na presin ndeshje të vështira, por unë mendoj që do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, pasi kemi shumë ndeshje përpara dhe shpresojmë ta mbyllim me sukses.

Z.QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"