Sfida e Josës: Tani dua përballë Sëlltikun, ky sukses, për futbollistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 22:51

Sfida e Josës: Tani dua përballë Sëlltikun, ky sukses, për futbollistët

josaTre tituj kampion radhazi dhe një sukses historik. Mirel Josa do të mbahet mend gjatë si trajneri i parë shqiptar që arriti ta dërgonte një klub shqiptar në grupet e një kompeticioni europian. Nën drejtimin e tij, Skënderbeu hapi një epokë të re në futbollin shqiptar për klube. I qetë dhe më i qeshur se herët e tjera, edhe Josa vendos të deklarojë se tashmë është koha për festë. Por, si gjithmonë, nuk i kalon kufijtë. “Arritja që synonim u realizua, por menaxhimi tashmë kërkon shumë kujdes. Tani jemi duke festuar. Këtë arritje dua t’ua dedikoj futbollistëve për mënyrën sesi është organizuar kjo skuadër”, tha ndër të tjera Josa gjatë prononcimit të djeshëm pas ndeshjes për “Supersport”. I pyetur për kundërshtarin që dëshiron përballë në “play-off”-in e Champions-it, Josa nuk mendohet shumë: “Dua Sëlltikun”. Në fund, tekniku bën edhe batutën e radhës në lidhje me premion që përfitojnë nga presidenti Takaj. “Do t’i mbaj për vete…”, deklaroi me humor Josa duke iu përgjigjur nëse kishte planifikuar ndonjë dhuratë me paratë që do të merrte.

Po flitet për trajnerin më të suksesshëm të klubeve shqiptare dhe ai është Mirel Josa. Çfarë mendimi keni për këtë?

Unë nuk dua të flasim për trajnerin, por për skuadrën. Për suksesin që ka arritur Skënderbeu dhe për mënyrën sesi duhet ta menaxhojë atë. Arritja që synonim u realizua, por menaxhimi tashmë kërkon shumë kujdes! Tani jemi duke festuar.

Ëndrrat u bënë realitet…

Sigurisht që ëndrrat u bënë realitet dhe ky është një sukses për tifozët e Skënderbeut dhe për të gjithë shqiptarët besoj. Këtë arritje dua t’ua dedikoj futbollistëve për mënyrën se si është organizuar kjo skuadër. Këto janë në përgjithësi gjërat që dua të them në lidhje me arritjet e këtij ekipi.

Folët me rezerva pas ndeshjes së parë në Moldavi. Tashmë që ka përfunduar edhe takimi i kthimit, cilin do të veçoni si momentin më të rëndësishëm që ndikoi në këtë kualifikim historik?

Mendoj se menaxhimi i lojës në ndeshjen e parë ishte kyç. Në atë takim, skuadra diti të luftonte dhe i mbylli zonat shumë mirë dhe kundërsulmuam rrezikshëm. Synimi ishte që të shënonim gol në takimin e parë në transfertë dhe këtë skuadra e bëri. Realizuam edhe golin e dytë në Moldavi dhe, në fund, ishte Shehi që na shpëtoi duke mos pësuar në sfidën e parë. Këto ishim momentet decizive, pasi e patë, nuk kishim përballë një skuadër të thjeshtë. Ishte një ekip i fortë dhe sigurisht që kishte edhe pikat e tij të dobëta. Megjithatë, ishim ne më të fortë dhe u kualifikuam.

Kjo skuadër është e gatshme që të mbërrijë edhe në grupet e Ligës së Kampioneve?

Është herët për të folur që tani për Ligën e Kampioneve. Ne realizuam një qëllim kryesor dhe se çfarë do të bëjmë në “play-off” të Champions-it është një problem tjetër. Kemi Superkupën e Shqipërisë përpara dhe mendojmë për atë. Na duhet edhe një trofe tjetër që ta marrim, pavarësisht se kush do të jetë përballë nesh.

Cilën prej skuadrave do të dëshironit përballë në “playoff”-in e Ligës së Kampioneve?

Unë do të doja Sëlltikun.

Do të përfitoni një premio shumë të majme pas këtij kualifikimi. Pas këtyre dedikimeve dhe falënderimeve, kujt do t’i bëni ndonjë dhuratë?

Do t’i mbaj për vete…(qesh). Nuk e kemi mendjen te premioja që kishte vendosur presidenti. Ajo ishte një shtysë më e madhe për ne. Por, pas saj, vijnë edhe gjëra të tjera shumë të mira. E rëndësishme është që të menaxhohet kjo punë e bërë deri tani në mënyrë të drejtë dhe kjo do të jetë premioja më e madhe për vazhdimësinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"