Korabi fiton tifozët, do të rikthehet grupimi “Arbërit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2017 | 10:53

Korabi fiton tifozët, do të rikthehet grupimi “Arbërit”

Korabi i mban sytë nga federata për përcaktimin e stadiumit për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Skënderbeut. Korabi i vendit të fundit synon të mbijetojë në Superiore, ndaj edhe bëri disa ndërhyrje në stadiumin e Peshkopisë, në mënyrë që të luajë pjesën e mbetur të kampionatit në shtëpi.

korabi arberit

Komisioni i Licencimit la disa detyra para ndeshjes me Laçin, ndërkohë që pritet që stadiumi të inspektohet sërish për të vendosur nëse i plotëson kushtet apo jo. Dibranët janë optimistë për këtë dhe presin që ndaj Skënderbeut të luajnë në Peshkopi, ku për herë të fundit kanë luajtur vjet në sfidën e fundit me Kastriotin.

Nëse do të luajnë në Peshkopi, Korabi do ta ketë ndeshjen e dytë me ekipin korçar në këtë stadium. Në gusht të dy ekipet zhvilluan një miqësore, e cila u fitua nga korçarët 1-0.

Korabi do ta zhvillojë ndeshjen me Skënderbeun ditën e hënë, por ndërkohë tifozëria dibrane, kryesisht grupimi i “Arbërit”, në një postim në faqen e tyre zyrtare, kanë dhënë lajmin e mirë të heqjes së bojkotit.

“Duke u nisur nga ngjarjet e fundit, në lidhje me bojkotin, ecuria jo e mirë e ekipit, pas mbledhjes, ne si grupim vendosëm të thyejmë bojkotin duke i ardhur në ndihmë ekipit dhe vetëm ekipit. Ndeshja e radhës kundër Skënderbeut, me shumë mundësi, do të luhet në stadiumin e Peshkopisë. Pra, rikthehemi në shtëpi pas shumë arrative e shtegtimeve cep e më cep Shqipërisë”, shkruan mes të tjerash grupimi i “Arbërit”.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"