Josa: Bulku vinte edhe pa lekë, por Muça e ndaloi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2015 | 20:53

Josa: Bulku vinte edhe pa lekë, por Muça e ndaloi

josaMirel Josa nuk i ndahet dot seri ozitetit, edhe pse është një hap larg historisë. Me qetësinë që e karakterizon, ai kërkon që t’i mbajë të gjithë korçarët me këmbë në tokë dhe u rikujton lojtarëve se asgjë nuk ka mbaruar.

Në një intervistë të dhënë dje për mediat, pak para se të ishte seanca e fundit stërvitore, numri një i pankinës ka folur për gjithçka. Nga fitorja e deri te çështja “Bulku”. Falënderon kapitenin e Tiranës, ndonëse shfaqet i habitur nga refuzimi i kolegut të tij, Muça, për të dhënë në huazim mbrojtësin.

Profesor, çfarë llogarish bëni tani, pas atyre dy golave në Moldavi?

Është e thjeshtë, ne kemi më shumë prioritet dhe shanse për t’u kualifikuar, e këtë do të tentojmë të bëjmë. Ndaj, mos mendoni se do të presim kundërshtarin dhe rrjedhën e lojës.

Në Kishiniev qëndruat në “heshtje” për minuta të tëra. Strategji ishte kjo?

Ne ndeshjen e parë e kishim përgatitur mirë edhe në këtë drejtim, për vetë faktin se edhe kundërshtari do të ishte më sulmues, më shumë sesa me Ludogoretsin. Dhe për këtë do të linte hapësira. Duke pasur parasysh defektet që kishin ata mbrapa, do të na vinte mundësia për t’i goditur. Ndaj kështu vepruam.

Po formacioni u vulos në fund, apo ishte e paramenduar?

Jo, pasi Eskuerdinja ka luajtur mirë edhe kundër Krusaders, kur bëri 80 minuta shumë të sakta dhe precize. Mund të kishim një lëvizje tjetër, por menduam që do të ishte më mirë kështu.

Ju gjithnjë jeni me këmbë në tokë, por tani duam një përgjigje të sinqertë. Sa i kënaqur jeni me fitoren 0-2?

Normalisht që jam i kënaqur, do të tregohesha hipokrit po të thosha të kundërtën me këtë rezultat kaq të favorshëm. Por, nga ana tjetër, vazhdoj të jem skeptik, pasi, para se të festojmë, duhet të kalojmë një moment delikat. Dhe duhet ta ngulisin që të gjithë në mendje; ky moment do t’i shërbejë Skënderbeut për të ardhmen.

Jeni grumbulluar në Korçë dhe jo në Durrës, si zakonisht…

Bëmë shumë mirë që u grumbulluam në Korçë. Pasi klima këtu është më e freskët dhe seancat do të shkojnë më të qeta.

Hristov e nisi nga stoli. Kjo për shkak të modulit që po luani?

Për rreshtimin sigurisht, pasi ne do të luanim me një sulmues. Mund të ndodhë që tani të luajmë edhe me dy, por sigurisht 11-shja do të jetë në shërbim të ekipit dhe individit.

Nëse do të flasim për kualifikim, sa shanse ka Skënderbeu për t’u futur në grupet e Europa Ligës dhe sa për Ligën e Kampioneve?

Duhet të kalojmë edhe këtë ndeshje, pastaj do të flasim. Por nëse kalojmë Milsamin, do të presim edhe emrin e kundërshtarit për “play off”-in e Ligës së Kampioneve, por paralelisht do të kemi siguruar edhe grupet e Europa Ligës. Ndaj, le të presim shortin njëherë. Duhet të shfrytëzojmë shanset që na kanë ardhur dhe të jemi të qartë që kjo mundësi na ka ardhur jo prej kundërshtarëve të lehtë që kemi pasur, por prej koeficientit që është rritur si pasojë e 5 viteve punë.

Osmani mungon gjatë, Arapi është dënuar me tri ndeshje. Çfarë lojtari pret Josa në merkato?

Për merkaton nuk jam interesuar fare. Jam përkushtuar te grupi që kam dhe te kontributi që ata kanë dhënë. Por jemi në një fazë që skuadra duhet të luajë në grup dhe jo për individin. Këtë i them edhe Hristovit. Luan lojtari që i shërben ekipit më mirë. Mua nuk ka “Zot” të më vërë në presion për zgjedhjet që do të bëj në formacion. Zgjedhjet i bëj unë.

A i druheni ndonjë largimi të mundshëm të Latifit dhe Berishës, pasi janë në “radarët” e disa klubeve?

Për lojtarë të ndryshëm edhe mund të ketë propozime të ndryshme. Nëse këta lojtarë kanë oferta të mira, është presidenti që vendos.

Keni kërkuar Bulkun nga Tirana, por Shkëlqim Muça ka refuzuar. Si e pritët këtë vendim?

Është problem i Muçës ky. Unë kam komunikuar me Bulkun dhe ai ishte i gatshëm për të luajtur. Iu bë e qartë arsyeja përse e duam dhe për sa kohë. Ne kemi folur me presidentin e Tiranës, i cili po ashtu dha “Ok”-in. Por Muça ndryshoi gjithçka. Unë nuk kam biseduar me Çimin vetë, në fakt. Gjithçka u mbyll prerazi, ndonëse mund të zgjidhej edhe në forma të tjera.

Domethënë, vetë lojtari pranoi…?

Po e ritheksoj, ne nuk do t’ua merrnim Bulkun përgjithmonë, por vetëm për Champions-in, pasi kishim probleme me kartonët. Për këtë arsye doli edhe pista “Bulku”. Ndaj dua ta falënderoj Bulkun për gatishmërinë që pati për të na shërbyer ne në një mision “europian”. Madje, ai tha që mund të vinte edhe pa lekë për të ndihmuar Skënderbeun. Por klubi i Tiranës e pa të arsyeshme që s’duhej të ndodhte. Unë, sikundër kërkova Bulkun, mund të kisha kërkuar edhe ndonjë lojtar tjetër dhe shumë klube do të ishin të gatshme që të na ndihmonin. Ishte një zgjidhje e klubit bardheblu dhe nuk dua ta komentoj më.

Pse Josa i druhet kaq Milsamit?

Ne u shpërblyem në Moldavi, për shkak të impenjimit maksimal të lojtarëve. Gjë që pres të vazhdojë, me të njëjtin preokupim. E kam vuajtur në kurriz një gjë të tillë. Më kujtohet se me Tiranën kemi fituar 0-2 me Gomelin, por rrezikuam shumë duke humbur në shtëpi 0-1. Situatë e tillë nuk do të doja të më përsëritej.

A është ky momenti juaj më i mirë i karrierës si trajner?

Se çfarë ke bërë si trajner, harrohet shpejt. Sukseset nuk mbahen mend, vetëm gjërat e këqija mbahen mend. Unë nuk dua që të kem situata të këqija në skuadër. Unë nuk kërkoj asgjë më tepër, veçse të arrijmë objektivin. Në të kundërt, secili sheh rrugën e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"