Kapiteni Rustem Hoxha: Loja e mirë “OK”, por Dinamos i duhen fitoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 21:16

Kapiteni Rustem Hoxha: Loja e mirë “OK”, por Dinamos i duhen fitoret

Edhe 10 ndeshje nga fundi i kampionatit, edhe 10 pikë në lojë. Dinamo ka bërë shkëputjen nga zona e rrezikshme e renditjes dhe tani sheh për 4-shen e parë, që do ta bënte sezonin të suksesshëm.

Rustem-Hoxha

Vetëm një pikë e ndan aktualisht skuadrën e trajnerit Mehmeti nga “Final 4”, ndërsa loja e mirë e javëve të fundit mban të ndezur entuziazmin e bluve për pjesën e mbetur të sezonit.

Ndeshja e radhës me Teutën është me shumë rëndësi për kryeqytetasit, pasi u duhet të kthehen patjetër te fitorja, nëse nuk duan ta mbyllin kampionatin në javën e 36-të, por të vazhdojnë më tej.

HOXHA – Kapiteni Rustem Hoxha rikthehet në sfidën me ish-skuadrën e tij, pasi mungoi ndaj Egnatias për shkak kartonësh, ashtu si mbrojtësi tjetër Behiratçe. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Hoxha thekson se është momenti që Dinamo të fitojë, sepse vetëm loja e mirë nuk mjafton.

“Fakt është që Dinamo po luan mirë dhe për këtë sinqerisht më bëhet shumë qejfi, sepse ishim një skuadër e ndërtuar gati nga e para dhe kemi treguar një përmirësim të konsiderueshëm. Tashmë jemi më skuadër, kemi fituar më shumë besim dhe kemi një raport shumë të mirë në të gjithë komponentët: lojtarë, trajnerë, klub dhe president.

Në grupin e lojtarëve ka entuziazëm dhe besim, këto janë të gjitha pozitive, por do të thosha se është momenti që të fitojmë. Vetëm loja e mirë nuk mjafton, Dinamo ka objektiva për të arritur dhe duhet të marrë maksimumin nga vetja në këto javë të mbetura të kampionatit.

Gara është shumë e fortë realisht, si në pjesën e sipërme për 4-shen e parë, ashtu edhe në pjesën e poshtme, ku luftohet për mbijetesë. Ne duhet të jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës, sepse futbolli të ndëshkon. Mendimi im është se Dinamo ka potencialin për të qenë protagoniste në këtë fazë finale të sezonit. Duke dhënë gjithmonë më të mirën dhe duke shpresuar të kemi edhe pak fat, kam besim se do të arrijmë në 4- shen e parë”, – është shprehur kapiteni Hoxha.

TEUTA – Mbrojtësi durrsak ka folur edhe për përballjen e së hënës së ardhshme me Teutën: “Për mua është një ndeshje shumë e rëndësishme, që përcakton shumë për fatet e sezonit. Siç e theksova, është koha që lojën e mirë ta konkretizojmë me fitore, sepse trepikëshat ta ngrenë. Është ndeshje speciale për mua, kam shumë shokë e miq te Teuta dhe e dua atë ekip, por pas Dinamos. Si profesionist, do të jap gjithçka për fanellën që përfaqësoj.

Më erdhi keq për Teutën, që u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, por besoj se do ta mbyllë këtë sezon me dinjitet. Shpresoj shumë që të hënën të jetë një ndeshje e bukur, ku Dinamo do të synojë vetëm fitoren. Futbolli është i paparashikueshëm, janë episodet që vendosin shumë, detajet e vogla, por është e rëndësishme që në t’ia bëjmë shërbimin Teutës dhe gjithë ndeshjeve të tjera”, – ka përfunduar kapiteni blu.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"