Juvja si Reali, Alegri “kopjon” Zidanin. Lirshmëri të plotë Kristianos dhe Manxukiç “alla Benzema”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 20:21

Juvja si Reali, Alegri “kopjon” Zidanin. Lirshmëri të plotë Kristianos dhe Manxukiç “alla Benzema”

Nuk përjashtohet se kur Juventusi nisi sulmin ndaj Kristiano Ronaldos, mund të ketë menduar, ndonëse pa dashur, për të “kopjuar” sistemin, fluksin e lojës, lëvizjet dhe mentalitetin e Realit të Madridit. Pasi i “grabiti” portugezin, ngjashmëritë mes dy skuadrave u shumëfishuan në mënyrë të pashmangshme, duke qenë se Juventusi i sotëm të kujton realisht Realin e Ronaldos së vitit të kaluar, jo atë të sotmin ku Lopetegui vazhdon të kërkojë alternativa dhe një ide të qartë loje, por atë skuadër të Zinedin Zidanit që dinte të luante vertikalisht, pa pasur kompleksin dhe dëshirën për të pasur më shumë zotërim topi.

alegri ronaldop

REALI I RONALDOS

Reali i sezonit të kaluar ishte i modifikuar me skemën 4-3- 1-2, por që mund të transformohej në lojë e sipër në një 4-3-3, në varësi të pozicionit të Iskos, risia më e madhe e Zidanit gjatë dy viteve të fundit të tij në Madrid. Spanjolli spostoi në pankinë Bejlin, duke qenë se teknika e Iskos përshtatej instinktivisht me atë të Modriçit e Krosit. Reali dinte gjithmonë se çfarë duhej të bënte; topi qarkullonte me shpejtësi dhe superioriteti numerik në sulm kombinohej me daljet në fazën ofensive të dy krahëve të mbrojtjes, Marselo dhe Karvahalit.

real-ronaldo

Përpara, Benzema ishte virtualisht bomberi i zonës, por në të vërtetë, francezi ishte shpatulla e Ronaldos: Benzema ishte ai që duhej të merrte dhe të jepte shqelma e goditje me shpatull, të bënte lojën e pisët, të ndihmonte disa metra prapa, kur nuk ishin në zotërim të topit, në mënyrë që Ronaldo të kishte mundësinë që të ishte i lirë në lëvizje, ku dhe si ai donte, duke bërë “9 fals”, duke shënuar nga brenda dhe jashtë zonës.

Sigurisht që kjo manovër ndoshta nuk ishte e studiuar si ajo e Sitit të Guardiolës dhe Napolit të Sarrit, por i ishte besuar klasit të individëve si Modriç, Isko e Kros dhe që të gjithë këta ekuilibroheshin nga stoperi i tretë i mesfushës, Kasemiro.

JUVENTUSI I RONALDOS

Kjo ide loje u studiua edhe nga Alegri, me rezultate fantastike. Edhe trajneri livornez luan me sistemin 4-3-1-2, ndonëse kundrejt Realit të një viti më parë, ai ka edhe më shumë alternativa, duke parë njerëz si Kosta, Bernardeski, Khedira, Kuadrado e Bentankur që janë gati të zbresin nga stoli.

Juve-Ronaldo

Ashtu si Zidani, edhe 4-3-1-2 i Alegrit është ndërtuar për të ekzaltuar Ronaldon. Te bardhezinjtë, Benzemanë e bën Manxukiçi, me të cilin ndërrojnë shpesh pozicionet, sa nga e majta në qendër të zonës, me kroatin që bën edhe mburojën e portugezit kur e sulmojnë, por edhe i hap zonat me sponde të shumta në kundërsulm. Isko interpretohet nga Dibala, që lëviz në të gjithë fushën, ndonëse në Itali, kundrejt Spanjës, dyfishimet në markim nuk mungojnë asnjëherë.

Në mesfushë gjërat ndryshojnë, sepse nëse fari i mesfushës te Reali është Kasemiro, te Juventusi është Pjaniç, edhe pse ideja e Alegrit është që përpara mbrojtjes të kalojë Xhanin dhe të spostojë më përpara boshnjakun, në një version Modriç. Matuidi është Krosi i situatës, edhe pse francezi sulmon më shumë zonën dhe rikuperon më shumë topa, ndërsa gjermani pason më tepër.

ronaldo juve

Për sa i përket supremacisë numerike në fazën sulmuese, atë dinë ta bëjnë shumë mirë Sandro e Kanselo nga krahët, që nuk lodhen kurrë së krosuari, por edhe sulmuari zonën, sivjet më shpesh edhe nga qendra, duke hapur korsitë anësore për Ronaldon, Manxukiçin apo edhe Dibalën, siç ndodhte vjet te Reali. Shkurt, Alegri po punon për të qenë një “Real Juventus”, jo vetëm në lojë, por pse jo edhe në arritjen e objektivit, fronin europian.

Përgatiti: JETON STAMOLLA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"