Josa: Nuk mbyllemi në mbrojtje, fitojmë sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 16:28

Josa: Nuk mbyllemi në mbrojtje, fitojmë sërish

josaDo kualifikimin, por si gjithnjë tregohet i rezervuar në atë çka thotë. Mirel Josa sqaron se, deri më tani, është bërë vetëm gjysma e punës, pasi “vula” i jepet pikërisht sonte në mbrëmje në “Elbasan Arena”.

Trajneri, gjatë konferencës së dhënë dje, është munduar që të ulë euforinë, teksa u kujton të tijve që kundërshtari nuk do të vijë i dorëzuar. Edhe pse korçarët kanë fituar 2 me 0 në takimin e parë në Moldavi, për Josën nuk mund të flitet për komoditet, sepse në futboll asnjëherë nuk i dihet dhe duhet dhënë maksimumi gjithnjë. Për sa u përket lojtarëve që do të hidhen në fushë, Josa nuk zbardh asgjë për formacionin, por konfirmon mungesën e Latifit. Ndërsa merkaton e lë në harresë, pasi për të rëndësi ka që skuadra të kalojë Milsamin dhe, më tej, mund të flitet për afrime dhe përforcimin e grupit.

Josa, jeni 90 minuta larg historisë. Kujt ose çfarë ju tremb në këtë ndeshje kthimi?

Është e vërtetë që jemi shumë pranë historisë, por nuk duhet të harrojmë se kemi bërë vetëm 50 për qind të punës dhe se duhet të tregojmë pozitivitet në lojë dhe rezultat ditën e nesërme (sot). Përballë do të kemi një kundërshtar që nuk do të vijë i dorëzuar dhe do të tentojë gjithçka kundër nesh. Kjo është e vetmja gjë që duhet të kemi parasysh, çka lojtarëve ua kam bërë të qartë. Asgjë nuk ka mbaruar, edhe pse në letër jemi të favorizuar dhe realizimi i ëndrrës është më pranë se kurrë.

Sa komod jeni me një rezultat 2 me 0?

Vetëm në futboll nuk ka komoditet. Po hyre me idenë se e ke të sigurt, atëherë e ke të humbur ndeshjen. Ne duhet të japim atë që bëmë edhe në ndeshjen e parë dhe kam lojtarë profesionistë në skuadër, të cilët do të japin më të mirën në fushë.

Latifi do të luajë në këtë ndeshje apo është i dëmtuar?

Mund të konfirmoj që nuk do ta kemi në fushë nesër (sot). Do të ketë ndryshime skuadra nga ndeshja e parë?

Nuk mund të zbuloj asgjë, pasi do shoh edhe sot (dje) në stërvitje për të vendosur sesi do të luajmë. Por, do luajmë vetëm për të fituar. Unë jam një trajner që nuk hyj në lojë me idenë për të luajtur në mbrojte.

 Si e shihni gjithë këtë “zhurmë” për masat e sigurisë?

Unë jam trajner dhe këto janë çështje me të cilat merret klubi. Ekipet duan garanci në fushë dhe këtë gjë e garanton klubi, ndaj nuk kam çfarë shtoj për këtë aspekt.

Pritet një mbështetje e madhe nga tifozët. Si ndiheni?

Është e vërtetë, tifozët duan që ta shohin këtë takim. Korçarët di që mezi po e presin, por edhe në Elbasan e di që e duan futbollin dhe unë e di sepse kam drejtuar dikur edhe Elbasanin.

Deri ku mund të shkojë ky Skënderbe?

Mendoj vetëm për ndeshjen e radhës, nuk mund të bëj parashikime për më lart. E rëndësishme është ta kalojmë me sukses edhe këtë ndeshje, pastaj të shohim.

Po mendoni për merkaton nëse e kaloni këtë tur?

Jo, jo, është ende herët për këtë gjë. Nuk është koha për të folur për këtë gjë.

Mund të sugjeroni ndonjë lojtar të Skënderbeut për Kombëtaren?

Mos ma kërkoni këtë gjë, sepse unë shoh punën time dhe nuk ndërhyj në gjërat që nuk më takojnë. Kjo është detyrë e De Biazit dhe ai e di se kush duhet të thirret dhe kush jo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"