Kategoria Superiore U-17 / Ngec Shkëndija, shkëputet Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2016 | 15:48

Kategoria Superiore U-17 / Ngec Shkëndija, shkëputet Vllaznia

Fitore dhe dominim, kuqeblutë s’ndalen

Paratërinjtë e Vllaznisë kanë mposhtur Olimpikun 2- 1 dhe pas nëntë javësh kampionat e shohin veten të shkëputur në krye të renditjes së Grupit A. Ekipi shkodran e ka dominuar në të gjitha drejtimet ndeshjen ndaj ekipit privat nga kryeqyteti. Golin e parë e ka shënuar kapiteni i skuadrës, Enes Isufi, në minutën e 27-të.

vllaznia olimpik u17.

40 minutat e para u mbyllën 1-0, por me disa raste të tjera për të shënuar nga vendësit. Në fillimin e pjesës së dytë ka ardhur edhe dyfishimi i shifrave pas golit të mesfushorit Hoxha. U duk se pas këtij goli loja do të mbyllej 2-0, por miqtë kanë arritur të ngushtojnë diferencën me anë të Dallashit.

vllaznia olimpiku u17

Megjithatë, vetëm kaq, pasi shkodranët kanë administruar mirë lojën dhe kanë mbyllur me sukses takimin. Pas këtij triumfi, Vllaznia ngjitet në kuotën e 23 pikëve, me 7 fitore dhe 2 barazime. Skuadra e Haris Likës nuk e njeh ende shijen e humbjes në kampionat. Vlen të theksohet se takimi i djeshëm u ndoq nga disa ishfutbollistë shkodranë, por edhe drejtori sportiv i klubit kuqeblu, Eugent Zeka.

ADMIR URUÇI

Kryendeshja pa fitues

Kryendeshja e Grupit B mes Teutës dhe Flamurtarit është mbyllur me rrjeta të paprekura. Durrsakët provuan disa herë në pjesën e parë për të zhbllokuar rezultatin, por nuk ishin konkret para portës. Ndërsa vlonjatët menduan më shumë për kundërsulmet, por as ata nuk ishin të qartë. Barazimi i shkonte më shumë për shtat Flamurtarit kryesues.

teuta flamurtari u17

JETON REXHMATI

AF Dinamo fiton derbin

Akademia e Futbollit ka fituar derbin me Dinamon për paratërinj me shifrat minimale 1-0. Një gol i Ramës në minutën e 10-të ka vendosur ndeshjen, e cila ka qenë mjaft e bukur. Janë dalluar Meta, Shima e Milushi te skuadra dinamovite, ndërsa Rama, Krasniqi, Koça e Plaku tek AF Dinamo. Ekipi i Ilir Spahiut e meritoi plotësisht fitoren.

dinamo af dinamo

ABDULLA DUSHKU

Hoti gjunjëzon korçarët

Shkëndija e Durrësit i ka shkaktuar një humbje të papritur Skënderbeut në Korçë. Hoti ka qenë heroi i miqve, teksa shënoi tre gola, duke bërë diferencën në këtë takim. Pjesa e parë u mbyll 0-2 për miqtë, ndërsa bardhekuqtë reaguan në 40 minutat e dyta me Goskovën. Por, Hoti trefishoi shifrat dhe goli i Liqerit në limit vlejti për statistikë.

skenderbeu shkendija e durresit u17

LLAZI SARO

Akademia i bën të gjitha

Dy gola, një autogol dhe në fund tri pikët i merr Akademia. Derbi me Internacionalin i ka buzëqeshur skuadrës së Ardit Bozos. Një autogol i shkaktuar nga Ballgjini kaloi në avantazh vendësit. Por, pas 4 minutash, Akademia ka barazuar me anë të Mehmetllarit. Në pjesën e dytë, loja bëhet më e bukur dhe golin e fitores e shënon Hajdëraj.

internacional akademia

ABDULLA DUSHKU

Goleadë e kavajasve

Besa nuk e ka diskutuar asnjëherë fitoren me Lushnjën, duke shënuar plot pesë gola. Vetëm gjatë pjesës së parë kavajasit realizuan katër herë, me Krasniqin, Gjongecajn dhe dopietën e Selitës. Dominimi i verdhezinjve vijoi edhe në 40 minutat e dyta. Gjongecaj i çoi shifrat në 5-0, ndërsa miqtë nga Lushnja ishin të pafuqishëm për të reaguar.

besa lushnja

FERIZ FERIZAJ

Elbasan pragmatist

Një gol i Tedi Ibërshimit i ka dhënë tri pikët Elbasanit në përballjen me Pogradecin për paratërinj. Ka qenë një sfidë e kënaqshme për të dyja palët, por vendësit janë treguar më të saktë, duke fituar. Edhe miqtë u munduan që të shënonin, por nuk u treguan të qartë në rastet që patën. Kjo fitore e ngjit ekipin verdheblu në vendin e shtatë.

elbasani pogradeci u17

VLADIMIR MEMA

Tirana thyen Shkëndijën pas 9 javësh

Derbi kryeqytetas mes Shkëndijës që drejtohet nga Luan Pinari dhe Tiranës së Sulejman Memës ka përfunduar me fitoren e bardhebluve në shifrat 0-2. Ka qenë talenti Redi Veriu, ai që ka mposhtur skuadrën e shkollës sportive “Loro Boriçi”. Sulmuesi ka shënuar dy gola mjaft të bukur, duke befasuar Shkëndijën. Vendësit janë munduar me të gjitha mënyrat për të barazuar, por janë ndëshkuar atëherë kur nuk e kanë pritur.

shkendija e tiranes tirana u17

Pas një pjese të parë të ekuilibruar dhe me një Shkëndije më kërkuese, golat vijnë në 40 minutat e dyta. Një goditje nga distancë e Veriut shtang portierin Koca dhe bardheblutë kalojnë në avantazh. Shkëndija nuk pajtohet me rezultatin dhe hidhet e gjitha në sulm, por mbrojtja e Tiranës ishte në lartësinë e duhur, teksa lë pak hapësira.

Kur pritej goli i vendësve, është sërish Veriu që i ndëshkon. Kësisoj, nuk ka më kohë dhe Tiranës i buzëqesh fitorja. Skuadra e Memës ka parakaluar Shkëndijën në renditje, duke u ngjitur e dyta. Për Shkëndijën e Pinarit, kjo ishte humbja e parë për këtë kampionat.

ABDULLA DUSHKU

kategoria superiore u17 grupi a renditja

kategoria superiore u17 grupi b renditja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"