Klop: Nuk jam trajner i keq, por Guardiola është më i miri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2024 | 10:44

Klop: Nuk jam trajner i keq, por Guardiola është më i miri

Jyrgen Klop theksoi respektin që ai dhe Liverpuli kanë për Sitin përpara përballjes së nesërme, por tha se ishte e natyrshme që Aleksander-Arnold të ndihej ashtu siç ndihet duke qenë se ai ka lindur në qytet dhe ka kaluar të gjithë karrierën e tij në klub. Arnold tha se titujt e Liverpulit kanë një shije tjetër nga ato të Sitit në vigjilje të përballjes.

klopp dhe guardiola

“Disa njerëz folën me mua dhe më thanë se çfarë duhet të them, dhe unë u thashë: ‘Duhet të prisni derisa të përgjigjem!’”, tha me humor trajneri i Liverpulit kur u pyet për komentet e 25-vjeçarit. “Nuk jam i sigurt se sa shpesh në këtë klub duhet të themi se ‘ju e dini se sa e respektojmë kundërshtarin’. Pep është trajneri më i mirë në botë. Unë kam një jetë të mirë edhe duke mos iu afruar dot atij. Është absolutisht në rregull. Por Arnold ka lindur në Liverpul. Ai ka luajtur për të gjitha ekipet e moshave. Çfarë do të mendonit ju në atë situatë? Një nga sloganet tona është ‘kjo do të thotë më shumë’ dhe do të thotë më shumë për ne.

Dy vjet më parë, ne patëm një paradë pasi fituam Kupën FA dhe Kupën e Ligës, pavarësisht se humbëm finalen e Ligës së Kampioneve një natë më parë dhe humbëm titullin me një pikë. Klubi është i veçantë për ne. Kur ne e ndiejmë këtë, pse nuk duhet të jemi në gjendje ta diskutojmë atë? Ka të bëjë me sesi ndihet ai dhe sesi ndihemi ne. Në Angli, rekordi i Sitit është i pabesueshëm. Kjo do të thotë shumë për ta dhe njerëzit e tyre, por ndoshta është pikërisht sepse ne nuk kemi fituar aq shumë, që ndihemi kështu. Nuk ka asgjë të keqe me atë që tha Trent”.

IRONIA-Klop gjithashtu dha një përgjigje të qartë kur u pyet nëse fakti se ndeshja luhet në “Anfield” mund të jetë vendimtare, duke mos e kursyer ironinë: “’Anfield’ ka herë pas here një ndikim të vërtetë në lojën tonë. Atmosfera që njerëzit tanë mund të krijojnë… a më lejohet të them se është e pakrahasueshme, apo do të ofendohet dikush nga kjo?”

Gjermani do të përballet me Pepin herë të fundit si trajner i Liverpulit, përveçse në rast të një dueli të mundshëm në Kupën FA: “E kemi thënë edhe më parë se do të takohemi patjetër në të ardhmen, dhe do të jetë plot respekt. Mendoj se e kam thënë mjaft shpesh se sa e respektoj atë dhe do të kemi shumë për të folur. A jam xheloz që ka fituar më shumë? Unë kam njohur rreth 3 mijë futbollistë më të mirë se unë dhe ata ende e dashurojnë këtë lojë. Ai më bëri një trajner më të mirë. Kam një bilanc ndaj tij dhe nuk e di sesi ka ndodhur. Unë e di që nuk jam i keq, por ai është më i miri”.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"