Kastrioti u mund nga Laçi në miqësore, por trajneri Ndreu e shikon me vlera për krutanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2023 | 19:49

Kastrioti u mund nga Laçi në miqësore, por trajneri Ndreu e shikon me vlera për krutanët

Laçi dhe Kastrioti nuk pushuan. Edhe pse kampionati ishte ndërprerë dhe mbi të gjitha mesjava rezervon ndeshje Kupe, skuadrat u takuan në një miqësore. U ndeshën në kompleksin “Internacional”, atje ku fitimtarë dolën kurbinasit që militojnë në elitë. Skuadra e Mirel Josës u mjaftua me një gol, që u shënuar pas vetëm 15 minutash lojë nga Olsi Myrta.

JOSA NDREU

Trajnerët Mirel Josa dhe Ramadan Ndreu gjatë miqësores së fundit, Laçi-Kastrioti 1-0. FOTO: A.DUSHKU

Laçi kishte lënë jashtë disa lojtarë titullarë, por edhe disa të tjerë i kishte të dëmtuar dhe nuk u aktivizuan. Ndaj, në formacion triumfonin të rinjtë. Ka spikatur 18-vjeçari Ersi Syla, që rikthehet pas një dëmtimi. Ndërsa skuadra e Kastriotit luajti në 45 minutat e para me 11-she të ndërthurur mes titullarëve e të rinj.

NDESHJA – Çerekorëshi i parë foli për një epërsi të lehtë të laçianëve, që gjetën edhe avantazhin. Olsi Myrta del i vetëm me portierin dhe e shmang, por Kodra ia shkëput topin. 17-vjeçari e rimerre kontrollin dhe nuk fal, gjuan shtrirazi dhe shënon për 1-0. Më pas loja shpërngulet në gjysmëfushën laçiane, me krutanët që kërkojnë golin e barazimit. Në minutën e 38-të shfaqet rasti më ideal për krutanët, kur J.Çela del vetëm me Dajsinanin.

Sulmuesi godet, por portieri bën mrekullinë. Kështu mbyllen 45 minutat e para. Në fraksionin e dytë, kemi një Kastriot kërkues për golin dhe një Laç që freskohet me lojtarët e stolit. Në minutën e 64-t është Zhoao që godet me kokë, por topi  kalon ngjitur me shtyllën pingule. Goli nuk duket as në atë tentativë të Zanit nga 18 metra një minutë më vonë. Pesë minuta para fundit provon fillimisht Qyra, e më pas Mehmeti, por më kot. Përpjekjet e krutanëve për të shënuar nuk kanë sukses.

Trajneri Ramadan Ndreu

Trajneri Ramadan Ndreu nuk merret fare me rezultatin, por me atë që Kastrioti i tij dha në fushë. Pas ndeshjes, trajner tha: “Kryesore në këto momente për ne është të mbajmë ritmin. Kjo miqësore na shërbeu shumë. Kemi akoma dy lojtarë që nuk janë ende në formën e duhur, plus që kisha disa dilema lidhur me formacionin dhe sot (të shtunën) m’u krijua një panoramë me qartë. Duhet të keni parasysh se kemi luajtur me një skuadër shumë të fortë të Superiores dhe kështu që ia vlejti.

Objektivi ynë primar në kampionat është të rikthehemi në 3-4 skuadrat e para dhe gjithçka më tej mbetet e hapur e ia lejmë fushës. Takimi i radhës është kundër Vorës dhe do të jetë e fortë. Kjo sfidë do shumë kujdes dhe përkushtim maksimal nga ana jonë, për vetë cilësinë që ka kundërshtari”.

skeda

 

ABDULLA DUSHKU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"