Klubi i Kategorisë së Parë nis zyrtarisht merkaton, hedh sytë nga vendasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2021 | 10:33

Klubi i Kategorisë së Parë nis zyrtarisht merkaton, hedh sytë nga vendasit

Largimi zyrtar i dy senatorëve shkodranë të Besëlidhjes, mesfushorit Samet Hepaj dhe qendërmbrojtësit Kledi Dibra, shënon edhe nisjen zyrtare të merkatos te lezhjanët. Plani i trajnerit Alban Bruka për ndërtimin e një Besëlidhjeje “bio” me elementë lezhjanë, duket se po funksionon praktikisht.

Teuta-Beselidhja LOGO

Gjatë dekadës së fundit që ekipi drejtohet nga presidenti Gjok Noka, numrin më të madh të futbollistëve e përbënin shkodranët, si titullarë, por edhe në stol. Gjatë gjithë këtyre sezoneve ka pasur në ekipin lezhjan në çdo kampionat të paktën pesë futbollistë shkodranë. Edhe gjatë këtij të fundit, grupi i titullarëve ka pasur 5 të tillë, përfshi këtu edhe kapitenin. Këta janë: portieri Erind Selimaj, mbrojtësit Kledi Dibra dhe Samet Ruqi, mesfushori Samet Hepaj dhe sulmuesi Arsen Hajdari. Sezonin e shkuar e ka nisur me Besëlidhjen edhe Stivi Shaba, që u vetëlargua gjatë merkatos së janarit dhe u zëvendësuar nga një tjetër shkodran, Arenc Dibra.

Ndryshe nga më parë, tashmë trajneri Alban Bruka ka nisur piketimin e futbollistëve lezhjanë, që mendohet se do t’i grumbullojë kur të nisë faza përgatitore. Kategoria e Parë do të konkurrojë sezonin e pritshëm me një grup të vetëm, çka e rrit më shumë shkallën e vështirësisë për skuadrat, të cilat do të pretendojnë ngjitjen në elitë, po ashtu edhe për mbijetesë. Kjo kërkon më shumë cilësi në formatimin e skuadrës, ndaj mendohet se përsëri Besëlidhja do ta kërkojë shërbimin edhe të shumë futbollistëve jo lezhjanë.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"